Pretendimi: NASA përdor fotot nga Toka për të pretenduar se janë pamje nga planeti Mars
Vlerësimi: E pavërtetë
Jona Cenameri
Dyshimet për udhëtimet e NASA kanë lindur së bashku me tentativat e para të njeriut për të prekur hapësirën. Së fundmi, një postim në Facebook tregon një kolazh me dy pamje të së njëjtës skenë shkëmbore. Foto e sipërme prezantohet si një foto e postuar nga NASA nga terreni i planetit Mars, ndërsa më poshtë e njëjta pamje shfaqet në filtra origjinalë, duke ngritur dyshime për një provë të udhëtimeve të trilluara në hapësirë.
Verifikimi i imazheve nëpërmjet motorrit të kërkimit Google Lens zbulon dhjetëra përsëritje të të njëjtit kolazh në gjuhë të ndryshme. Midis rezultateve, verifikuesit çekë të fakteve “Manipulátoři.cz” kanë verifikuar më parë se fotografia “originale”, pra ajo pa filtrin e kuq, është realizuar në Wadi Rum, në jug të Jordanisë, shpesh i quajtur “Mars on Earth” (Marsi në Tokë) për relievin e tij të kuqërremtë. Ndër të tjera, Wadi Rum ka shërbyer si skenë xhirimi për filma ‘marsianë’ si The Martian (2015), pikërisht sepse peizazhi i tij i kuqërremtë i ngjan Marsit.
Hapi tjetër ishte të kontrollonim nëse ekziston ndonjë imazh zyrtar i NASA-s që përputhet me këtë skenë. Arkivat publike të NASA-s ofrojnë edhe fotot raw (të papërpunuara), ndaj krahasimi është i thjeshtë: nuk gjendet asnjë përputhje e kësaj skene në publikimet e NASA-s për Marsin.
GjithNASA shpjegon se pse disa foto duken më “të ngrohta” ose më “neutrale”: bëhet fjalë për rregullime të lehta të ngjyrave që ndihmojnë shkencëtarët dhe publikun të lexojnë më mirë terrenin, jo për “mashtrime” apo përdorim fotosh tokësore si marsiane.
Një detaj domethënës në kolazh është edhe etiketa “Flat Earth” (Tokë e rrafshët) e shtuar në cepin e poshtëm, dajthtas të kolazhit: ky është një tregues i qartë se materiali vjen nga hapësira e konspiracioneve online, ku shpesh përdoren meme provokuese për të hedhur dyshime te institucionet shkencore. Prania e këtij tagu, në vetvete, e bën postimin edhe më pak të besueshëm.
Bazuar në këto verifikime pretendimi për një provë të “manipulimit” të udhëtimeve hapësinore të NASA bie poshtë. Fotoja “originale” është nga Wadi Rum (Jordani) dhe nuk është publikuar nga NASA si pamje nga Marsi. Ngjyrosja e kuqërremtë është manipulim i bërë për efekt të memes.