Depozitimi i mbetjeve të Bashkisë Kamzë dhe marrëveshja me koncesionarin ngre një sërë pyetjesh mbi procedurat që janë ndjekur nga ky institucion. Sipas të dhënave të përpunuara nga ekspertë të Faktoje, koncensionari del me një humbje prej 48,500 euro në vit, pa përfshirë këtu pjesën që duhet të mbulojë shërbimin e grumbullimit dhe transportimit të mbetjeve.
————————————————————-
Bashkia Kamzë është pjesë e qarkut Tiranë dhe si e tillë përfshihet në kontratën koncesionare me Landfillin e Tiranës. Kjo kontratë mban datën 31.08.2017 dhe është lidhur me subjektin Integrated Energy BV SPV. Sipas kësaj Kontrate, çmimi për ton-mbetje urbane është 29 euro pa TVSH, i pagueshëm nga Njësitë Vendore të Qarkut Tiranë, ku bën pjesë edhe territori i Bashkisë Kamzë.
Kontrata me Landifillin e Tiranës
Faktoje nga një shqyrtim i pagesave të thesarit në Open Spending Albania konstatoi se kjo Bashki nuk ka kryer asnjë pagesë kundrejt subjektit “Integrated Energy BV SPV”.
Screenshot nga Open Spending, ku rezultojnë zero transaksione ndërmjet Bashkisë Kamzë dhe Integrated Energy BV SPV.
Nisur nga kjo gjetje, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Kamzë për të kuptuar ku depozitohen mbetjet e gjeneruara në territorin e saj.
Në përgjigjen e datës 01.02.2022, Bashkia Kamzëi nformon se nga data 23.05.2018 ka lidhur një tjetër kontratë “Për dhënien me Koncesion/PPP të Shërbimit të Pastrimit, Grumbullimit, Transportimit dhe Seleksionimit të Mbetjeve Urbane për Qytetin e Kamzës”.
Kontrata e Bashkisë Kamëz
Vlera totale e kësaj kontrate koncesionare me subjektin Eco–Cleaning është 1.35 miliardë lekë për 12 vite, pa TVSH. Kjo përkthehet në një vlerë vjetore prej 112.5 milionë lekë në vit, pa tvsh, ose përafërsisht 937.5 mijë euro në vit pa TVSH. Vlera mujore e pagesave llogaritet në 11,250,000 lekë me TVSH. Kjo llogaritje konfirmohet edhe nga pagesat e kryera nëpërmjet thesarit dhe të listuara bazuar në të dhënat e Open Spending sipas tabelës më poshtë.
Pagesat për periudhën maj-dhjetor 2018
Pagesat për vitet 2019-2022
Detyrime të prapambetura apo penalitete të mbajtura?
Në total, vlera e pagesave të kryera për periudhën 4–vjeçare (maj 2018 – maj 2022) referuar Open Spending është rreth 416.8 milionë lekë me TVSH. Sipas kontratës vlera e pagesave me TVSH për periudhën 4–vjeçare është 540 milionë lekë. Kjo do të thotë që Bashkia Kamzë ka paguar rreth 123 milionë lekë ose përafërsisht 1 milion euro më pak se detyrimi kontraktor.
Në një artikull të mëparshëm Faktoje ka trajtuar temën e mungesës së Stacionit të Transferimit nga koncesionari Eco–Cleaning, si pjesë e kontratës. Në atë artikull kemi vendosur dhe përgjigjen e Bashkisë së Kamzës nëse janë mbajtur penalitete ndaj subjektit Koncesionar. Në përgjigjen zyrtare theksohet:
“Po, kemi aplikuar penalitete ndaj koncesionarit, për shërbime të pakryera sipas kontratës”.
Bashkia Kamzë nuk na informoi sa është vlera e penaliteteve të aplikuara.
Nga kjo analizë, vlera prej përafërsisht 1 milion euro e nënpaguar nga Bashkia Kamzë për periudhën 4–vjeçare mund të konsistojë në penalitete të mbajtura ose detyrime të prapambetura ndaj subjektit Eco Cleaning.
