Pretendimi: Kjo video tregon njerëz duke përhapur një virus të ri me anë të injektimit me shiringa në letrat higjenike të banjove publike
Verdikti: E paprovuar
——————————————————–
Një video alarmante po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse. Ajo duket se tregon njerëz të ndryshëm duke injektuar topa letre higjenike me një shiringë. Video shoqërohet me përshkrimin: “Janë duke hapur virusin e ri.”

Asnjë burim zyrtar ose media nuk e përmend një fenomen të tillë. Ky informacion i supozuar ndahet vetëm në rrjete sociale. Mediat do ta kishin raportuar gjerësisht këtë lajm nëse do të ishte i vërtetë, për shkak të interesit të konsumatorëve dhe natyrës së tij alarmante.
Ky thashethem lindi si një prej shumë pretendimeve tërësisht të sajuara, të nxitura kryesisht nga videot e postuara në rrjete sociale që paraqisnin një përzierje pamjesh të rreme dhe klipesh video stok, si dhe audio joautentike.
Një ose më shumë përdorues krijuan pamjet e videove, rrëfimin me zë dhe ndoshta skenarin me mjete të inteligjencës artificiale (IA). Lajmet e supozuara të shfaqura në klipe nuk shfaqin asnjë logo të ndonjë rrjeti apo agjencie lajmesh, pasi ato nuk janë raportime të vërteta lajmesh.
Një nga shenjat e qarta se videot ishin produkte të inteligjencës artificiale ishte këndi i lartë i pamjeve që pretendohet se tregonin tualete publike, gjë që sugjeronte se pamjet vinin nga kamerat e sigurisë. Këto të fundit zakonisht nuk vendosen në tualete të vërteta publike për shkak të standardeve të privatësisë.
Përsa i përket dyshimit për transmetimin e virusit të HIV nëpërmjet letrës higjenike, një nga alarmet që shoqëron këto video në rrjetet sociale, gjasat janë edhe më të vogla. Sipas Kate Nambiar, drejtoresha mjekësore e Terrence Higgins Trust, organizata bamirëse kryesore në Mbretërinë e Bashkuar për HIV dhe shëndetin seksual askush nuk është infektuar ndonjëherë me HIV ose hepatite nga letra higjienike:
“Virusi i HIV nuk mbijeton për një kohë të gjatë jashtë trupit. Pasi HIV ekspozohet ndaj ajrit, ai dobësohet shpejt dhe transmetimi ndodh vetëm kur kalon nga trupi i një personi në një trup tjetër. Hepatiti B dhe C janë në gjendje të qëndrojnë aktivë për më gjatë jashtë trupit, por çaktivizohen nga tharja, kështu që transmetimi është praktikisht i pamundur.”