JOEL ÇELA & INVA HASANALIAJ
Angazhimi në fushata elektorale të drejtuesve të ministrive ngre pikëpyetje nëse ata duhet të marrin pagën e ministrit, ndërsa janë ‘jashtë zyrës’.
Faktoje iu drejtua zyrtarisht 9 ministrive, përfshirë edhe kryeministrinë për të mësuar sesi e kanë justifikuar mungesën në detyrë gjatë muajit elektoral, sidomos ata që kandidonin në qarqe larg Tiranës. Një pjesë e institucioneve konfirmuan se në periudhën 25 mars-25 prill ministrat nuk kanë marrë leje vjetore apo urdhëra shërbimi, përfshirë edhe Ministrin e Brendëshëm Bledi Çuçi që kandidoi në Gjirokastër dhe e delegoi detyrën tek vartësit.
……………………………….
Më 23 mars 2021, vetëm dy ditë përpara nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi firmosi urdhërin nr.188 për delegimin e kompetencave tek një nga zëvendësministrat e tij.
“Kam bërë një urdhër delegimi pasi ka filluar fushata dhe nuk dua që të jem në fushatë dhe të bëj sikur jam ministër, ndërkohë që ka zëvendësministra, ka kushtetutë, ka ligje që e lejojnë këtë gjë. Unë jam 100% i angazhuar në fushatë”-tha zoti Çuçi pak ditë më pas gjatë një interviste në emisionin “Top Talk”.
Kandidati Çuçi u zhvendos gjatë muajit elektoral në Gjirokastër, ku drejtoi fushatën e Partisë Socialiste në këtë qark. Nisma e ministrit u vlerësua nga publiku dhe diplomatët e huaj në Tiranë si një model pozitiv për të siguruar distancën e duhur të zyrtarit në “kostumin” e kandidatit nga pushteti i ministrit më të rëndësishëm në kabinetin qeveritar.
Kjo ndarje e pushtetarëve nga përdorimit i burimeve shtetërore në zgjedhjet e 25 prillit ishte në fakt një nga shqetësimet kryesore të opozitës shqiptare. PD dhe LSI përdorën denoncimet e zgjedhjeve të mëparshme, të materializuara për opinionin publik me përgjime konkrete të zyrtarëve të lartë socialistë në dosjet 184 dhe 339, të lidhura me zgjedhjet në Dibër dhe Shijak, për të kushtëzuar kufizime strikte për përdorimin e burimeve shtetërore dhe presioneve që mund të bëheshin ndaj administratës shtetërore në zgjedhjet e 25 prillit.
Bazuar mbi marrëveshjen politike të 5 qershorit 2020, Kodi i ri Zgjedhor përcaktoi ndalime të rrepta për zhvillimin e përurimeve të veprave publike në periudhën 4 mujore para zgjedhjeve nga ministrat dhe zyrtarët e tjerë, si dhe forma të tjera të shfrytëzimit të aseteve publike apo që mund të përkthehen në përfitime elektorale. Kufizimet u shoqëruan me një sërë detyrash të reja kontrolluese nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i veprimtarisë publike të ministrave dhe zyrtarëve të tjerë qendrorë dhe lokalë.
Ministrat kandidatë në zgjedhje
Rasti i ministrit Çuçi, që kandidonte për PS dhe drejtonte fushatën zgjedhore të mazhorancës në 25 prill, është i ngjashëm me 15 anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar. Mes tyre, nëntë ministra ishin kandidatë dhe të përfshirë në fushatën e partisë në qarqe larg Tiranës.
Anëtarët e kabinetit Kandidatë në qarkun
Kryeministri Edi Rama Vlorë
Zv. kryeministri Erion Braçe në Fier
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi Korçë
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi Gjirokastër
Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka Korçë
Ministrja e Financave Anila Denaj Vlorë
Ministrja e Arsimit Evis Kushi në Elbasan
Ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi Durrës
Ministri i Turizmit Blendi Klosi Berat
*Lista e ministrave që kandiduan në qarqe të ndryshme në zgjedhjet e 25 prillit
Gjatë muajit prill dhe kryesisht në dy javët e fundit para zgjedhjeve, këta kandidatë u shfaqën publikisht në takime zgjedhore gjatë ditëve të javës dhe orarit zyrtar të punës.
