Shqipëria ka shpenzuar 91.3 milionë euro dhe 547 milionë lekë nga viti 2014 deri në vitin 2021 për ndërtimin e 14 impianteve të përpunimit të ujërave të zeza. Pavarësisht shifrave bregdeti shqiptar, nga veriu dhe në jug, vazhdon të vuajë fenomenin e ndotjes nga derdhja e ujërave të zeza. Ministrit Klosi ka premtuar disa herë gjatë viteve ndaljen e derdhjeve të ujërave të zeza në det, por kjo veprimtari edhe pse e ndaluar me ligj, ndodh edhe gjatë sezonit turistik 2021. Nga verifikimi në terren në plazhet e Shëngjinit, Durrësit, Vlorës, Orikumit duket qartazi që ujërat e zeza shkarkohen në det, në ditën me diell.
Ekspertët i ektiketojnë si “bomba” ekologjike, jo vetëm për shëndetin e njerëzve, por dhe se reflektohen në dëmtimin e florës dhe faunës së bregdetit.
Raporti i fundit zyrtar për cilësinë e ujrave detare nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit tregon se, faktori kryesor i ndotjes së ujrave bregdetarë të larjes, mbeten shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara.
—
Shqipëria ka shpenzuar 91.3 milionë euro dhe 547 milionë lekë nga viti 2014 deri në vitin 2021 për ndërtimin e 14 impianteve të përpunimit të ujrave të zeza. Pavarësisht shifrave bregdeti shqiptar, nga veriu dhe në jug, vazhdon të vuajë fenomenin e ndotjes nga derdhja e ujërave të zeza.
*Të dhënat e tabelës nga AKUM
“Objektivat kyç për sezonin turistik, siguria dhe pastërtia” kjo është deklarata e Ministrit të Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi në datën 14 maj 2021 pak përpara nisjes së sezonit turistik. Sipas Klosit, disa nga detyra specifike në kuadër të përgatitjes së sezonit turistik janë ruajtjen e sigurisë gjatë sezonit turistik, pastrimi i plazheve dhe krijimi i lehtësirave në lëvizjen e turistëve për të patur sezon turistik të qetë të mbrojtur dhe të pastër.
Megjithatë, në kuadër të paspastërtisë së plazheve ky nuk është premtim i parë që ministri Klosi ka bërë për të paktën tre vitet e fundit. Gjatë një interviste në emisionin “Arena” në 13 qershor 2018 Ministri përsëriti vazhdimisht se qytetet bregdetare janë të pastra dhe derdhjes së ujërave të zeza në det u është dhënë fund.
Impiantet në Shqipëri, insitucionet japin përgjigje të ndryshme
Derdhja e ujërave të zeza në det ndalohet specifikisht në ligjin “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, konkretisht neni 67, por zbatimi i legjislacionit vazhdon të vihet në pikëpyetje.
*Ligji për shkarkimin e ujrave të ndotura në zona urbane
Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ku ndër të tjera pyetet dhe se cilat janë zona që vuajnë ende derdhjen e ujërave të zeza në det.
*Kërkesa dërguar Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit
Për kërkesën e mësipërme Faktoje nuk ka marrë ende një përgjigje zyrtare edhe pse afati ligjor me 10 ditë pune ka kaluar tashmë.
E njëjta kërkesë iu dërgua dhe Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës që ishte institucioni i parë, i cili na njohu me disa nga investimet kryesore për impiantet e përpunimit të ujërave të zeza në vendin tonë.
*Lista e dërguar nga Ministria e Energjisë
Sipas të dhënave të dërguara nga kjo ministri, prej vitit 2014 deri në vitin 2021 janë ndërtuar vetëm katër impiante të përpunimit të ujërave të zeza.
Ndërkohë që një tjetër instutucion, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta, na vuri në dipspozicion një tjetër listë për sa i përket investimeve për të impiantet e përpunumit të ujërave të ndotura. Lista e dërguar nga AKUM përmban 14 impiante ku mësuam se: dy janë ende në ndërtim, ndërsa ai i Orikumit ka përfunduar, por pritet ende të lidhet me sistemin e kanalizimeve.
*Përgjigjja nga AKUM
*Përgjigjja nga AKUM
Pas përgjigjeve, Faktoje nisi vëzhgimin në terren për të parë se si është situata në zonat bregdetare në kulmin e sezonit turistik.
Shëngjin
Edhe pse me një impiant që ka kushtuar 4.9 milion euro në Shëngjin derdhja e ujërave të zeza, vijon bëhet në det. Diçka e tillë ishte e dukshme në hyrje të shëtitores, fare pak metra larg vendit ku pushonin turistët.
*Mbetje shkarkimesh të ujërave të zeza dhe mbetje të tjera plastike 12/07/2021
*Ngjyra e ujit tregon qartë se çfarë lloj mbetjesh shkarkohen në këtë zonë 12/07/2021
Çfarë thotë bashkia?
Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion bashkisë Lezhë përmes të cilës pyetëm bashkinë nëse ka dijeni për pika derdhjesh të ujërave të zeza në bregdetin e Shëngjinit. Në përgjigjen e tij ky institucion mohon të ketë pika të derdhjes së ujrave të zeza.
*Përgjigjja e bashkisë Lezhë
Durrës
Qyteti bregdetar më i madh në vend, vijon ende të vuajë problematikën e shkarkimit të ujërave të ndotura në det. Në shëtitorën ‘Taulantia’ në Durrës një tub shkarkonte vazhdimisht ujëra të ndotura, fare pranë zonës ku qytetarët pushonin apo peshkonin. Aktualisht Durrësi ka në funksion dy impiante të përpunimit të ujërave të zeza, një zonën e Hamallajt dhe një në zonën e Porto Romanos, me një investim me vlerë 11.1 milion euro.
*Shëtitorja ‘Taulantia’ 13/07/2021
*Tubi i shkarkimit 13/07/2021
*Tubi i shkarkimit 13/07/2021
*Pushuesit fare pak larg nga vendi ku shkarkohet tubi 13/07/2021
Çfarë thotë bashkia?
Edhe në rastin e qytetit Durrësit, Faktoje nëpërmejt kërkesës për informacion pyeti bashkinë nëse ka dijeni për pika të derdhjes së ujërave të ndotura në bregdetin e këtij qyteti, por edhe në këtë rast bashkia mohoi të ketë derdhje ujërash të zeza në det.
*Përgjigjja e bashkisë Durrës
Klaudio Hyseni, drejtues ekzekutiv i qendrës “Durrësi Aktiv” konfirmoi për Faktoje se shkarkimi i ujërave të zeza në shëtitoren Tualantia është një fenomen i mbartur në vite.
“Shkarkimi i ujërave të zeza përgjate Shëtitores “Taulantia” vazhdon prej dekadash dhe sot që flasim, nuk ka marrë një zgjidhje përfundimtare“
Sipas tij, janë bërë disa investime nga ana e Ujësjellës Kanalizime Durrës për derdhjen e ujërave të shiut në det, por këto ujëra bashkohen me ujërat e zeza dhe nuk bëjnë trajtimin e ujërave të papërpunuara, që në kushte normale duhet të shkonin në impiantet e depurimit të ujërave të zeza.
“Kjo situatë përbën një “bombë” ekologjike për mjedisin e qytetit, kjo reflektohet në dëmtimin e florës dhe faunës së bregdetit. Një fatkeqësi që diskutohet akoma për shkarkimin e ujërave të zeza në det, është e pafalshme. thotë Hyseni.
Ai përfundon duke bërë një thirrje për të gjithë pushuesit : “Një këshillë për të gjithë pushuesit, që të lahen sa më larg stacioneve të pompimit ose të shkarkimit të ujërave të zeza”.
Pjesë nga raporti i “Eco Albania”
Në Raportin e Cilësisë së ujërave sipërfaqësore në zonën e ish-Kënetës në Durrës të bërë në vitin 2021 nga “Eco Albania’, thuhet se është bërë një vlerësim i cilësisë së ujërave të sistemit të kanaleve të bonifikimit të zonës së ish-Kënetës, të cilët kanë rezultuar të një cilësie “të keqe”. Raporti thekson se për shkak të shkarkimit të ujërave të zeza, rezultatet tregojnë një ndotje të moderuar edhe të plazheve në veri dhe në jug të portit të ri të hidrokarbureve në zonën e Porto-Romanos.
Vlorë
Në qytetin e Vlorës impianti prej 2.7 milionë euro është funksional, sipas të dhënave nga AKUM, por në shëtitoren e Lungomares “Faktoje” gjeti disa pika të derdhjes së ujërave të zeza. Qytetarët vlonjatë shprehen se krahas problematikës shëndetësore, kjo është edhe diçka që e dëmton turizmin.
“Po mos të jenë këto pika shkarkimi, patjetër që do ishte më mirë. Ne jemi pensionist dhe dalim çdo ditë shëtitje këtu” -tha N.K 67 vjeç.
*Pikë shkarkimi ujërash të zeza në shëtitoren Lungomare 15/07/2021
*Pikë shkarkimi ujërash të zeza në shëtitoren Lungomare 15/07/2021
*Fëmijë duke u larë pranë pikës ku shkarkohen ujërat e zeza 15/07/2021
Çfarë thotë bashkia?
Pasi dërguan të njëjtën kërkesë për informacion, edhe bashkia e Vlorës mohon se përgjatë bregdetit derdhen ujëra të zeza, duke specifikuar se këto ujëra që derdhen janë të bardha.
*Përgjigjja e bashkisë Vlorë
Ajo që bie në sy në përgjigjen e bashkisë Vlorë është fakti se brenda të njëjtit dokument ky institucion pohon se pavarësisht pasjes së një impianti, trajtimi i ujërave bëhet në një nivel 40-45% të tij.
