ILDA KURTI
Xhamia në Kalanë e Prezës, edhe pse u prek nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, nuk rezultoi të ishte pjesë e listës së parë të monumenteve të kulturës që duhet të restaturoheshin. Në një moment të dytë, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore e futi këtë objekt në listën e monumenteve të kulturës, dhe shpenzoi 22.000.000 lekë vetëm për të kryer studimin e saj. Studim i cili kryhet në harkun kohor të 21 ditësh kalanderike. Faktoje, verifikoi se në rastin e Kalasë se Prezës, janë shkelur procedurat e tenderimit nga IKTK, ku gara është quajtur e drejtë me 1 kandidat. Agjencia e Prokurimit Publik dhe IKTK kanë refuzuar në mënyrë të përsëritur të bëjnë transparencë mbi këto kontrata që bëhen në emër të Xhamisë në Kalanë e Prezës, e cila nuk ndodhet në listën e monumenteve të dëmtuara nga tërmeti dhe që vijon të jetë e hapur për praktikantët e saj.
Isuf Kaziu, i moshuari që përkujdesej vullnetarisht për mbarëvajtjen e Xhamisë në Prezë, pak para se të thërriste ezanin për faljen e drekës, na shoqëroi në ambientet e brendshme të Xhamisë.Aty na drejtoi drejt murit jugor të objektit, ku shiheshin disa krisje të suvasë. Ai na rrëfeu se Xhamia kishte qëndruar gjithmonë e hapur për besimtarët dhe ritet fetare kishin vijuar të zhvilloheshin si gjithmonë. Të mërkurave madje zhvillohej një takim me gra dhe vajza që mësonin Kuran dhe faleshin.
Vlera e kontratës së Xhamisë
E ndërsa, besimtarët vijojnë të pashqetësuar jetën e tyre pranë xhamisë në Prezë, e cila ka shenjat e tërmetit në muret e saj, zyrtarët e lartë të IKTK kanë vendosur në buxhetin e vitit 2021 të kryejnë një studim të shpejtë me vlerën prej 22.000.000 lekë. Pas përfundimit të këtij studimi, Faktoje ka verifikuar në terren se nuk ka gjurmë restaurimi dhe në buxhet nuk është kryer buxhetimi i restaurimit për këtë objekt.
Projekti me kodin 19AD708 përfshin studimin për Xhaminë e Prezës dhe ka kushtuar 22.000.000 lekë. Kjo kontratë është lidhur në datën 06.05.2021-26.05.2021, dhe ka patur vetëm 21 ditë kalendarike në dispozicion (15 ditë pune) për kryerjen e studimit të thelluar.
Nëse kthehemi pas në kohë dhe verifikojmë listën e monumenteve të dëmtuara sipas Ministrisë së Kulturës, do të shohim se tek “Raporti mbi dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019 në objekte dhe zona të trashëgimisë kulturore”, i cili është i aksesueshëm në faqet 13-14 të tij, në linkun e publikuar nga Porta Vendore. Sipas këtij raporti, zëri ‘Prezë’ del vetëm një herë, specifikisht kështu: Kalaja e Prezës (Kulla e Sahatit dhe Kulla verilindore) Prezë – dhe vlera totale për rimëkëmbje është përllogaritur në 20,000,000 lekë.
Është e paqartë se pse Ministria e Kulturës e ka gjykuar të arsyeshme që të krijojë një kontratë të re studimi vetëm për Xhaminë e Prezës, e cila ka qenë e palistuar si objekt i dëmtuar nga tërmeti dhe që shifra për studimin e saj të tejkalojë me 2.000.000 lekë më shtrenjtë edhe projektin për rimëkëmbjen e vetë Kalasë.
Faktoje dërgoi një Kërkesë për Informacion pranë Ministrisë së Kulturës, ku kërkuam që të njihemi me Vendimin me Nr. 478, datë 09.12.2020, të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale.
Vendimi Nr. 478, datë 09.12.2020, KKTKM.
Sipas këtij vendimi, KKTKM vendosi: “Miratimin e propozimit të ndryshimit të projekteve, në kuadër të procesit të rindërtimit, për objektet e kontratës të shërbimeve: Nr. 181/11 Prot., datë 09.10.2020 për ‘Hartim Projekti ‘Plani i konservimit, ndërhyrje përforcuese dhe restauruese në 5 objekte pasuri kulturore “zëvendësimi i Kullës së Sahatit dhe Kullës Verilindore” me objektin “Xhamia në Kalanë e Prezës”.
Pra, nga kontrata e vitit të mëparshëm, miratohet ndryshimi i objektit. Megjithatë, , por në buxhetin e vitit 2021 vijohet financimi i një kontrate të re, duke mos e ndryshuar kontratën e parë, por duke vijuar me procedurë të re prokurimi në vitin 2021 dhe një kontratë të re.
Përgjigje zyrtare për Faktoje nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij. Datë: 20.07.2021
Organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij, në një deklaratë për Faktoje, ka pohuar se përpara nisjes së punimeve restauratore është kryer hartimi i projektit të restaurimit për Kalanë e Prezës në periudhën korrik-dhjetor 2020. Pra, këtij subjekti i janë nevojitur 6 muaj për të bërë hartimin e projektit, një diferencë tepër e madhe me projektin e financuar nga Fondi i Rindërtimit, ku për studimin e vitit 2020 janë lënë në dispozicion 75 ditë kalendarike, ndërsa për projektin e vitit 2021 vetëm 21 ditë kalendarike.
Objektet në Kalanë e Prezës – Agjencia e Prokurimit Publik, kërkon që për çdo proces tenderimi edhe konsulence të jenë të paktën 2 kandidatë.