Por si i justifikuan ditët e ‘mungesës’ në ushtrimin e detyrës, ministrat që paguhen me paratë e taksapaguesve?
Më 14 prill 2021, në mesin e fushatës për zgjedhjet për kuvendin e ri, Faktoje i dërgoi kërkesë për informacion të gjitha ministrive, me pyetjen nëse ministrat kishin marrë leje gjatë muajit elektoral, apo nëse kishin lëvizur në qytete të tjera me urdhra shërbimi.
Kërkesa dërguar ministrive më 14 prill 2021
Nga 15 ministri, të cilave iu dërgua kërkesa, vetëm 8 prej tyre kthyen përgjigje, ndër të cilat Ministria e Brendshme me titullar Bledi Çuçin, kandidat për deputet në Gjirokastër, Ministria e Arsimit, drejtuar nga Evis Kushi, kandidate në Elbasan, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me titullare Milva Ekonomin, Kandidate në Durrës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, drejtuar nga Anila Denaj kandidate në Vlorë, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të drejtuar përkatësisht nga Niko Peleshi dhe Olta Xhaçka, kandidatë për deputetë në qarkun Korçë.
Të gjitha ministritë që kthyen përgjigje, sqaruan se ministrat në fjalë, gjatë muajit prill nuk kishin kërkuar/marrë leje vjetore dhe as nuk ishin pajisur me urdhëra shërbimi për udhëtime jashtë Tiranës.
Përgjigjja e Ministrisë së Brendshme pas kërkesës për informacion
Përgjigjja e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, prill 2021
Përgjigjja e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pas kërkesës për informacion
Përgjigjja e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë pas kërkesës për informacion
Përgjigjja e Ministrisë së Mbrojtjes pas kërkesës për informacion
Përgjigjja e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme pas kërkesës për informacion
Ministrat në ‘detyrë’ raportojnë aktivitete elektorale
Në raportin zyrtar mbi aktivitetet e ministrive, (për periudhën që përkon me muajin elektoral) të cilit i referohet edhe Akademia e Studimeve Politike, takimet elektorale rezultojnë pas orarit zyrtar.
Tabela me aktivitetet e raportuara nga insitucionet publike gjatw muajit (elektoral) prill 2021
Sipas kryeministrit Rama gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit u organizuan mbi 400 takime elektorale, ku po sipas raportit monitorues të Akademisë së Studimeve Politike, rezultuan ndër të tjera edhe shkelje të nenit 92 pika 1 të Kodit Zgjedhor mbi përdorimin e burimeve publike në fushatë.
Përshembull përdorimi i mjeteve të zyrës së ministrit në fushatë rezultoi në rastin e zotit Çuçi, i cili edhe pse i pezulluar nga kjo detyrë për shkak të angazhimit në fushatë, lëvizte me autmjetin tip BMW të institucionit, i cili shfaqet në filmimet e ditës së votimeve në 25 prill, gjatë një incidenti të shënuar në Memaliaj, ku siç u raportua nga mediat u përfshinë edhe anëtarë të stafit të tij ministror.
Neni 92 pika 1 e Kodit zgjedhor (i përditësuar)
Duke u rikthyer tek mungesa në detyrë e ministrave, për shkak të angazhimit në fushatën e zgjedhjeve, vërejmë se në bazë të numrit të aktiviteteve të raportuara nga institucionet përgjatë muajit prill, Kryeministria spikat me një numër disafish më të lartë aktivitetesh (përfshië edhe ato elektorale), në raport me institucionet e tjera. Në vend të dytë, pas kryeministrit renditet Ministria e Financave dhe Ekonomisë me 149 aktivitete të raportuara. Në detajimin e aktiviteteve të kësaj ministrie, vihen re dhe takime elektorale të zhvilluara në qarkun Vlorë ku kandidoi zonja Denaj edhe gjatë ditëve të punës.
Lista e aktiviteteve të raportuara sipas institucuoneve, burimi KQZ
Faktoje ka denoncuar gjatë fushatës të disa ministrave në organizimin e takimeve. Për të zbuluar koston e shfrytëzimit të burimeve të administratës nga ministrat kandidatë, është pak më e vështirë, por Faktoje provoi të hidhte dritë mbi një anë tjetër të medaljes së fushatave.
