Pretendimi: Murgjit shqiptarë kanë zbuluar një recetë që shëron diabetin

Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi

———————————————————–

Mjekimet për sëmundje të ndryshme që qarkullojnë si këshilla mjekësore në mediat online duhet të merren gjithmonë me rezerva. “Faktoje” verifikoi një tjetër artikull që sugjeron një bar për kurimin e diabetit, me histori dhe fotografi të rreme.

Artikulli në një faqe, që është dizenjuar për t’u dukur si një media e mirëfilltë online, pretendon se “murgjit shqiptarë shërojnë diabetin në 30 ditë” dhe “receta e tyre sekrete më në fund është zbuluar.”

Në brendësi të ‘artikullit’, të gjitha rrugët të çojnë tek një produkt, të cilin mund ta blejë dhe vetë lexuesi për vetëm 9750 lekë, ose 3900 lekë me ulje.

Sipas artikullit, “At Gjoni, abati i manastirit [të Ardenicës] për më shumë se 40 vjet, për herë të parë pranoi të fliste publikisht për recetën e lashtë, të mbajtur sekret nga breza të tërë murgjish.”

Megjithatë, nga një kërkim në rrjet nuk rezulton që “At Gjoni, abati i manastirit të Ardenicës” të ekzistojë.

Njësoj, nëse përdorim motorin e kërkimit pamor Google Lens për të gjetur ‘fotot’ e murgut të përdorura në artikull, ato nuk rezultojnë të jenë botuar ndokund tjetër në rrjet. Kjo, bashkë me elemente karakteristike si sfumimi i elementëve në sfond dhe ndriçimi i panatyrshëm, na bën të mendojmë se me gjasa këto imazhe janë gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale (AI).

Vlen të përmendet se, paçka bartësve të lajmeve të mira që kanë diçka për të shitur, konsensusi mjekësor është se, deri tani, nuk ka një kurë për shërimin e diabetit tip 2, por vetëm mënyra për ta menaxhuar atë.

Diabeti mellitus (DM) një sëmundje kronike, e cila shfaqet kur pankreasi nuk prodhon aspak ose prodhon një sasi të pamjaftueshme insuline, karakterizohet nga hiperglicemia (rritja e sheqerit në gjak), si rezultat i sasisë së pamjaftueshme ose absolute të insulinës (një ndër hormoneve kryesore që prodhon pankreasi). Vlerat normale të sheqerit në gjak janë nga 70-110 mg/dl. Për një person me diabet, vlerat e sheqerit 2 orë pas buke, duhet të jetë > 140 mg/dl. Diabeti është një sëmundje që prek një numër të madh personash në të gjithë botën.

Studimet e kryera së fundmi tregojnë se nuk ka një kurë për diabetin deri më tani, por vetëm trajtime për ta mbajtur nën kontroll. Shkencëtarët po ndërmarrin hapa për të ndërtuar një të ardhme ku diabeti nuk do të shkaktojë asnjë dëm.

Terapitë dhe stili i jetesës mund të ndikojë në reduktimin e efekteve të diabetit te njeriu. Aktualisht nuk ekziston një kurë për diabetin, por sëmundja mund të shkojë në remision. Kur diabeti kalon në remision, kjo do të thotë se trupi nuk shfaq asnjë shenjë diabeti, megjithëse sëmundja teknikisht është ende e pranishme.

Faktoje ka verifikuar një sërë këshillash dhe kurash të rreme që kanë qarkulluar online për të kuruar diabetin.

Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz. Në një sërë artikujsh, Faktoje ka treguar se si portalet po përpiqen të mashtrojnë qytetarët, duke përdorur mjekë të rremë, me qëllim që t’i bëjnë sa më të besueshme për lexuesit produktet e tyre.