Pretendimi: Mungesa e specieve tranzitore nga majmuni tek njeriu provon që teoria e evolucionit është e gabuar
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————-
Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale pretendon se nëse teoria e evolucionit do të ishte e vërtetë atëherë do të ekzistonin miliona specie ‘të ndërmjetme’ mes njeriut dhe majmunit.
Ky ‘argument’ mbështetet në idenë e gabuar se teoria e evolucionit pretendon se njeriu e ka prejardhjen nga majmuni. Në të vërtetë, teoria e evolucionit thotë se njeriu dhe majmuni kanë një specie parardhëse të përbashkët.
Në fakt, e gjithë jeta në Tokë e ka prejardhjen nga një paraardhës i përbashkët, siç ilustrohet në grafikun e mëposhtëm të ‘pemës së jetës’.
Evolucioni nuk është një proces linear që fillon me organizma me pamje më “primitive” që mund të vëzhgojmë sot dhe përfundon me njerëzimin.
Çdo dy specie që vëzhgojmë në të tashmen janë të lidhura. Njerëzit dhe shimpanzetë janë të afërm (të largët). Po ashtu edhe balenat blu, peshkaqenët e bardhë, pemët sekuoja, kërpudhat, mizat, krimbat e tokës, bakteret, etj. Ata janë të gjithë të afërmit tanë.
Ideja e lidhjes universale, e njohur gjithashtu si prejardhja e përbashkët, u propozua nga vetë Charles Darwin në librin e tij “Mbi origjinën e specieve”. Prejardhja e përbashkët është ideja më e rëndësishme, e pranuar në masë dërrmuese, në biologji.
Një skicë e ‘pemës së jetës’, që nënkupton një parardhës të vetëm të përbashkët, nga shënimet e Charles Darwin
Në të vërtetë, nuk ekzistojnë miliona specie parardhëse të njeriut siç pretendon imazhi.
Kështu, imazhi i mësipërm është i pasaktë. Një model më i saktë do të ishte ai i mëposhtmi.
Ne nuk kemi evoluar nga majmunët e tanishëm. Ne evoluam dhe zbritëm nga paraardhësi i përbashkët i majmunëve, i cili jetoi dhe vdiq në të kaluarën e largët. Kjo do të thotë se ne jemi të lidhur me majmunët e tjerë dhe se jemi vetë majmunë. Dhe krahas nesh, speciet e tjera të majmunëve të sotshëm kanë evoluar gjithashtu nga i njëjti paraardhës i përbashkët dhe ekzistojnë sot në natyrë.