BallinaAktualitetMinistria e Kulturës dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore nuk bëjnë transparencë mbi 2 kontratat për Kalanë e Prezës

Ministria e Kulturës dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore nuk bëjnë transparencë mbi 2 kontratat për Kalanë e Prezës

ILDA KURTI

 

Publikimi i shkrimit të thelluar të Faktoje mbi dy studimet me vlerë prej 390 mijë dollarësh për të evidentuar dëmtimet në Kalanë e Prezës, të cilat janë financuar nga buxheti i shtetit, kanë shkaktuar debat publik. Sot në emisionin televiziv ‘Shqipëria Live’ është diskutuar rreth Kalasë së Prezës. Derimë tani asnjë përfaqësues qoftë nga Ministria e Kulturës, apo nga Instituti i Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore nuk është shprehur dhe nuk kanë bërë transparencë.

_________________________________________________

Në datën 07.09.2021 Faktoje publikoi lajmin “Kalaja e Prezës; Ekspertiza për evidentimin e dëmeve më e shtrenjtë se vlera e restaurimit”, ku është konstatuar se ekspertiza ka kushtuar më shumë se vetë restaurimi.

 

Në emisionin ‘Shqipëria Live”, u diskutua në lidhje me faktet e publikuara në shkrim.

“Futja e tenderimit në monumente është ‘Kanceri i Trashëgimisë Kulturore”- tha Auron Tare duke shtuar se “në qoftë se ne bëjmë studime me këto lloj vlerash, studime që vijnë nga jashtë, nga njerëz që ne nuk i dimë fare se kush janë… Në qoftë se ne bëjmë studime të tilla me njerëz të panjohur, me këto vlera monetare të jashtëzakonshme, dhe në qoftë se implementimi i këtyre projekteve bëhet përsëri me tender nga firma të tjera, lind pyetja: Përse ne e kemi Institutin e Monumenteve, apo Institutin e Trashëgimisë Kombëtare? Për çfarë e duam?! Sepse janë nja njëqind veta që paguhen aty. Instituti i Monumenteve është krijuar pikërisht për të bërë studimin dhe implementimin. Atëherë, nëse ty studimin ta bën dikush tjetër dhe implementim nuk bëjnë, atëherë, për çfarë i kemi?” – u shpreh Auron Tare në lidhje me IKTK.

 

Arkitektja Doriana Musai diskutoi rreth diferencave të përllogaritura nga Ministria e Kulturës në raportin e publikuar menjëherë pas tërmetit dhe dy vlerave të financuara për projektet e vitit 2020 dhe 2021. “Nëse parashikimi i buxhetit është 20 milionë lekë dhe pastaj kapërcen me disa fish, atëhere, ku ka gabuar ministria? Herën e parë apo herën e dytë?! Sepse një herë ka gabuar dhe kjo është e sigurt!

 

“Nga ana tjetër kemi një Ministri që harxhon shumë para për projekte të tipit ‘Bota Ndryshe’, ku hidhet paraja për të digjitalizuar diçka që është shkatërruar në fakt në terren. Domethënë, këtu alokimi i fondeve bëhet tërësisht me dyer të mbyllura, bëhet në mënyrë arbitrare, në mungesë përputhshmërie me realitetin, me nevojën, me pasurimin publik, dhe me vlerën. Këtu kemi një mungesë të theksuar të vlerësimit real të pasurive kulturore.” – u shpreh ekspertja arkitekturore Doriana Musai në mbyllje të argumentit të saj.

Derimë tani, nuk ka patur asnjë deklaratë për shtyp, dhe as në faqen e IKTK, as në faqen e Ministrisë së Kulturës nuk ka patur asnjë reagim për këtë çështje.

Qëndrojmë në pritje të një reagimi zyrtar nga institucionet shtetërore për të sqaruar opinionin publik.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img