Pretendimi: Dokumente të NASA përshkruajnë planin e agjencisë për një shfarosje masive.

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi i pazakontë se dokumente të agjencisë hapësinore amerikane NASA zbulojnë një plan për të shfarosur 5 miliardë njerëz brenda vitit 2025.

Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë dokument apo ndonjë burim për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm.

Postimi duket se i referohet një artikulli të botuar më 27 gusht 2024 në portalin amerikan “The People’s Voice”, i njohur më parë si “News Punch”. 

Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, “NewsPunch” ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Sipas artikullit në fjalë, “dokumentet zyrtare të NASA zbulojnë se agjencia është përgatitur për dekada të tëra për të luajtur një rol udhëheqës në një ngjarje shfarosjeje masive në vitin 2025 që do të çojë në shembjen e qytetërimit dhe shpopullimin e shumicës së njerëzve në planetin Tokë.”

Ai citon një prezantim të NASA të vitit 2001 me titull “Çështjet Strategjike të së Ardhmes/Lufta e së Ardhmes [Rreth vitit 2025]”.

Megjithatë, prezantimi i vitit 2001 nuk përmend asnjë përgatitje nga NASA apo plan për “shfarosje masive.”

Në vend të kësaj, ai paraqet një analizë strategjike që diskuton teknologjitë në zhvillim dhe ndikimet e mundshme që ato do të kenë në luftë dhe shoqëri deri në vitin 2025.

Prezantuar nga Dennis Bushnell, shkencëtari kryesor i atëhershëm i NASA, prezantimi mbulon tema të tilla si inteligjenca artificiale, bioteknologjia dhe nanoteknologjia.

Në fillim të prezantimit thuhet qartë se qëllimi i tij është të “nxisë mendimin/diskutimin”.

Prezantimi në fjalë

Një zëdhënës i NASA tha për AAP FactCheck se prezantimi i vitit 2001 ishte bërë pjesë e një teorie konspirative të përsëritur.

“Qëllimi i sesionit të tij (të Dennis Bushnell) ishte të nxiste mendimin dhe diskutimin duke i kërkuar audiencës të imagjinonte se cilat teknologji mbrojtëse mund të zhvillohen në të ardhmen, dhe në këtë rast, në vitin 2025, bazuar në trendet në atë kohë,” tha zëdhënësi. “Prezantimi nuk është një dokument planifikimi dhe përmbajtja brenda prezantimit nuk përfaqëson ndonjë plan aktual ose të ardhshëm nga NASA.”