Ku depozitohen mbetjet e Bashkisë Kamzë dhe me çfarë çmimi
Në përgjigjen e datës 01.02.2022 të Bashkisë Kamzës, pyetjeve të Faktoje se ku depozitohen mbetjet, thuhet:
“Bashkia Kamëz nuk ka kontratë me ‘Integrated Energy B.V. SPV’ Sh.p.k., sepse i ka kaluar Koncesionarit. Nga 31.08.2017 (data kur ka hyrë në fuqi kontrata me Landfillin e Tiranës) deri në 31.05.2018 janë depozituar në vend depozitimin e mbeturinave në pronësi të Bashkisë Kamzë, nga 01.06.2018 ka kaluar me Koncesion.”
Në këtë përgjigje Bashkia Kamzë nuk dha sqarime se ku depozitohen mbetjet e grumbulluara nga Koncesionari i saj Eco–Cleaning. Pyetjes se me çfarë çmimi depozitohen mbetjet, ajo iu përgjigj:
“Nga periudha 01.06.2018 e në vazhdim, shërbimi i pastrimit dhe grumbullimit të menaxhimit të mbetjeve ka kaluar me VKB nr.87 datë 22.08.2017 dhe me kontratë nr.1107 Rep.nr.486/2 Maj 2018 shoqërisë Koncesionare ‘ALKO IMPEX GENERAL CONSTRUCTION”.
Përgjigja e datës 01.02.2022
Në këtë përgjigje, Bashkia Kamzë nuk na infomon se ku i depoziton mbetjet koncesionari Eco–Cleaning dhe as për tarifat e aplikuara për këtë shërbim.
Faktoje insistoi përsëri duke dërguar kërkesa për informacion në lidhje me këtë çështje. Në përgjigjen e datës 16.6.2022, Bashkia Kamzë informon:
“Mbetjet e Bashkisë Kamzë janë depozituar nga koncesionari, në landfillin e lncensuar për Qarkun e Tiranës, të parashikuar në kontratë, e cila është e publikuar tek Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO).”
Përgjigje e datës 16.6.2022
Landfilli i Tiranës, që menaxhohet nga “Integrated Energy BV SPV”, është landifilli që sipas kontratës ka ekskluzivitetin për depozitimin e mbetjeve të Qarkut të Tiranës. Nga këto të dhëna, rezulton se Bashkia Kamzë nuk paguan landfillin për depozitimin e mbetjeve dhe ato mbulohen nga Koncesionari Eco–Cleaning si pjesë e kontratës, brenda pagesës mujore që ky institucion kryen për koncesionarin.
Sa ton mbetje gjeneron Bashkia Kamzë?
Faktoje kërkoi informacion të detajuar për mbetjet e gjeneruara nga Bashkia Kamzë. Ky informacion është i domosdoshëm edhe për analizën që operatorët ekonomikë do të ofronin për kryerjen e shërbimit, përfshirë grumbullimin, kostot e transportit dhe ato të depozitimit, si dhe për të parë impaktin buxhetor për këtë Bashki. Kjo e rëndësishme edhe për faktin që si Qarku Tiranë dhe tashmë Bashkia Durrës, sipas kontratës koncesionare me Landfillin e Tiranës depozitojnë me një çmim prej 29 euro për ton mbetje, pa TVSH.
Në përgjigjen e datës 01.02.2022, Bashkia Kamzë përgjigjet që periudhën 1.09.2017 (datë kur hyn në fuqi kontrata me Landfillin e Tiranës) dhe deri në fund të vitit 2017, sasia e mbetjeve të grumbulluara është26,681 ton për katër muaj. Kjo përkthehet në një vlerëvjetore prej rreth 80,000 tonë mbetje. Për 5–mujorin e parë të vitit 2018 (deri kur hyn në fuqi kontrata me Eco Cleaning), Bashkia Kamzë deklaroi mbetje të grumbulluara në sasi 35,351 tonë. E përkthyer në vlerë vjetore kjo është në rreth 84.842 tonë mbetje. Mesatarisht nëse do merrnim periudhën shtator 2017–maj 2018, vlera vjetore e mbetjeve është rreth 82.709 tonë të grumbulluara në vit.
Bashkia Kamzë në përgjigjen e datës 01.02.2022 nuk dha më informacion për sasinë e mbetjeve të grumbulluara.
Përgjigja e Bashkisë Kamzë për Faktoje
Faktoje insistoi përsëri duke kërkuar sasinë e mbetjeve të grumbulluara nga Koncesionari. Në përgjigje të kërkesës tonë, në 16.6.2022, ky institucion përgjigjet se sasia vjetore e mbetjeve të grumbulluara nga Koncesionari “është përafërsisht 33 990 tonë në vit.
