Autor: Arsid Toçi

Banorët e lagjes Mahmute në fshatin Dohoshisht të Dibrës nuk kanë ndriçim publik në rrugën kryesore. Pavarësisht se janë bërë investime dhe janë vendosur tubat dhe kabllot për sistemin e ndriçimit që në vitin 2023, dritat ende nuk janë instaluar. Ndryshe nga lagjia Mahmute, dy lagjet e tjera, Bubël dhe Varend, tashmë kanë ndriçim. Banorët shprehen të shqetësuar për sigurinë e tyre gjatë natës dhe kërkojnë një zgjidhje të shpejtë nga autoritetet për të përfunduar punimet dhe siguruar ndriçim në lagjen e tyre.

Banorët e lagjes Mahmute në fshatin Dohoshisht të Dibrës po përballen me një problem, që lidhet me mungesën e ndriçimit rrugor. Pavarësisht se janë bërë investime, duke vendosur tubat dhe kabllot për sistemin e ndriçimit, fshati ende nuk ka drita.

Banorët thonë se sistemi për të siguruar ndriçimin është vënë që në vitin 2023, por gjërat kanë mbetur në vend-numëro. Ndryshe nga lagjia Mahmute, dy lagjet e tjera të fshatit Dohoshisht, lagjia Bubël dhe Varend kanë ndriçim. Pavarësisht premtimeve, banorët shprehen se lagjia Mahmute vazhdon të mbetet në errësirë.

Një nga banorët e fshatit, Shpëtimi thotë se ka lëvizje njerëzish gjatë natës dhe kjo shkakton vështirësi dhe pasiguri.

“Ka mbi një vit e gjysmë që tubat për ndriçimin i kanë fut, telat i kanë vënë, por drita nuk ka. Ka lëvizje të njerëzve natën dhe unë kaloj me vështirësi. Llafin e kanë dhënë për të siguruar ndriçim edhe në lagjen tonë, por akoma nuk kanë vënë gjë”, thotë Shpëtimi, banor i fshatit Dohoshisht.

Banorët kanë bërë disa ankesa dhe kërkojnë përgjigje të shpejtë dhe konkrete.

“Kemi bërë ankesa 2-3 herë, por hiç, asnjë gjë…”, shprehet Shpëtimi.

Dohoshishti konsiderohet si një nga fshatrat më të mëdhenj dhe më të vjetër të Dibrës.

*Artikulli është realizuar nga nxënës të shkollës së mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në Dibër, në kuadër të projektit “Echoes of Youth, Reporting for Change”. Projekti po zbatohet nga Qendra Agritra-Vizion në partneritet me Faktoje.al. Ky projekt mbështetet nga Programi “Rrugë Alternative”, financuar nga Qeveria Britanike dhe menaxhuar nga zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri.