Pretendimi: NATO ngre komitetin e gatishmërisë luftarake, përgatitje për luftë me Rusinë
Verdikti: Mungon konteksti
Duke u bazuar tek fjalët e kryeministrit hungarez Viktor Orban, mediat shqiptare kanë përhapur lajmin se NATO po përgatitet për luftë me Rusinë për shkak të Ukrainës. Fjalët e Orbanit janë keqinterpretuar, pasi NATO nuk po planifikon luftë për Ukrainën, por po ndryshon strategjinë për të ndihmuar ushtrinë ukrainase.
Në Prill, NATO deklaroi se po punonte mbi një plan për t’i dhënë Ukrainës ndihmë ushtarake në mënyrë më të parashikueshme, duke marrë parasysh që Rusia ka një ushtri dhe burime më të shumta për ta vazhduar luftën.
“Ne besojmë fuqimisht se mbështetja për Ukrainën duhet të varet më pak nga ofertat afatshkurtra dhe vullnetare dhe se duhet të ketë një angazhim afatgjat nga NATO”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg para një takimi me ministrat e jashtëm të Aleancës në Bruksel.
Këtu nuk bëhet fjalë për t’i çuar Ukrainës armë, pasi kjo do të kërkonte konsensusin e 32 vendeve të aleancës. Por, sipas këtij plani të ri, NATO do të koordinojë punën e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës – një forum prej rreth 50 vendesh që janë mbledhur rregullisht gjatë luftës për të grumbulluar armë dhe municione për Ukrainën. Pra, NATO do të koordinojë përpjekjet e mbështetjes nga ana ushtarake të Ukrainës duke vlerësuar nevojat e saj, mbledhur donacione, siguruar që këto premtime do mbahen si dhe duke zhvilluar koordinimin e nevojshëm.
Kryeministri Hungarez Viktor Orban iu përgjigj kësaj strategjike të re të NATO-s drejt Ukrainës duke thënë se do të rishikonte rolin e Hungarisë brenda aleancës. Orban tha se Aleanca po përgatitet të krijojë një status të ri, atë të vendit jopjesëmarrës, për vende si Hungaria, që nuk duan të marrin pjesë në operacione që kanë të bëjnë më konflikte jashtë territoreve të pjesëtarëve të Aleancës.
“Ajo që po ndodh sot në Bruksel dhe Uashington – ndoshta më shumë në Bruksel sesa në Uashington – është një lloj humori përgatitjeje për një konflikt të mundshëm të drejtpërdrejtë ushtarak. Ne mund ta quajmë me siguri: përgatitje që Evropa të shkojë në luftë,” ka paralajmëruar Orbán.
Kjo deklaratë e Orbanit është interpretuar nga disa media shqiptare si një deklaratë lufte nga ana e NATO-s dhe Europës ndaj Rusisë, ose si shenjë që si BE-ja dhe NATO po hynë në një fazë më aktive të luftës. Por në fakt, bëhet fjalë vetëm për një strategji të re koordinimi afatgjatë, e cila nuk përfshin ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake.
Që prej fillimit të luftës në Ukrainë, NATO ka hedhur poshtë pretendimet se do të hyjë në luftë me Rusinë. Në Bashkimin Europian, disa vende si Franca apo Polonia, janë treguar të gatshme të nisin ushtarët e tyre drejt Ukrainës, por deri tani, këto plane ende nuk janë realizuar.