Nga Anila Balla
Financimi i artit dhe kulturës në Shqipëri po përballet me një krizë të thellë strukturore, e cila rrezikon të dëmtojë seriozisht bazat e zhvillimit kulturor të vendit. Ky artikull analizon paradoksin e thellë midis ambicieve kulturore të vendit dhe realitetit financiar, duke u fokusuar veçanërisht në shpërndarjen aktuale të buxhetit të Ministrisë së Kulturës[1] dhe implikimet e saj për komunitetin artistik. Nëpërmjet një analize të detajuar të të dhënave buxhetore, krahasimit rajonal dhe intervistave me ekspertë të fushës, janë identifikuar problematikat kryesore të sistemit aktual të financimit bashkë disa zgjidhje konkrete për një reformë gjithëpërfshirëse. Rëndësia e kësaj analize qëndron në nevojën urgjente për të adresuar pabarazinë në akordimin e burimeve financiare, ku vetëm 2.79% e buxhetit total të Ministrisë së Kulturës dedikohet për mbështetjen e drejtpërdrejtë të projekteve artistike dhe kulturore.
Paradoksi i financimit të artit dhe kulturës në Shqipëri manifestohet në mënyrë të qartë në shpërndarjen aktuale të buxhetit të Ministrisë së Kulturës. Nga një fond total prej 4,460,000,000 lekësh, vetëm një fraksion minimal prej 2.79%, ekuivalente me 124,396,300 lekë, dedikohet për mbështetjen e drejtpërdrejtë të projekteve artistike dhe kulturore përmes thirrjes vjetore “Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore”. Ndërkohë që kjo thirrje vjetore është ndër të paktat nisma të rregullta për mbështetjen e artistëve, pasi institucionet e tjera artistike[2] nuk janë të detyruara të shpallin thirrje publike. Kjo shpërndarje e pabarabartë e burimeve financiare nxjerr në pah problemet e thella në mënyrën se si administrohet sektori kulturor në vend.
Mungesa e një strategjie efektive të menaxhimit kulturor reflektohet në raste emblematike si ndërprerja e Festivalit Ndërkombëtar të Butrintit. Pas 19 edicionesh të suksesshme, ky festival me rëndësi të veçantë kulturore u ndërpre për shkak të pamjaftueshmërisë së fondeve[3], duke demonstruar defektet strukturore në menaxhimin institucional të sektorit kulturor. Situata kompleksohet më tej nga mungesa e një databaze gjithëpërfshirëse të artistëve aktivë në vend, një vakum informacioni që pengon në mënyrë sistematike hartimin e politikave efektive dhe shpërndarjen strategjike të burimeve.
Sistemi aktual i financimit operon përmes një mekanizmi të thirrjes vjetore që shpallet në fillim të çdo viti kalendarik. Analiza e detajuar e akordimit të fondeve për periudhën 2023-2024 zbulon një trend shqetësues në menaxhimin e burimeve. Në vitin 2023, nga një fond total prej 165,120,000 lekësh u mbështetën 195 projekte artistike, ku financimi maksimal arriti në 29,000,000 lekë dhe ai minimal në 70,000 lekë. Viti 2024 shënoi një rënie të mëtejshme të mbështetjes financiare, me një buxhet fillestar prej 113,696,300 lekësh, i cili u rrit në 124,396,300 lekë vetëm pas ankesave nga komuniteti artistik.
Procesi i shpërndarjes së fondeve karakterizohet nga një mungesë transparence, ku Ministria nuk publikon paraprakisht fondin total[4] të disponueshëm për thirrjen vjetore. Të dhënat statistikore për vitin 2024 tregojnë se nga 201 projekte të mbështetura, 50 morën financim prej 500,000 lekësh dhe 49 morën 400,000 lekë, shifra që dëshmojnë për mungesën e vazhdueshme të mbështetjes së mjaftueshme financiare për projektet artistike.
Megjithëse minimal, ky buxhet dështon në krijimin e një lidhjeje organike mes projekteve të mbështetura. Pjesa dërrmuese e tyre zhvillohen në izolim të plotë, pa ndërlidhje strategjike dhe pa një vizion afatgjatë bashkërendues. Përjashtim bëjnë vetëm disa festivale e projekte të rralla që kanë arritur të krijojnë një traditë të qëndrueshme kulturore në vend.
Evidenca empirike nga terreni, mbledhur përmes intervistave me profesionistë të fushës, dokumenton impaktin e thellë të këtyre kufizimeve buxhetore në cilësinë dhe qëndrueshmërinë e prodhimit artistik. Aktorja Ermela Ruri, me një përvojë 14-vjeçare në skenën kulturore shqiptare, raporton se mbështetja institucionale rrallëherë arrin të mbulojë më shumë se 50% të kostos reale të projekteve. Në përvojën e saj specifike, një financim prej 100,000 lekësh rezultoi i pamjaftueshëm qoftë për mbulimin e qirasë së sallës së shfaqjes.
