Mjeku infeksionist Arjan Harxhi nuk ka sugjeruar përdorimin e preparateve për trajtimin e problemeve të enëve të gjakut. “Faktoje” verifikoi se postimet e bëra në rrjetet sociale janë mashtrimi i radhës për të tërhequr lexuesit dhe kjo konfirmohet edhe mjeku Arjan Harxhi.
Më 31 dhjetor të vitit që lamë pas, në mediat sociale është publikuar një postim, shoqëruar me një video të mjekut Arjan Harxhi, ku supozohet se ky i fundit ka sugjeruar përdorimin e një preparati për problemet me enët e gjakut.
“Dr. Arjan Harxhi: Këto pilula të harruara do të pastrojnë enët e gjakut në 3 ditë dhe do të heqin presionin! Në një kohë kur enët e gjakut shpërthejnë…”, shkruan krahas videos faqja e Facebook “Whitney Miller”.
Screenshot, postimi i shpërndarë në Facebook
“Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të postimit, pasi janë disa elementë që vënë në dyshim seriozitetin dhe vërtetësinë e postimit. Së pari, shfaqet me figurë mjeku Harxhi, por video nuk ka audio, pra nuk dëgjohet nëse vërtetë ai ka sugjeruar që të përdoret një suplement i tillë.
Gjithashtu, në komente ka mjaft lexues që ngrenë shqetësimin për një mashtrim që po u bëhet qytetarëve.
Disa nga komentet e lexuesve në Facebook
Ndërkohë, përtej lexuesve që mund të njohin eksperiencën e gjatë të doktor Harxhit, mjafton një kërkim i thjeshtë në Google për të kuptuar se ai është mjek në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe punon në shërbimin e Sëmundjeve Infektive. Harxhi nuk ka eksperiencën e nevojshme për të këshilluar publikisht trajtimin e sëmundjeve dhe problemeve që lidhen me zemrën apo enët e gjakut dhe nuk do t’ia lejonte vetes që të përfshihej në një marketing të tillë online.
I kontaktuar nga “Faktoje”, mjeku infeksionist Arjan Harxhi u shpreh se në këtë postim është përdorur emri dhe imazhi i tij, por në asnjë moment ai nuk ka sugjeruar përdorimin e suplementeve të tilla.
“Konfirmoj që ky postim është i rremë dhe s’ka asnjë lidhje me personin tim. Çdo “këshillë” që lidhet me emrin tim aty është e pavërtetë. Ky është një mashtrim që i bëhet si mua personalisht, duke shfrytëzuar emrin tim, por edhe qytetarëve duke shitur produkte, për të cilat nuk ka asnjë garanci shkencore dhe siguri për efektet në shëndet. Më vjen mirë që më jepet mundësia të denoncoj edhe njëherë këtë postim të rremë që po përpiqem ta raportoj prej disa ditësh pranë Facebook”, thotë për “Faktoje” mjeku Harxhi.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin