.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookMjekë dhe shifrat të rreme për trajtimin e mykut të thonjve

Mjekë dhe shifrat të rreme për trajtimin e mykut të thonjve

Trajtimi i mykut është një ndër këshillat e radhës që ofrohet nga portalet, duke përdorur intervista me mjekë të rremë. “Faktoje” sjell një sërë elementësh, të cilët tregojnë qartë se kemi të bëjmë me një artikull të pavërtetë.

Marketingu online i trajtimeve mjekësore pa recetë ofrohet shpesh në formën e këshillave nga mjekë apo pacientë që kanë provuar shërimin. I tillë është dhe reklamimi në portale i trajtimit për mykun e thonjve, i cili nuk heziton të ofrojë edhe disa shifra të frikshme për sa i përket humbjeve të jetës për shkak të këtij problemi.

Kërpudhat e thonjve çojnë në mënyrë të pashmangshme në kancerin e gjakut dhe dëmtimin e organeve të brendshme. 78% e pacientëve me onikomikozë vdesin në moshën 40 deri në 50 vjeç”, shkruan portali “plantmedicile.online”.

Screenshot, artikulli i publikuar nga portali

Për të promovuar produktin e quajtur “Fungostop”, portali ka përdorur një intervistë me një mjeke, së cilës i jep vetëm emrin. Mjekja sipas portalit quhet thjesht Klea, duke mos i dhënë identitetin e saj të plotë. Kjo tregon qartë që kemi të bëjmë me një intervistë të sajuar nga ky portal.

Ne bëmë një verifikim të fotos, ku rezulton se imazhi i përdorur për të ilustruar mjeken i përket një biokimiste nga Hungaria, e cila quhet Katalin Karikó.

Gjithashtu, ajo që vihet re është se kjo media online ka përdorur logon e një televizioni kombëtar, me qëllim që të manipulojë audiencën, duke e prezantuar veten si një faqe e besueshme.

Një tjetër element që vihet re në tekst janë shifrat e përdorura. Portali shkruan ndër të tjera: “A jeni në dijeni sa njerëz vdiqën nga Mikoza në vitin 2021? Vitin e kaluar, 55,000 njerëz vdiqën në Shqipëri. Nga këta, 31,000 njerëz vdiqën nga myku i thonjve që përbën më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm”. Por, duke iu referuar të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave rezulton se gjatë vitit 2021 në vendin tonë kanë humbur jetën në total 30 mijë persona dhe jo 55 mijë siç përpiqet të manipulojë lexuesit portali nëpërmjet artikullit. Siç shihet edhe nga tabela, numri më i madh i humbjeve të jetës janë si pasojë e sëmundjeve të aparatit të qarkullimit të gjakut dhe jo nga myku i thonjve.

Screenshot, të dhënat nga INSTAT

Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz dhe kjo është denoncuar në disa artikuj nga Faktoje.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img