Narrativat e Musk për emigrimin masiv, të pabazuara në studime

Prej vitesh, Elon Musk ka shpërndarë pikëpamje që i përputhen të djathtës ekstreme

60

Nga Barbara Halla- Më 5 prill, Elon Musk bëri një paraqitje virtuale në kongresin e partisë italiane Lega Nord, ku u përqëndrua tek nje retorikë kundër emigrantëve. Në mediat shqiptare, fjalimi anti-emigrant i Musk u shpërnda si fakt i kryer, pa marrë parasysh kontekstin në të cilin ky fjalim u dha apo historinë e Musk si një figurë që shpesh shpërndan dezinformim për hir të axhendës së tij politike dhe ekonomike. Për më tepër, narrativat e Musk kundra emigrantëve nuk mbështeten nga studimet e kryera mbi fenomenin në fjalë.

Prej vitesh tashmë, Elon Musk ka përdorur si pasurinë e tij dhe platformën dixhitale X (që më parë quhej Twitter) për të shpërndarë pikëpamje që i përputhen të djathtës ekstreme dhe për të shpërndarë keqinformata. Sipas revistës amerikane Rolling Stones, Musk dhe X (platforma që bleu në 2022) janë në krye të listës për shpërndarjen e dizinformimit në mediat sociale. Për shembull, në Mars 2020, pak para se Covid-19 të shpërthente fuqishëm në të gjithë botën, Musk tha se rastet e infektimit kishin rënë ndjeshëm, edhe kur çdo studim tregonte të kundërtën.

Ky konstatim është mbështetur edhe nga zyrtarët e Bashkimit Evropian. Që prej shtatorit 2023, zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Vera Jourova, tha se rrjeti social  është burimi më i madh i lajmeve të rreme dhe që atëherë BE-ja i kërkoi pronarit Elon Musk të respektojë ligjet e bllokut që synojnë të luftojnë dezinformimin. Dezinformimi i përhapur nga Musk dhe X ishin shumë të rëndësishme edhe përgjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 në SHBA, ku Musk shpenzoi më shumë se $290 milion dollarë.

Fushata

Musk ka vazhduar fushatën e tij përtej SHBA-ve. Në dhjetor 2024, Musk shkroi një opinion ku mbështeti partinë e ekstremit të djathtë AfD në Gjermani, dhe në janar—pak para zgjedhjeve në Gjermani, ai po ashtu mori pjesë në një tubim të AfD-së, po në mënyrë virtuale. Përgjatë këtij fjalimi në 25 janar 2025, Musk u fokusua tek çështja e emigracionit, duke u vendosur kundra multikulturalizmit, dhe duke i thënë pjesëmarrësve të mos fokusohen së tepërmi tek e shkuara, duke iu referuar Holokaustit dhe përgjegjësisë së Gjermanisë për genocidin e kryer ndaj hebrenjve.

Musk ka vijuar fushatën e tij edhe në Itali, ku me datë 5 prill foli përgjatë kongresit të partisë së djathtë Lega Nord, e cila (së bashku me partitë Fratelli d’Italia and Cinque Stelle) është parë si pjesë e rritjes politike të të djathtës ekstreme në Itali. Edhe përgjatë këtij kongresi, Musk foli për luftën në Ukrainë duke pretenduar se Presidenti Trump do paqe dhe akuzoi ata që kanë kërkuar që platforma X të jetë më e kujdesshme ndaj dezinformimit dhe postimeve që përmbajnë gjuhë urrejtje si persona që nuk e duan lirinë e fjalës.

Por për pjesën kryesore, Musk u përqendrua tek tema e emigrimit, duke pretenduar se “emigrimi në masë është një çmenduri, dhe do të çojë në shkatërrimin e çdo vendi që do ta pranojë. Një vend që e pranon këtë do të zhduket në të ardhmen” Për më tepër, Musk akuzoi emigrantët se ata sjellin terrorizëm: “Me terrorizmin si përfundim do të shohim vrasje në masë në Europë. Miqtë, familja juaj, të gjithë do të jenë në rrezik,” tha ai.

Studimet

Ka disa probleme me fjalimin e Musk. Së pari, është fantazma e frikshme e emigrimit në masë, që në rastin e Italisë bëhet fjalë për emigrantët nga Afrika, sidomos Afrika nën-Sahariane. Por, siç e tregojnë shifrat e fundit, vetëm 14.5% e emigrantëve global vijnë nga Afrika. 22.5% vijnë nga Europa dhe rreth 41% vijnë nga Azia. Për më tepër, sipas studimeve të tjera, rritja në numrin e emigrantëve vjen dhe si pasojë e rritjes në numrin e popullsisë në përgjithësi dhe nuk ka një problem me “emigrimin në masë” Edhe në rastin e SHBA-së, përqindja e popullsisë që janë emigrantë është tek rreth 14.3% që ka qënë në rritje që prej vitit 1970, po që është prapë historikisht jo më shumë se për shembull në fund të shekullit të 19-të, kur emigrantët nga Europa lëvizën për në SHBA.

Pjesa e dytë e pretendimit të Musk ka të bëjë me mitin që numri i lartë i emigrantëve çon në rritjen e dhunës, apo rasteve terroriste në Perëndim. Ka studime të shumta që hedhin poshtë këtë lidhje midis emigrantëve dhe dhunës. Sipas një studimi të fundit, emigrantët kanë 30% më pak shans që të burgosen sesa Amerikanët e bardhë, dhe 60% më pak se Afro-Amerikanët (të cilët, për arsye të ndryshme shoqërore, burgosen më shpesh edhe për krime të ngjashme me personat e bardhë). Këshilli Amerikan mbi Emigracionin tregon se me rritjen e emigrantëve duke filluar nga vitet 1980, ka ardhur dhe ulja e krimeve në popullsi në përgjithësi. Kjo nuk do të thotë që rritja e numrit të emigrantëve ka çuar në uljen e krimit, por tregon që numri i emigrantëve nuk shkakton krim.

E djathta ekstreme

Musk, si dhe figura të tjera të së djathtës ekstreme, janë fokusuar tek emigrantët. Emigrantët përdoren si shënjestër për të justifikuar problemet ekonomike dhe retorika e dhunshme kundër tyre është ajo që shton dhunën. Për më tepër, emigrantët përdoren si pika për të kaluar politika dhe ligje që shkelin të drejtat themelore të njeriut që më pas përdoren edhe kundër qytetarëve vetë. Kjo retorikë fillon me emigrantët, por është shenjë e politikave të ardhshme autoritare.