Përballë kësaj situate, artistët detyrohen të kërkojnë burime të tjera financimi, kryesisht nga sektori privat. Megjithatë, siç tregon përvoja e Rurit, përpjekjet individuale për të siguruar mbështetje nga biznesi shpesh dështojnë. Sipas saj, Ministria e Kulturës duhet të marrë një rol më aktiv në nxitjen e bizneseve për të mbështetur artin, pasi kjo përgjegjësi tejkalon mundësitë e artistëve individualë.
Regjisorja Elma Dorezi, me një portofol prej 14 shfaqjesh në tri teatrot kryesore të Tiranës dhe përvojë ndërkombëtare në Kinë, Austri dhe Rumani, ofron një perspektivë të zgjeruar të problematikës. Sipas saj, kufizimet buxhetore krijojnë një efekt domino që prek çdo aspekt të prodhimit teatror, duke filluar nga pagesa e aktorëve e deri te elementët thelbësorë si kostumografia, skenografia dhe kompozimi muzikor. Kjo situatë detyron teatrot të orientohen drejt produksioneve me kosto minimale, duke kufizuar mundësitë për eksperimentim artistik dhe konkurrim në skenën ndërkombëtare.
Mungesa e fondeve të mjaftueshme ushtron trysni të vazhdueshme mbi artistët dhe produksionet teatrore, duke i shtyrë drejt kufizimeve të konsiderueshme në shpenzime. Si rrugëzgjidhje më e shpeshtë po shfaqet tendenca për të zgjedhur vepra me pak aktorë dhe fokusimi te komeditë, në përpjekje për të siguruar të ardhura nga biletat. Por kjo zgjedhje pragmatike, edhe pse ndihmon përkohësisht, rrezikon të lërë gjurmë të thella në formimin e publikut dhe në cilësinë e përvojës artistike. Teatri i përket publikut dhe kufizimi i diversitetit artistik dëmton edukimin dhe formimin afatgjatë të shijeve të spektatorëve. Siç shprehet aktorja Ermela Ruri: “Do përfundojmë të gjithë duke bërë komedi për të tërhequr njerëzit në teatër, gjë që nuk duhet të ndodhë fare, sepse nuk mund të bëhen këto lloj ndarjesh. Njerëzit duhet të vijnë në teatër, pavarësisht nga zhanri; kur shfaqja është e mirë, ata janë aty për ty.”
Një krahasim me vendet e rajonit nxjerr në pah modele të ndryshme financimi, por edhe sfida të përbashkëta strukturore. Për shembull, Kosova ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm duke rritur buxhetin e kulturës me 31 milion euro, duke e çuar totalin në 58 milion euro[5]. Megjithatë, sipas regjisores Hana Qena, pavarësisht këtij investimi domethënës, teatri vazhdon të përballet me probleme themelore, sidomos në krijimin e mundësive të larmishme profesionale dhe në sigurimin e qëndrueshmërisë institucionale.
Në planin e bashkëpunimit kulturor, Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh që prekin fusha të ndryshme. Veçanërisht në fushën e kulturës, të dyja qeveritë kanë formalizuar angazhimin e tyre përmes memorandumeve të bashkëpunimit. Por zbatimi i këtyre marrëveshjeve shpesh karakterizohet nga ritme të ngadalta dhe pengesa burokratike. Intensifikimi i këtij bashkëpunimi merr rëndësi të veçantë jo vetëm për shkak të trashëgimisë historike të përbashkët, por edhe si një instrument i domosdoshëm për ndërtimin e një platforme kulturore të qëndrueshme që bashkon komunitetet shqiptare në të dy vendet.
Maqedonia e Veriut ka akorduar 3.7 miliard denarë (60,049,055.98 euro) për kulturën në vitin 2023[6], një investim i konsiderueshëm që synon mbështetjen e aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Megjithatë, siç konfirmohet nga raportet e Komisionit Evropian[7] dhe intervista e regjisores së pavarur me Dragana Gunin, zbatimi i strategjisë kulturore mbetet problematik, veçanërisht për skenën e pavarur artistike.
Situata në Malin e Zi paraqet një kontradiktë të dukshme mes kuadrit ligjor dhe realitetit në terren. Pavarësisht se ligji parashikon akordimin e 2.5% të buxhetit total për kulturën, aktualisht ky sektor merr vetëm 0.84% të fondeve publike[8]. Idriz Gjoka, regjisor dhe drejtori i Pallatit të Kulturës në Tuz, evidenton një centralizim të theksuar të aktiviteteve kulturore në kryeqytet dhe një mungesë sistematike të përfaqësimit të komunitetit shqiptar në projektet e financuara.
