Pretendimi: Ulja e anijes Odysseus në hënë nuk u transmetua live nga NASA
Verdikti: E pavërtetë
Në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendohet se NASA ka inskenuar uljen e anijes Odysseus në hënë në shkurt të këtij viti. Si provë për këtë sillet mungesa e transmetimit të drejpërdrejtë të momenteve të zbritjes të anijes, ndërkohë që një transmetim i tillë u mundësua në misionin e parë në vitin 1969.
“Mbas 50 vjetësh nuk kanë mundësi të transmetojnë direkt” – ngre me ironi pikëpyetjen një prej këtyre postimeve.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Ky detaj krahasimi mes dy misioneve në hënë do të ngjallte kureshtje, por në të vërtetë është i pasaktë.
Më 22 shkurt të këtij viti një anije kozmike robotike preku sipërfaqen e Hënës, në atë që shënoi uljen e parë komerciale në hënë pa ekuipazh.
Anija e quajtur Odysseus, u krijua nga një kompani private e quajtur “Intuitive Machines” për llogari të NASA. Agjencia amerikane e hapësirës , ka tenderuar disa kontrata private për të dërguar materiale në sipërfaqen hënore duke kursyer burimet e saj njerëzore për misione të tjera.
Ndryshe nga çfarë pretendohet në postime, u ofrua mundësia në të gjitha rrjetet sociale dhe platformat e NASA për të ndjekur gjithçka në kohë reale. Linket live dhe regjistrimet e këtij momenti janë ende të vlefshme online.
Çfarë mund të ketë shërbyer si zanafilla e lajmit për mungesën e transmetimit të uljes së Odysseus është raportimi se se sinjali që u mor në Tokë nga mjeti hapësinor ishte i dobët dhe se kontrollorët bënë përpjekje për ta përforcuar atë duke siguruar kontakt më të mirë. Edhe orët përpara uljes ishin të tensionuara për shkak të dështimit të sistemit të navigimit me lazera. Ekipi i kontrollorëve vendosi të provonte një sistem eksperimental të NASA-s që nuk ishte përdorur më parë dhe mjetit hapësinor iu desh të bënte edhe një tjetër rrotullim përreth Hënës për të mundësuar këtë ndryshim të momentit të fundit.
Zona e uljes së përzgjedhur nga kompania Intuitive Machines ishte pranë polit jugor të Hënës, e rrethuar nga kodra dhe kraterë që mund të përmbajnë ujë të ngrirë.
Kompania Intutitive Machines u bë biznesi i parë privat që realizoi me sukses një ulje në Hënë, një arritje kjo e realizuar nga vetëm pesë shtete. Një tjetër kompani rivale nuk arriti të bënte ulje në Hënë muajin e kaluar.
Faktoje ka verfikuar një sërë informacionesh të rreme që kanë qarkulluar në lidhje me pretendimet se është inskenuar ulja në hënë.