Pretendimi: Kjo video tregon autorin e zjarreve që përfshinë Izmirin, Turqi, në qershor 2025

Verdikti: E pavërtetë

————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon “autorin” e zjarreve që përfshinë Izmirin në qershor të këtij viti. Video tregon një person që ndez një zjarr në bimësinë e një kodre.

Postimi i referohet zjarrit pyjor që shpërtheu në lagjen Aliaga të Izmirit më 25 qershor 2025.

Megjithatë, Qendra për Luftimin e Dezinformimit (DMM), e lidhur me Policinë Kombëtare Turke, mohoi se personi në video ishte zjarrvënësi që shkaktoi zjarret.

Në një deklaratë në llogarinë e saj në X/Twitter, DMM deklaroi: 

“Është përcaktuar se një imazh i përpjekjeve për kontrollin e zjarrit në İzmir-Aliağa-Bozköy, i cili qarkulloi në mediat sociale dhe platforma të ndryshme, është shpërndarë me pretendimin se dikush i ka vënë flakën qëllimisht pyllit. 

Autoritetet zbatuan qëllimisht metodën e ‘kundërzjarrit’ për të parandaluar përhapjen e zjarrit pyjor që shpërtheu në İzmir-Aliağa-Bozköy më 22-25 qershor 2025. 

Ekipet e zjarrfikësve kryen në mënyrë strategjike djegie të kontrolluara në zona të caktuara për të parandaluar përhapjen e flakëve në zona më të mëdha; kjo metodë synonte të ndalonte përparimin e zjarrit dhe ta vinte atë nën kontroll.”

Deklarata e DMM