Bashkëpunimi artistik mes vendeve të rajonit përbën një element thelbësor për zhvillimin e sektorit kulturor, ku kinematografia shfaqet si shembull domethënës i suksesit të skemave të bashkëfinancimit, duke mundësuar krijimin e lidhjeve të qëndrueshme mes artistëve dhe arritjen e rezultateve të spikatura në arenën ndërkombëtare. Kjo dinamikë bashkëpunimi ka dëshmuar fuqinë transformuese të artit në promovimin e talenteve dhe në ndërtimin e një narrative të përbashkët kulturore, duke nënvizuar rëndësinë e rritjes së investimeve dhe forcimit të mbështetjes institucionale për zhvillimin e mëtejshëm të ekosistemit artistik në rajon.
Praktikat ndërkombëtare ofrojnë modele alternative të financimit që meritojnë vëmendje. Rasti i Rumanisë, ku 0.5% e fitimeve nga lojërat e fatit dedikohen për Fondin Kombëtar të Kulturës[9] tregon potencialin e diversifikimit të burimeve të financimit. Gjithashtu, suksesi i bashkëprodhimeve rajonale në fushën e kinematografisë tregon efektivitetin e bashkëpunimit ndërkufitar në tejkalimin e kufizimeve financiare lokale.
Bazuar në këtë analizë, ristrukturimi i sistemit të financimit të artit në Shqipëri është domosdoshmëri. Krijimi i një databaze gjithëpërfshirëse të artistëve aktivë, implementimi i një sistemi transparent të alokimit të fondeve, dhe zhvillimi i mekanizmave për stimulimin e investimeve private në kulturë paraqiten si hapa themelorë drejt një reforme efektive. Gjithashtu, forcimi i bashkëpunimit rajonal përmes produksioneve të përbashkëta dhe shkëmbimeve artistike ofron një rrugë të qëndrueshme për maksimizimin e burimeve të kufizuara dhe zgjerimin e horizonteve artistike.
Në përfundim, transformimi i sistemit aktual të financimit të artit në Shqipëri kërkon një qasje holistike që kombinon rritjen e transparencës institucionale, diversifikimin e burimeve të financimit, dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal. Vetëm përmes një reforme të tillë gjithëpërfshirëse mund të sigurohet qëndrueshmëria afatgjatë e sektorit kulturor dhe zhvillimi i një ekosistemi artistik vital që i përgjigjet nevojave të komunitetit krijues dhe aspiratave kulturore të shoqërisë shqiptare.
Por mbi të gjitha, arti dhe kultura duhet të shihen si një investim themelor në identitetin dhe kohezionin shoqëror të kombit. Është koha që financimi i artit të dalë nga “teatri i varfër” i buxheteve simbolike dhe të marrë vendin që i takon në agjendën e zhvillimit kombëtar, përtej thërrimeve që ministria shpërndan sot.
[1] Emërtesa deri në janar 2024 me anë të Vendimit nr. 30, Datë 17.1.2024 “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”.
[2] MK ka në varësi 9 institucione të artit dhe kulturës, siTeatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansambli Popullor, Teatri Kombëtar, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Galeria Kombëtare e Arteve, e cila ka mbyllur dyert për publikun, Bibloteka Kombëtare gjithashtu e mbyllur për publikun, Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë pa një teatër ku të zhvillojë aktivitetin, Arkivi Qendror i Filmit, Cirku Kombëtar, Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Gjithashtu, dhe 18 institucione të trashëgimisë kulturore. Nga këto institucione vetëm QKK duhet të hapë thirrje për projekt propozime, por edhe ajo gjendet prej kohësh në vështirësi për të krijuar qëndrueshmëri në hapjen e thirrjeve.
[3] https://sot.com.al/kultura/festivali-nderkombetar-teatror-i-butrintit-nuk-zhvillohet-ne-edicionin-e-i599700/
[4] https://meki.gov.al/thirrje-per-projekt-propozimet-per-artin-kulturen-dhe-trashegimine-kulturore-per-vitin-2024/
[5] https://www.koha.net/kulture/402333/rritje-buxheti-per-31-milione-euro-kopjohen-investimet-kapitale-ne-kulture
[6] https://mia.mk/en/story/kostadinovskastojchevska-ministry-of-culture-budget-reduced-compared-to-2022-commission-acted-appropriately-in-allocating-funds
[7] https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/system/files/2023-11/SWD_2023_693%20North%20Macedonia%20report.pdf
[8]https://www.culturalpolicies.net/wp-content/uploads/pdf_short/montenegro/Montenegro_Short_2022.pdf
[9] https://cms-lawnow.com/en/ealerts/2023/01/romania-introduces-new-tax-for-operators-in-the-gambling-sector#:~:text=The%20laë%20imposes%20a%200.5,gambling%20sector%20(including%20online).
Ky artikull u mundësua me mbështetjen nga skema e granteve “BAT Civil Society”, e zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në partneritet me Faktoje dhe Center for Research and Policy Making (CRPM), mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.