Instituti Kombëtar i Tashëgimisë Kulturore, në rastin e objekteve në Kalanë e Prezës, ka vendosur të eci me 1 kandidat. Në asnjërën nga faqet zyrtare të këtyre dy institucioneve publike nuk gjendet informacioni i kërkuar, i cili është kusht për transparencë.
Faktoje shqyrtoi dokumentat standarde të tenderit të dërguara dhe të publikuara nga IKTK në lidhje me kontratën për hartimin e projekteve për ndërhyrje në objektet e dëmtuara. Lloji i procedurës së prokurimit të përdorur në përzgjedhjen e fituesve për këto kontrata ka qenë “Shërbime Konsulence”.
Ndonëse është e njëjta situatë për të gjitha procedurat e lartpërmendura, Faktoje në këtë artikull po fokusohet në kontratën “Hartim “Plani i Konservimit, Ndërhyrje Përforcuese dhe Restauruse në 5 objekte pasuri kulturore“, të firmosur në vitin 2020 dhe ku një nga objektet e saj është pikërisht Kalaja e Prezës.
Rezulton se nga të dhënat e Agjencisë së Prokurimit Publik, njoftimi i fillimit të procedurës është bërë në Buletinin nr. 64, datë 08.09.2020. Lloji i procedurës është “Shërbime Konsulence”.
Po nga të dhënat e APP, në Buletinin nr. 94, datë 02.11.2020, është bërë njoftimi i lidhjes së kontratës me operatorët fitues për këtë procedurë. Data e lidhjes së kontratës është 09.10.2020.
Faktoje iu referua dokumentave standarde të tenderit për këtë procedure, e cila duke qenë “Shërbim Konsulence” zhvillohet në dy faza. Nga DST të publikuara rezulton se IKTK ka theksuar që “Në përfundim të kësaj faze, kandidatët e kualifikuar përfshihen në një listë të shkurtër, e cila duhet të përmbajë të paktën 1 (një) kandidatë.”
Faktoje kërkoi dhe gjeti në faqen e APP formatin standard që duhet perdorur për këtë lloj procedure nga autoritetet kontraktore. Dokumentat standarde të publikuara nga APP shprehen ndryshe në lidhje me numrin minimal të kandidatëve që duhet të kualifikohen në fazën e dytë. Në to thuhet: “Në përfundim të kësaj faze, kandidatët e kualifikuar përfshihen në një listë të shkurtër, e cila duhet të përmbajë të paktën 2 (dy) kandidatë.”
Dokumentat Standarde të Procedurës Shërbime Konsulence, Agjencia e Prokurimit Publik
Faktoje i është referuar qëndrimit të Agjencisë së Prokurimit Publik në lidhje me këtë çështje. Në njoftimin zyrtar të këtij institucioni ndaj të gjithë autoriteve kontraktore, shprehet se për procedurën “Shërbime Konsulence”, sipas legjislacionit të prokurimit publik “në fazën e parë të kësaj procedure prokurimi kërkohen minimalisht 2 (dy) kandidatë”. Ndryshimi i kërkesave standarde nuk mund të bëhet nga autoriteti kontraktor. Procedura e zgjedhur “Shërbim Konsulence” kërkon që në fazën e dytë të jenë minimalisht dy kandidatë të kualifikuar, dhe jo një, siç ka kërkuar IKTK për këtë prokurim.
Kjo dukuri është vënë re në të gjitha DST për të gjitha procedurat e prokurimit për hartimin e projekteve të ndërhyrjeve restauruese dhe për të cilat është përzgjedhur procedura “Shërbime Konsulence”.
Në lidhje me këto procedura prokurimi nga IKTK, Faktoje dërgoi kërkesë zyrtare në APP, ku ndër të tjera kërkonim të dinim për këto kontrata: “Fondin limit, termat e referencës, llojin e procedurës, numrin e pjesëmarrësve në tender, fituesit dhe dokumentat e tenderit.”
APP na referoi tek Buletinët e publikuar, tek të cilët gjetëm njoftimet e fillimit të procedurës dhe njoftimin e lidhjes së kontratës, pasqyruar më lart. Për më tepër APP u shpreh: “Bashkëlidhur gjeni materiale nga regjistri i realizimit për vitet 2020 dhe 2021 nga AK Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), përsa i përket objekti i prokuruar, fondi limit, vlerën e kontratës për një informacionin më të detajuar duhet t’i drejtoheni Institutit Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK).” E njëjta Kërkesë për Informacion është dërguar tek IKTK, dhe edhe pas referimit nga ana e APP, IKTK nuk u është përgjigjur pyetjeve konkrete, por është mjaftuar duke na dërguar tek faqja e tyre në internet.
Nga shqyrtimi i materialeve të dërguara nga APP për procedurat e prokurimit nga IKTK rezultoi se procedurat e prokurimit për kontratat e hartimit të projekteve nuk janë të reflektuara në regjistrin elektronit të APP. Më poshtë 1 nga 5 screenshot-et e dërguara nga APP.
Po kështu, Faktoje i është drejtuar faqes së IKTK në sektorin e prokurimeve, nga ku gjetëm Regjistrin e Realizimeve të Prokurimeve për vitin 2020. Ky regjistër është pasqyruar më poshtë.
Nga shqyrtimi rezultoi se në Regjistrin e Realizimeve për vitin 2020 nuk janë reflektuar asnjëra prej procedurave të prokurimit publik që janë zhvilluar për hartimin e projekteve restauruese të zhvilluara në atë vit nga ky autoritet kontraktor.