Pretendimi: Kjo terapi rikuperon sistemin e tretjes për 4 javë
Verdikti: E paprovuar, Skemë mashtrimi
———————————————————————–
Reklamimi i medikamenteve në formën e këshillave mjekësore nga mjekë të rremë është një nga format e dizinformimit të qëllimshëm në rrjet. I tillë është dhe artikulli që shfaqet në Facebook, nën titullin “Revolucion në rikuperimin e sistemit të tretjes dhe eliminimin e ulçerave, gastriteve dhe kapsllëkut! Për vetëm 4 javë mund të rikuperoni plotësisht tretjen!”
Në brendësi të ‘artikullit’, të gjitha rrugët të çojnë tek një ilaç, të cilin mund ta blejë dhe vetë lexuesi për vetëm 12,900 lekë, ose 3,900 lekë me ulje.
I gjithë artikulli është ndërtuar me foto ilustruese të marra nga rrjeti dhe të prezantuara si foto të mjekëve specialistë që rekomandojnë ilaçin ose foto të rezultateve pas përdorimit të ilaçit.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se gastroenterologu “Arben Hoxha” i cili rekomandon produktin, në të vërtetë është anesteziologu rus Ovchinnikov Vladimir Anatolyevich.
Praktikisht, i gjithë artikulli, faqja, dhe personazhi i mjekut janë stisur për të shitur pikërisht produkt. Çuditërisht, faqja nuk liston përbërësit e produktit.
Foto e mësipërme është marrë nga blogerja Tiffany Brien, e cila postoi këto foto në Facebook në 2016 me përshkrimin: “Jo, nuk jam 6 muajshe shtatzënë. Është thjesht foshnja ime prej ushqimi. Këto dy foto janë bërë 12 orë larg njëra-tjetrës, majtas para gjumit dhe pikërisht kur u zgjova. Nuk jemi të gjitha ashtu siç dukemi në rrjetet sociale. Mendova të ndaja një ditë të keqe me ju për t’ju treguar se askush nuk është “perfekt” dhe është në rregull të kesh një ditë të keqe ku trupi yt thjesht vendos të mos luajë më. Mos u shqetësoni vajza, kjo ndodh edhe me më të mirën prej nesh, të gjitha janë pjesë përbërëse e të qenit femër! Është një koktej i këndshëm mungese gjumi, stresi, hormonesh dhe intolerancash ushqimore. Një përzierje për shumë fryrje.”
Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz. Në një sërë artikujsh, “Faktoje” ka treguar se si portalet po përpiqen të mashtrojnë qytetarët, duke përdorur mjekë të rremë, me qëllim që ta bëjnë sa më të besueshëm për lexuesit online.