Një raporti i Agjensisë Kombëtare të Mjedisit për cilësinë e ujërave për vitin 2020, e cilëson Plazhin e Vlorës me përmbajtje mikrobiologjike.
*Pjesë nga raporti I AKM për vitin 2020
Orikum
Për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujit të ndotur në Orikum, janë shpenzuar 2.3 milion euro. Sipas AKUM dhe Ministrisë së Energjitikës, pritet që impianti të lidhet me sistemin e kanalizimeve dhe deri në atë ditë qytetarët dhe vizitorët duhet të përballen me këto pamje.
*Pikë shkarkimi ujërash të zeza në shëtitoren e Orikumit 15/07/2021
*Pikë shkarkimi ujërash të zeza në Orikum 15/07/2021
*Pikë shkarkimi ujërash të zeza në Orikum 15/07/2021
*Pikë shkarkimi ujrash të zeza në Orikum 15/07/2021
PALASË
Në plazhin e Palasë, sipas verifikimit të Faktoje nuk duken derdhje të ujërave të ndotura në det. Aktualisht, të gjitha hotelet, baret dhe restorantet që janë ndërtuar në këtë zonë funksionojnë me gropa septike. Edhe në rastin e rezidencave dhe godinave të reja që po ndërtoheshin, mësuam se askush nuk kishte dijeni për impiantin, ndaj sistemi i derdhjes së ujërave të zeza do të funksiononte po përmes gropave septike.
*Kantier ndërtimi në zonën e Palasës 15/07/2021
*Kantier ndërtimi në zonën e Palasës 15/07/2021
“Ne nuk kemi asnjë informacion për impiantin që pritet të ndërtohet. Nuk dimë deri tani është se po ndërtohet asnjë sistem, i cili do të lidhë godinat me ndonjë impiant”- shpreh një nga punonjësit e terrenit në këtë kantier.
Sipas listës së dërguar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe e Mbetjeve të Ngurta, për zonën e bregdetare Dhrale-Palasë, është ndërtuar një impiant për trajtimin e ujit të ndotur, me një buxhet 138.7 milionë lekë.
Himarë
Aktualisht Himara ka në përdorim vetëm një impiant për trajtimin e ujërave të ndotura, i cili ka një kapacitet mbulues për 1500 banorë/në ditë, që në mesin e sezonit turistik dhe me fluksin e turistëve është i pamjaftueshëm
Përveç këtij impianti, të dhënat nga AKUM tregojnë se një tjetër është në ndërtim, i cili do të ketë një kapacitet mbulues për 3000 banorë/ditë. Nga vëzhgimi i Faktojes, nuk arritëm të gjenim derdhje të ujërave të zeza në det.
*Shëtitorja e Himarës 15/07/2021
Çfarë thotë bashkia?
Bashkia e Himarës është e e vetmja bashki, e cila ka pranuar problematikën e trajtimit të ujrave të ndotura që derdhen në det në masën 100%.
Pas kërkesës që dërguam në këtë bashki, Shërbimi i Ujësjellës Kanalizime në këtë qytet nga informoi se pavarësisht se aktualisht është një impiant i trajtimit të ujërave të ndotura në zonën Palasë, që përfshin fshatrat turistik, një pjesë e bizneseve dhe hoteleve e bën trajtimin e ujërave të zeza përmes gropave septike dhe pastrami bëhet individualisht. Po ashtu, në të njëjtën përgjigje ata na informuan se këto sisteme i shkarkojnë ujërat e ndotura në zonën përreth.
*Përgjigjja e bashkisë Himarë
Çfarë thonë raportet dhe ekspertët?
Lidhur me këtë çështje Prof.Dr. Aleko Miho nga departamenti i Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në UT, shprehet se nëse ujërat e zeza nuk trajtohen si duhet, atëherë mjedisi dhe shëndeti i njeriut mund të ndikohen negativisht. Këto ndikime mund të përfshijnë dëmtimin e popullatave të peshkut dhe jetës së egër, pakësimin e oksigjenit, mbylljet e plazheve dhe kufizime të tjera në përdorimin e ujit rekreativ.
“Ushqyesit e tepërt, të tillë si fosfori dhe azoti (përfshirë amoniakun), mund të shkaktojnë eutrofizim, ose mbarësim të tepërt të ujërave pritës, të cilat mund të jenë toksike për organizmat ujorë.”- na thotë ai.
Bakteret, viruset dhe patogjenët sipas Prof. Dr. Miho janë shkaktarë të sëmundjeve mund të ndotin plazhet dhe të kontaminojnë popullatat e peshqve, duke çuar në kufizime në rekreacionin njerëzor, konsumin e ujit të pijshëm dhe konsumin e peshqve.
*Pjesë nga raporti i AKM për vitin 2020
Raporti i fundit zyrtar për cilësinë e ujërave detare vjen nga AKM në vitin 2020, ku sipas këtyre të dhënave faktori kryesor i ndotjes së ujrave bregdetarë të larjes mbeten shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara.