Pretendimi: Dermatologia Arta Dervishi prezonton shpikjen e saj që do të ndalojë rrudhat për 14 ditë.

Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi

—————————————————

Një faqe interneti e dizenjuar për të ngjarë si një portal i mirëfilltë lajmesh mbi shëndetin jep lajmin e mirë se një dermatologe e quajtur Arta Dervishi, ka shpikur “një metodë natyrale 14-ditore për rinimin radikal të lëkurës.”

Megjithatë, çfarëdo që të klikosh në këtë faqe, do të të dërgojë tek produkti i reklamuar nga artikulli. Kjo pjesë e dizenjos së faqes tregon se ajo shënjestron sidomos përdoruesit që nuk janë shumë familjarë me teknologjinë.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se foto e pretenduar e Arta Dervishit në fakt tregon një mjeke dermatologe serbe të quajtur Svetlana Durisic.

Më tej, disa nga fotot e pretenduara që dëshmojnë ndryshimin para dhe pas përdorimit janë foto stok të marra nga interneti.

Një prej tyre është marrë nga interneti dhe më pas modifikuar shkel e shko për të eleminuar pamjen e rrudhave!

Foto e modifikuar (majtas) dhe origjinale (djathtas)

Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz. Në një sërë artikujsh, Faktoje ka treguar se si profile online po përpiqen të mashtrojnë qytetarët, duke përdorur mjekë të rremë, me qëllim që ta bëjnë sa më të besueshëm për lexuesit produktin që shesin.