Si u shtrembërua deklarata se “NATO do të godasë e para Rusinë”

Raportimet u paraqitën si zhvillime të reja strategjike, duke krijuar përshtypjen se NATO po shqyrton seriozisht një sulm të parë ushtarak ndaj Rusisë

12

Jona Cenameri Gjatë ditëve të fundit, disa media shqiptare dhe platformarrjete sociale publikuan lajme me tituj alarmues si “NATO po konsideron të godasë e para Rusinë” apo “Gjeneralët e NATO-s përgatiten për sulm” 

Raportimet u paraqitën si zhvillime të reja strategjike, duke krijuar përshtypjen se Aleanca e Atlantikut të Veriut po shqyrton seriozisht një sulm të parë ushtarak ndaj Rusisë, në përgjigje të asaj që përshkruhet si “sulme hibride” nga Moska. 

Burimi i këtyre lajmeve ishte një intervistë e admiralit Giuseppe Cavo Dragone, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, dhënë për gazetën britanike Financial Times

Çfarë tha admiral Giuseppe Cavo Dragone

Në intervistën për Financial Times, Dragone foli për rritjen e shqetësimeve brenda NATO-s lidhur me sulmet hibride ruse, përfshirë sabotimet, sulmet kibernetike dhe kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike në vendet anëtare. Në këtë kontekst, ai theksoi se Aleanca po diskuton se si duhet të reagojë ndaj një forme agresioni që nuk përbën domosdoshmërisht sulm të drejtpërdrejtë ushtarak.

Dragone pranoi se, në nivel teorik, disa vende aleate po ngrenë pyetjen nëse veprime më të vendosura, përfshirë masa që shkojnë përtej reagimit tradicional, mund të konsiderohen vetëmbrojtje në rrethana të caktuara. Megjithatë, ai e bëri të qartë se një qasje e tillë “shkon përtej mendimit tradicional” dhe se mbeten ende pyetje thelbësore ligjore dhe institucionale, përfshirë atë se kush do të kishte kompetencën për një veprim të tillë.

“Ndoshta duhet të veprojmë më agresivisht se kundërshtari,” tha Dragone, duke shtuar menjëherë se dilemat kryesore lidhen me kornizën ligjore dhe zinxhirin e vendimmarrjes.

Në asnjë moment ai nuk deklaroi se NATO ka marrë një vendim për sulm të parë, apo se po përgatitet për një goditje parandaluese ndaj Rusisë.

Si u shtrembërua deklarata në raportime

Në raportimet e publikuara në disa media shqiptare, ky debat konceptual u paraqit si një ndryshim konkret i doktrinës së NATO-s. Diskutimi teorik mbi reagimin ndaj sulmeve hibride u shndërrua në tituj që sugjeronin përgatitje për luftë ose planifikim operacional për sulm.

NATO

Dokumentet bazë të NATO-s, përfshirë Konceptin Strategjik të miratuar në vitin 2022, e përkufizojnë qartë Aleancën si një strukturë mbrojtëse, të ndërtuar mbi parimin e parandalimit dhe mbrojtjes kolektive. NATO thekson se nuk kërkon përshkallëzim të konfliktit dhe se veprimet e saj synojnë të parandalojnë agresionin, jo ta nisin atë.

Edhe në raport me Rusinë, NATO ka deklaruar vazhdimisht se qëndrimi i saj është reagues dhe mbrojtës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. 

Asnjë dokument apo deklaratë zyrtare nuk flet për një strategji të “goditjes së parë”.

Kufijtë e vetëmbrojtjes

Sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, përdorimi i forcës lejohet vetëm në rast vetëmbrojtjeje ndaj një sulmi të armatosur. Koncepti i vetëmbrojtjes parandaluese mbetet shumë i debatueshëm në të drejtën ndërkombëtare dhe zbatohet vetëm në rrethana jashtëzakonisht të kufizuara, kur një kërcënim është i menjëhershëm dhe i pashmangshëm.

Vetë Dragone e pranon këtë paqartësi ligjore, duke theksuar se pikërisht këto dilema e bëjnë një qasje të tillë objekt diskutimi teorik dhe jo politikë të miratuar.

Përfundimi

Pretendimi se NATO po planifikon të godasë e para Rusinë nuk qëndron. Deklarata e admiralit Giuseppe Cavo Dragone është nxjerrë nga konteksti dhe është interpretuar gabimisht si paralajmërim për sulm, kur në fakt ajo lidhej me një diskutim strategjik mbi reagimin ndaj sulmeve hibride dhe me dilema të hapura ligjore e politike.

NATO mbetet, sipas dokumenteve dhe praktikës zyrtare, një aleancë mbrojtëse.