Pretendimi: Nëse Toka do të ishte e rrumbullakët, horizonti do të kishte një lakim që mund të vërrehet me sy të lirë

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————

Një video që po qarkullon në hapësirat konspiracioniste pretendon se, nëse Toka do të ishte vërtet e rrumbullakët, horizonti në video do të dukej i lakuar. Duke qenë se lakimi nuk duket me sy të lirë, arsyetohet, atëherë Toka nuk është një sferë. Si provë e këtij pretendimi ofrohet një video e vijës së horizontit ku shfaqet në largësi pamja e një anijeje nëpërmjet një objektivi të aparatit fotografik Nikon P1000, me një rreze deri në 94 kilometra. 

Një ‘argument’ i përdorur shpesh nga konspiracionistët e Tokës së Sheshtë, ky pretendim nuk konsideron perspektivën.

Njerëzit janë krijesa mjaft të vogla që jetojnë në një sferë shumë të madhe. Një i rritur mesatar është 1.5 deri në 2 metra i gjatë, dhe fëmijët janë edhe më të vegjël. 

Imagjinoni sikur jeni një akrobat cirku që qëndron mbi një top që është rreth 1 metër i gjerë. Nga maja e topit, do ta shihnit kurbaturën e tij nën këmbët tuaja në të gjitha drejtimet.

Tani imagjinoni një mizë të vogël në atë top cirku. Fushëpamja e saj ndoshta do të ishte një milimetër mbi sipërfaqe. Meqenëse miza është shumë më e vogël se topi dhe fushëpamja e saj është afër sipërfaqes, ajo nuk mund ta shohë të gjithë topin.

Toka është rreth 12.8 milionë metra e gjerë, ndërsa edhe këndvështrimi i një të rrituri të gjatë është vetëm rreth 2 metra mbi sipërfaqen e saj. 

Nuk ka asnjë mënyrë që sytë tanë të perceptojnë madhësinë e Tokës sferike kur ne qëndrojmë mbi të. Nuk mund të dallosh se Toka është një sferë edhe nëse ngjitesh në majën e malit Everest, i cili është 8.850 metra mbi nivelin e detit.

Mënyra e vetme për të parë lakimin e Tokës është të fluturosh më shumë se 10 kilometra mbi sipërfaqen e saj. 

Kjo sepse gjatësia e horizontit që ne shohim varet nga sa lart jemi mbi sipërfaqen e Tokës. Duke qëndruar në sipërfaqen e tokës pa asgjë që na pengon shikimin, sytë tanë mund të shohin rreth 4.8 kilometra të horizontit. Kjo nuk është mjaftueshëm nga perimetri i planetit për të parë vijën e horizontit që fillon të tregojë kurbaturën e saj. 

Përsa i përket zmadhimit të pamjeve të anijes nëpërmjet lenteve të aparatit Nikon, në videon e publikuar, duhet të kihet parasysh se zmadhimi, në rastin maksimal deri në 94 kilometra i pamjeve, kryhet në vijë të drejtë dhe jo në një lartësi nga sipërfaqja e tokës. 

Njerëzit e kanë ditur që Toka është një sferë për më shumë se 2000 vjet. Grekët e lashtë matën hijet gjatë solsticeve verore dhe gjithashtu llogaritën perimetrin e Tokës. Që atëherë, shkencëtarët kanë zbuluar vetëm më shumë prova se kjo është e vërtetë – duke përfshirë shikimin e vetë Tokës nga hapësira.