Përgjigja e Bashkisë Kamzë për Faktoje
Shihet qartë se sasia e mbetjeve të deklaruara të grumbulluara nga fillimi kontratës koncesionare është përgjysmuar. Kjo është një diferencë e qenësishme për të kuptuar arsyet dhe ndikimin në modelin ekonomik si të Bashkisë dhe operatorit ekonomik.
Gjetjet lenë hapësirë për investigim të mëtejshëm të këtyre diferencave, sidomos nëse kontratat e tashme apo të shkuara si për grumbullim, transportim, dhe depozitim, bëhen në bazë të sasive të deklaruara. Dhe për më tepër një diferencë e tillë ka ndikim drejtpërdrejt në analizën ekonomike të ofertës së dhënë nga koncesionari, duke qenë që ai është përgjegjës për të gjithë ciklin e menaxhimit të mbetjeve në këtë Bashki. Një sasi dy herë më e madhe mbetjesh, çka kërkon dy herë më shumë kapacitete, do dallohej normalisht nga çdo operator që ka vepruar në tëshkuarën në menaxhimin e mbetjeve të kësaj Bashkie.
Vetë Bashkia Kamzë ka qenë e ndërgjegjshme për ekzistencën e mundshme të këtyre disbalancave në sasinë e mbetjeve të grumbulluara. Në dokumentet e tenderit për dhënien në koncesion të shërbimit të menaxhimit të mbetjeve ajo është shprehur:
“Nga të dhënat e marra nga Bashkia Kamzë raportohet se në vitin 2016 janë gjeneruar 79.825 tonë mbetje në vit ose mesatarisht 218 ton/ditë. Ashtu siç është përmendur dhe më lart kjo shifër është e diskutueshme për aq kohë sa nuk ka peshore në venddepozitim, por edhe për faktin se kjo shifër mund të jetë edhe si pasojëe mbetjeve inerte të depozituara në këtë fushë.”
Pavarësisht kësaj deklarate dhe pasigurie të lartë, kur fakti tashmë deklarohet se sasia e mbetjeve të grumbulluara në vit ka rënë nga rreth 80 mijë tonë në vit në 34 mijë tonë në vit, operatori ekonomik dha ofertën e tij prej rreth 112.5 milionë lekë në vit, pa TVSH, për të përballuar si shërbimin e grumbullimit, transportimit, selektimit, dhe depozitimit të mbetjeve tëkësaj Bashkie.
Me çfarë çmimi depozitohen mbetjet e Bashkisë Kamzë?
Landifilli i Tiranës, sipas kontratës, ka të drejtën ekskluzive për depozitimin e mbetjeve të Qarkut Tiranëme çmim 29 euro për ton, pa TVSH. Ky çmim i është dhënë dhe Bashkisë Durrës. Po kështu ky landfill në kushte normale do aplikonte të njëjtën tarifë dhe për Bashkinë Kamzë. Kjo e fundit deklaron, se nuk ka kontratë me ‘Integrated Energy B.V. SPV’ Sh.p.k., sepse i ka kaluar koncesionarit.
Po me çfarë çmimi depoziton subjekti koncesionar Eco–Cleaning në Landfillin e Tiranës? Nëse marrim në konsideratë që ende nuk ka një stacion transferimi dhe selektimi të ndërtuar në Bashkinë Kamzë, vlera që koncesionari Eco–Cleaning ka kërkuar për të gjithë ciklin e menaxhimit të mbetjeve është rreth 937.500 euro, pa TVSH. Ndërkohë ky koncesionar, vetëm për të depozituar 34 mijë tonë mbetje të deklaruara në Landfillin e Sharrës me një çmim 29 euro për ton, pa tvsh, duhet të paguajë një vlerë prej 986,000 euro. Duke dalë me një humbje prej 48,500 euro në vit, pa përfshirë këtu që duhet të mbulojë dhe shërbimin e grumbullimit dhe transportimit të mbetjeve që nuk përfshihen në vlerën më lart.
Me një sasi mbetjesh prej rreth 80,000 tonë në vit sa ç’raportohet në dokumentet e tenderit, humbja për koncesionarin do të rezultonte dhe më e lartë dhe propozimi ekonomik do ishte i paleverdisshëm. Atëherë pyetja që ngrenë ekspertët e ekonomisë është: A depoziton Eco–Cleaning në Landfillin e Sharrës? Nëse po, me çfarë çmimi depoziton Eco–Cleaning në Landifillin e Sharrës?