Pretendimi: Triholog-kozmetologu shqiptar Ardian Berisha ka krijuar një formulë inovative që rikthen fuqinë dhe dendësinë e flokëve brenda 21 ditëve.

Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi

———————————————————–

Artikulli në një faqe, që është dizenjuar për t’u dukur si një media e mirëfilltë, pretendon se “triholog-kozmetologu shqiptar, i njohur ndër të gjithë, talenti Ardian Berisha, ka krijuar formulën inovative që rikthen fuqinë dhe dendësinë e flokëve brenda 21 ditëve.”

Sipas artikullit kjo formulë konsiston në një shampo, të cilën mund ta blejë dhe vetë lexuesi për vetëm 7800 lekë, ose 3900 lekë me ulje.

Shqipja e çalë e përdorur në postim duhet të jetë sinjalizuesi i parë për skepticizëm. Kjo zakonisht tregon se teksti është përkthyer automatikisht me anë të një programi kompjuterik, pa marrë kohën për ta përshtatur. Kjo metodë është karakteristike e skemave të mashtrimit.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se foto e “triholog-kozmetologut shqiptar Ardian Berisha” në të vërteë është një foto ilustruese e marrë nga interneti, e cila mund të përdoret nga kushdo që shpenzon 24 euro për ta blerë.

Praktikisht, i gjithë artikulli, faqja, dhe personazhi i mjekut shqiptar janë stisur për të shitur pikërisht produktin, i cili premton se mund të zëvendësojë transplantin e flokëve nëse përdoret. Çuditërisht, faqja nuk liston përbërësit e shampos, por thekson vetëm se ato janë natyralë.