Pretendimi: Mjeku i ri nga Tirana mori çmimin më prestigjoz në Shqiperi në fushën e oftalmologjisë dhe bioteknologjisë duke zhvilluar një ilaç inovativ që mund të rivendosë shikimin në çdo moshë.

Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi

———————————————————–

Një faqe interneti e dizenjuar për të ngjarë si një portal i mirëfilltë lajmesh mbi shëndetin dhe mjekësinë jep lajmin e mirë se një mjek i ri nga Tirana, i quajtur Ali Zogaj, ka marrë “çmimin më prestigjoz në Shqiperi në fushën e oftalmologjisë dhe bioteknologjisë duke zhvilluar një ilaç inovativ që mund të rivendosë shikimin në çdo moshë.” 

Megjithatë, çfarëdo që të klikosh në këtë faqe, do të të dërgojë tek produkti i reklamuar nga artikulli. Kjo pjesë e dizenjos së faqes tregon se ajo shënjestron sidomos përdoruesit që nuk janë shumë familjarë me teknologjinë.

Artikulli reklamë, për t’i dhënë më shumë besueshmëri vetes, është i ndërtuar si një intervistë me ‘mjekun Ali Zogaj’.

Nga një kërkim në listën e mjekëve në Shqipëri rezulton se nuk ekziston një specialist shëndeti me këtë emër.

Foto e pretenduar e Ali Zogaj në “Institutin e Kërkimeve Mjekësore në Tiranë” (një institucion me këtë emër nuk ekziston në Tiranë), në fakt tregon një një teknik laboratori që po punon me mostra që do testohen për Covid-19 në Wuhan, Kinë, më 6 shkurt 2020.

Artikulli përmend një tjetër mjek, Artan Tahiri. Ky mjek gjithashtu nuk figuron në listën e mjekëve shqiptarë. Foto që pretendohet se tregon mjekun Tahiri në të vërtetë është një foto ilustruese e marrë nga interneti, e cila mund të përdoret nga kushdo që shpenzon 25 dollarë për ta blerë.