Nëse kryeministri dhe ministrat kandidatë, kanë qenë jashtë zyrës gjatë muajit të fushatës, a duhet ta paguhen si titullarë të institucionit?
Faktoje ua dërgoi këtë pyetje përmes një kërkese për informacion të gjitha ministrive titullarët e të cilëve kandiduan jashtë Tiranës dhe sigurisht edhe kryemnistrisë.
*Kërkesa dërguar zyrës së kryeministrit
*Kërkesa dërguar Ministrisë së Financave
*Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Brendshme
*Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Mbrojtjes
Pas dërgimit të kësaj kërkese, në datën 23/11/2021 në redaksinë e Faktoje mbërriti një telefonatë nga një person që u prezantua vetëm si përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes, por që refuzoi të identifikohej. Gjatë bisedës ai pretendoi se kërkesat për informacion që Faktoje kishte dërguar në lidhje me pagën e ministrave, ishin ‘të porositura’ nga parti të caktuara politike.
Nga ministritë që kthyen përgjigje zyrtare, na rezulton se ministrat janë paguar rregullisht edhe gjatë muajit prill edhe pse duke mos u paraqitur në detyrë për ditë të tëra. Për fat të keq, deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje nga Kryeministria si dhe Ministria e Brendshme, e pavarësisht se është tejkaluar afati ligjor.
Screenshot i përgjigjes nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë
Screenshot i përgjigjes nga Ministria e Mbrotjes
Screenshot i përgjigjes nga Ministria e Turizmit
“Ministrat në fushatë” nuk duhet të shpenzojnë nga buxheti
Faktoje komunikoi me Edvin Kullurin -ish sekretar i pergjithshem i Ministrisë së Mbrojtjes, për të mësuar nëse ka ndonjë pengesë ligjore/proceduriale që një ministër të angazhohet edhe në ditët e punës në fushatë.
“Mendoj se nuk përbën problem pasi paguhet për punën e ministrit dhe ndërkohë është deputet. Nuk ka pasur ndonjëherë pengesë mesa di unë Ajo që nuk duhet harruar, është detyrimi që shpenzimet nga buxheti i shtetit për fushatën duhet të jenë zero. Nëse ministrat udhëtojnë me makinat e shtetit për fushatë atëherë karburantin duhet ta paguajnë vetë” -shpjegon Z. Kulluri.
Përdorimi i burimeve shtetërore në fushata duket se do të mbetet një problem i vështirë për t’u trajtuar vetëm me kufizime ligjore edhe në zgjedhjet e ardhshme. Kjo sepse, siç tregon përvoja e këtyre tri dekadave, zyrtarët gjejnë gjithnjë hapësira në zbatimin e ligjeve apo mënyra të tërthorta për të përfituar vota. Transparenca dhe vëmendja e shtuar e publikut mbi mënyrën se si përdoren burimet shtetërore, do të mund të krijojë presionin e duhur për çdo pushtetar dhe institucion të pavarur kontrollues.
Tri ditë pas publikimit të artikullit të Faktoje, Ministria e Brendshme dërgoi përgjigjen e kërkesës për informacion duke konfirmuar se Ministri Çuçi është paguar gjatë periudhës që përkon me muajin elektoral. Ky institucion po ashtu informon se gjatë periudhës së fushatës zgjedhore ministri ka deleguar detyrën e tij duke e cilësuar këtë gjest si një akt moral, ndonëse sipas ligjit (që citohet në përgjigjen zyrtare) nuk ka ndonjë pengesë.
*Përgjigjja nga Minsitria e Brendshme për Faktoje.al
*Ky artikull u mbështet nga projekti “Forcimi i Transparencës së Zgjedhjeve në Shqipëri” (SETA), financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë dhe Aksioni i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”.
*Shënim: Informacioni mbi Ministrinë e Brendëshme dhe përgjigjen nga ky institucion ësht shtuar në datën 12/16/2021, datë kur përgjigjja ka mbërritur përmes shërbimit postar në zyrate Faktoje.al