Marketingu i rremë për shitjen e preparateve online nuk kursen dhe sëmundjet e zemrës. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi një tjetër artikull të publikuar online që përmban një sërë elementesh fiktivë që përdoren për të nxitur lexuesin për blerjen e produktit.
Lajme të shpërndara në portale pretendojnë se kanë gjetur një preparat që trajton problemet e zemrës.“Lajmet e javës: Tragjedia në Shqipëri! Askush nuk duhet të vdesë për shkak të një tensioni të lartë të gjakut! Por mjekët kanë gjetur një zgjidhje!”-shkruan faqja online Marfasso.shop.
Artikulli i shpërndarë në portal
Për ta bërë të besueshme për lexuesit, website ka krijuar një faqe që ngjan me atë të një prej mediave më të mëdha kombëtare në vendin tonë. Gjithashtu në këtë shkrim është përdorur edhe imazhi i spikeres së këtij televizioni, teksa janë vendosur tituj, ku shkruhet: “Mafia e farmacive po fshihte një produkt që mund të ndihmonte të gjithë farmacistët”.
Mirëpo, duket qartë që kemi të bëjmë me një faqe të rremë, pasi asnjë prej kategorive të vendosura në krye të faqes nuk është e klikueshme.
Një detaj që përmendet në artikull është se: ‘100 mijë njerëz vdesin në vit nga sëmundjet e zemrës’. Mirëpo, këto të dhëna nuk janë të sakta. Referuar shifrave zyrtare nga Instituti i Statistika rezulton se janë 13 mijë vdekje si pasojë e këtyre sëmundjeve gjatë një viti.
Gjithashtu, portali ka përdorur edhe emrin e një mjeku kardiolog, të cilin e quajnë Rezart Kurti. Nga kërkimi në listën e mjekëve, nuk rezulton që të kemi një mjek më atë emër. Veç kësaj, faqja online ka përdorur edhe një foto ilustruese për doktorin, por nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove konstatuam se imazhi është thjeshtë ilustrues.
Në faqe të tjera online në mediat e huaja është përdorur figura e të njëjtit mjek, por me një tjetër emër. Në këtë rast, në një prej faqeve spanjolle, ai prezantohet si Mario Delgado Mora.
Pra, të gjitha informacionet që na paraqet kjo faqe online janë të rreme dhe kanë si qëllim shitjen e preparatit, duke përdorur një sërë elementësh për ta bërë të besueshëm për lexuesit.
Faktoje ka verifikuar një sërë skemash mashtrimi që bëhet nga faqe të ndryshme online, duke përdorur intervista me mjekë të rremë.