Pretendimi: Republika Srpska ka nisur ndarjen nga Bosnje Hercegovina me referendum
Verdikti: Mungon konteksti
Barbara Halla
Në mediat shqiptare kanë qarkulluar lajme, sipas të cilave Republika Srpska, entiteti serb i Bosnje dhe Hercegovinës ka nisur procesin për t’u shkëputur paqësisht nga shteti i Bosnjes. Ky lajm përmban disa paqartësira duke përhapur propagandën e presidentit të Republika Srpska Miloran Dodik, dhe duke mos marrë parasysh historinë e gjatë të kërcënimeve që ai (dhe politikanë të tjerë serbë) kanë lëshuar mbi këtë çështje.
Kërcënimet e fundit nga ana e Dodik për tërheqjen e Republika Srpska nga Bosnja erdhën si pasojë e rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku 11 korriku u shpall si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës. Rezoluta u votua me shumicë votash më 23 maj.
Sipas mediave vendase dhe ato serbe, Dodik ka vendosur të mbajë një referendum për tërheqjen nga Bosnja dhe tha se do ta bëjë datën e referendumit të ditur brenda fundit të qershorit. Për më tepër, qeveria e tij ka mbledhur një grup pune për të punuar mbi një skenar ndarjeje. Siç e specifikojnë edhe mediat amerikane, në vitet e fundit Dodik ka intensifikuar thirrjet për ndarjen e Republika Srpska nga Bosnja, me shpresën se do të merrte mbështetjen e shteteve më të mëdha – si Serbia, Rusia, por edhe Hungaria.
Propaganda e Dodik ka dy aspekte. Së pari, siç citohet dhe në artikull, ai i mëshon pretendimit se një ndarje e RS-së nga Bosnja do të ishte vetëm paqësore. Por në fakt, një nga frikat më të mëdhaja përsa i përket një ndarje të Bosnjes qëndron tek pasojat që do të kishte për balancën në rajon. Një ndarje e RS-së do të thoshte tensione të mëtejshme për veriun e Kosovës si një zonë me mazhorancë serbe. Për më tepër, si Dodik dhe presidenit serb Aleksandr Vuçiç nuk e kanë fshehur dëshirën e tyre për një bashkim të serbëve në Ballkan, qoftë edhe në një bashkim politik dhe krijimin e një Serbie të madhe.
Nga ana tjetër, Dodik ka një histori të gjatë kërcënimesh të tilla, të cilat nuk janë bërë realitet si pasojë e sanksioneve amerikane dhe evropiane. Që prej viti 2011, qeveria e Republika Srpska ka folur për të organizuar referendume dhe ka kërcënuar shpërbërjen e Bosnjes. Këto kërcënime janë përsëritur ndër vite, duke përfshirë dhe në vitin 2020 dhe 2022. Zakonisht, Dodik i përdor këto kërcënime për të siguruar më shumë pushtet dhe pavarësi brenda qeverisë së Bosnjes, ku presidenca ndahet midis përfaqësuesëve të tre grupimeve etnike të vendit.
Një studim i publikuar nga James Ker-Lindsay, një ekspert mbi çështjet e Ballkanit dhe Europës juglindore, shpjegon vështirësitë politike, ligjore dhe ekonomike që e bëjnë ndarjen nga Bosnja shumë më të vështirë sesa një referendum i thjeshtë.
Në fakt, përgjatë qershorit ka pasur shenja nga Republika Srpska se po e ul retorikën e ndarjes. Në një mbledhje në Beograd me 8 qeshor, me synim unitetin mes serbëve të rajonit, nuk u përmend çështja e ndarjes. Më 18 qershor, SHBA-ja vendosi sanksione të tjera ndaj familjes dhe bashkëpuntorëve të Dodik, duke thënë se “Shtetet e Bashkuara dënojnë përpjekjet e vazhdueshme të Dodik për të shkatërruar institucionet që kanë siguruar paqen dhe stabilitetin në Bosnje dhe Hercegovinë dhe rajon”, sipas Brian Nelson, nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare.