.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëNë Gjirokastër çmimi i druve të zjarrit u rrit, pavarësisht premtimit të kryeministrit

Në Gjirokastër çmimi i druve të zjarrit u rrit, pavarësisht premtimit të kryeministrit

 

Pasojat e krizës energjitike dhe lufta në Ukrainë, ndikuan në shtrenjtimin e çmimeve të energjisë elektrike dhe lëndëve të para. Kryeministri Rama premtoi se drutë për ngrohje do shiten me çmimin e vitit të kaluar, por një metër kub dru në Gjirokastër po shitet 5.000-5500 lekë nga 3500 që ishte vjet. Tregtarët e druve për ngrohje argumentojnë se shtrenjtimi është i pamshmangshëm. Nëse hyn në fuqi vendimi për fashën 800 kilovatorë për muajt e dimrit, familjet do të kërkojnë mënyra alternative, por edhe ngrohja me dru do të ketë një faturë të kripur.

 

Raimond Kola

 

Kryeministri Edi Rama premtoi pak ditë më parë gjatë një takimi me fermerët në Dropull të Gjirokastrës kontrollin e çmimit të druve të zjarrit me një vendim të posaçëm qeverie. Kjo do të sigurojë sipas tij tregtimin e druve në koston e para fillimit të Luftës në Ukrainë.

“Çfarë lidhje kanë që të shiten me dyfish çmimi drutë e zjarrit? Nuk e di, vendimi i qeverisë do të jetë që drutë e zjarrit të shiten me çmimin e para luftës dhe pikë. Këtu bashkitë kanë rolin e tyre”, deklaroi Rama.

Deklarimet e kryeministrit erdhën në një kohë kur në tregun e druve të zjarrit në disa zona në Shqipëri ku shënohet edhe dimri më i ashpër çmimet e një metri kub pësuan një rritje nga 20% deri në 40 % madje edhe duke u dyfishuar në prag të fillimit të stinës së ftohtë të dimrit.

Një metër kub dru në një pikë tregtimi në Gjirokastër

Një metër kub dru zjarri shkoi në disa zona në juglindje ku dimri është më i ashpër, mbi 7.000 lekë nga 3500 – 4500 lekë që ishte vitin e shkuar, duke ngjallur shqetësimin e banorëve.

Çdo familje, që përdor sobat me dru, sipas pikave të shitjes, konsumon nga 5500 – 11.000 lekë të reja në muaj, një kosto e papërballueshme sidomos për pensionistët, të cilët ndihmohen nga fëmijët apo të afërmit që kanë emigruar në masë prej ketyre zobave drejt Greqisë.

Ka banorë, sidomos në periferi të qyteteve që shfrytëzojnë edhe gjetjen e druve përreth zonave pyjore për gatim dhe ngrohje, për të shmangur shpenzimet.

Në Qarkun e Gjirokastrës në zonat rurale rreth 70-75 % e banorëve ngrohen me dru. Paralajmërimi i qeverisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe vendimi i ERE për shtrenjtimin e saj për abonentët familjarë që kalojnë fashën 800 kwh, ka nxitur edhe më shumë interesimin e banorëve për drutë e zjarrit.

Në fshatin “Andon Poçi” në Gjirokastër ka rreth 160 familje, ku pjesa dërmuese janë në emigracion. Megjithatë, banorët e mbetur, kryesisht të moshuar I kanë stivosur tashmë drutë në orborrt e shtëpive, për të siguruar ngrohjen gjatë dimrit dhe ulur koston e energjisë elektrike.

Në këtë fshat pjesa më e madhe e familjeve kanë siguruar gjithashtu ngrohjen e ujit me panele diellore kur banesat janë struktuar me të ardhurat nga emigracioni i fëmijëvë të tyre në Greqi.

Fshati “Andon Poçi”

Këtë vit pritet të rritet interesi edhe në zonat urbane ku familjet synojnë të ulin koston e energjisë elektrike për t`i shpëtuar tarifimit me fashën e re.

 

Pak javë më parë Kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo kishte bërë një propozim tjetër për të frenuar abuzimet me çmimin e druve të zjarrit duke kërkuar që ministria e linjës të ngrinte një bord të ngjashëm si ai i karburanteve.

Propozimi i kryebashkiakut të Korçës shprehur përmes medias duket se nuk është formalizuar pranë qeverisë dhe nuk ka një vendim konkret që të ndalojë shtrenjtimin kësaj lënde nga Ministria e Transportit dhe Energjisë.

Tregtarët e druve të zjarrit thonë se rritja e çmimit lidhet me rritjen e kostove për ta dhe nuk përbën abuzim.

Raif Proda që tregton në Gjirokastër dru zjarri thotë se deri tani një metër kub shitet 5.000 lekë dhe çmimi ka njohur një rritje të lehtë krahasur me vitin e shkuar.

Raif Poda, sipërmarrës

Ai konfirmon se do ketë një rritje të mëtejshme, me argumentin se është rritur kosto e karburantit për transportin e druve nga zonat e thella në pikat e përqendruara të shitjes dhe me shtrenjtimin e energjisë elektrike, do të rriten edhe kostot e motosharrave që presin drutë.

Vjen një moment kur shpenzimet nuk mbulohen nga fitimet thotë Raifi, i cili ka një kontratë afatgjatë për shfrytëzimin e parcelave pyjore për dru zjarri në Qarkun e Gjirokastrës, ku përfshihen edhe Përmeti dhe Tepelena.

“Por vështirësia më e madhe që kemi, është gjetja e fuqisë punëtore për të prerë dru në zonat e thella. Nuk po i shfrytëzojmë kapacitetet që kemi pasi nuk ka të rinj. Ka ikur gjithë mosha aktive për punë dhe tani nuk gjen punëtorë për drutë në mal. Ky proces kërkon edhe njerëz të fuqishëm nga ana fizike.”- thotë sipërmarërsi.

Bashkia e Gjirokastrës për këtë vit ende nuk ka dhënë leje për sipërmarrje të reja për shfrytëzimin e parcelave pyjore për dru zjarri.

Drejtori i Bujqësisë në bashki Adriatik Onjea thotë se janë disa subjekte, 3-4 të tilla që kanë paraqitur kërkesat dhe dokumentacionin, i cili po shqyrtohet.

Adriatik Onjea, drejtor i Bujqësisë, Bashkia Gjirokstër

“Futja e operatorëve të rinj mund të ndikohet nga rritja e ofertës për dru zjarri, por nëse çmimet rriten ato vështirë se do të tërhiqen nga konsumatorët”- vlerësojnë zyrtarët vendorë.

Paketa e re Fiskale për vitin 2023, propozon përjashtimin nga Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar në import dhe në furnizimin brenda vendit i druve të zjarrit për ngrohje, për vitin 2023. Kjo synon të ulë çmimin e kësaj lënde.

Sipas një studimi të Organizatës Botërore të Ushqimit FAO në Shqipëri konsumi kombëtar i lëndëve drusore për ngrohje, shkon në 2,47 milionë metër kub në vit, në varësi edhe të temperaturave të dimrit. Konsumi mesatar i druve të zjarrit në nivel familje është 5.36 metër kub/vit dhe ky konsum ndryshon sipas zonave klimatike duke variuar nga 3.7 metër kub/vit (në zonat fushore) në 7.14 metër kub/vit (zonat malore) vlerëson studimi.

Vendi ka pak potencial pyjor për të siguruar këto nevoja ndërsa bashkitë që administrojnë pjesën dërrmuese të pyjeve vitet e fundit kanë gjithnjë e më pak parcela për t`u shfrytëzuar për dru zjarri.

Kjo pasi gjendja e pyjeve ka ardhur duke u përkeqësuar prej mungesës së mbarështimit të tyre dhe prerjeve të paligjshme.

I vetmi efekt “pozitiv” shihet nga lëvizjet demografike pasi braktisja e zonave rurale dhe largimi i popullsisë ka ulur përdorimin e druve vlerësojnë specialistët e pyjeve.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img