ESMERALDA TOPI
U deshën 9 vite qeverisje që socialistët të kalonin nga lufta në paqe me kanabisin. Në 7 prill Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se qeveria do të legalizojë kanabisin për qëllime mjekësore, ndërkohë që gjatë mandatit të parë qeverisës aksioni kundër kanabizimit të vendit ishte kali i betejës për Rilindjen. Ekspertët ndahen në pro dhe kundër nismës, por të gjithë bashkohen në një mendim: më shumë transparencë për nismën.
“Ne do të procedojmë ashtu siç shprehen dhe qytetarët, do të legalizojmë absolutisht kanabisin për përdorim mjekësor dhe do të hapim një front të ri pune dhe rritjeje ekonomike, përveçse edhe rritje në aspektin teknologjik. S’ka dilemë për këtë.“ – tha Kryeministri Edi Rama gjatë në konferencën për shtyp ku prezantoi rezultatet e mbledhjes së opinioneve të 563.195 qytetarëve mbi Këshillimin Kombëtar.
Po si ndryshoi qeveria mendje pas 8 vitesh? Nisur nga deklarata e Kryeministrit, Faktoje ka verifikuar qëndrimet e qeverisë ndër vite lidhur me kanabisin.
Në 2014-n, ndërhyrja e policisë në Lazarat ishte kali i betejës në diskursin politik dhe publik të qeverisë Rama 1. Madje idea e legalizimit të kanabisit në këtë kohë ishte tabu.
“Legalizimi i marijuanës këtu në Shqipëri është një diskutim që do të preferoja të mos e bëja. Për momentin jemi përqëndruar në një luftë me tolerancë zero.“ – shprehej Rama në prill të 2014 në një intervistë për televizionin Italian Rai 1. Në atë kohë, Kryeministri jo vetëm që krenohej me aksionin e Lazaratit por paralajmëronte se ishte vetëm fillimi.
23 qershor 2014- Mbledhja e Grupit Parlamentar të PS
“Populli shqiptar e mbështeti dhe e përshëndeti me aq entuziazëm, superaksionin e Lazaratit, për të paktën dy arsye ; E para, për shtet. E dyta, për drejtësi.“- shprehej Rama në qershor të 2014, fiks një vit pas ardhjes në pushtet.
Por pak muaj më vonë, ndërsa qeveria ishte në euforinë e luftës që i kishte shpallur kultivimit të kanabisit, deputeti i Partisë Socialiste Koço Kokëdhima hodhi idenë e paimagjinueshme të legalizimit të hashashit për arsye mjekësore.
“Ju shkon mendja ju që ta ruani këtë gjë dhe të licenconi për eksport për industrinë farmaceutike një prodhim të arsyeshëm, apo thjesht ne duhet ta zhdukim, sepse kemi frikë.“ – tha Kokëdhima në 20 nëntor të 2014 gjatë komisionit të ekononmisë dhe financave ku po diskutohej buxheti për bujqësinë.
Propozimi i Kokëdhimës u kundërshtua nga socialistët, por edhe nga Edmond Panariti i LSI , në atë kohë ishte ministër i Bujqësisë. 8 vite më vonë, Edmond Panariti ndan të njëjtin qëndrim për Faktoje.
“Vetëm Bujqësia do të na shpëtojë nga uria dhe varfëria, sepse bujqësia është Shqipëria! Prandaj mos lini që të devijojë me aventura hashashi mjekësor, sado tërheqëse dhe joshëse që të duken. Sepse dëmi do të jetë kolosal dhe i pakthyeshëm!“ – thekson Panariti.
Në të njëjtën linjë duket edhe zëri më kritik i socialistëve, Erion Braçe, që në 2014 ishte kryetar i komisionit të ekonomisë dhe financave. Ditën që Rama shpalli rezultatet e Këshillimit Kombëtar Braçe ndau këtë mesazh në Facebook.
“ Ekonomia dhe punësimi, prodhimi e të ardhurat janë këtu. As në magazina tregtarësh, as në flluska që plasin shpejt.“ – shkruan Braçe në rrjetin social Facebook.
Por edhe vetë Rama në mandatin e tij të parë dukej i palëkundur në luftën kundër kanabisit. Në mars të 2017-s qeveria shpalosi Planin e ri Kombëtar kundër kanabisit.
“Vitet që vijnë do të na tregojnë më shumë për mënyrën se si ne do ta neutralizojmë plotësisht në çdo vend, jo thjesht kultivimin, por idenë se në Shqipëri mund të kultivohet drogë dhe mund të pasurohesh brenda natës, duke trafikuar drogë.“- theksonte Kryeministri Rama gjatë prezantimit të Planit që përfshinte periudhën 2017-2020.
Por vitet që erdhën treguan të kundërtën. Ende pa i mbaruar afati këtij plani ambicioz, Kryeministri për herë të parë mbrojti idenë e legalizimit të kanabisit mjekësor.
“Atë pa leje nuk e lejojmë, atë me leje po e studiojmë se të tjerët e kanë bërë.”- tha Rama në prill të 2020, i ftuar në emisionin Zonë e Lirë.
Idenë e bëri fakt në maj gjatë një konferencë për shtyp për Ditën e Europës ku zbuloi se qeveria kishte një vit që punonte me projektligjin e legalizimit të hashashit për arsye mjekësore.
“Kemi thuajse një vit që po punojmë për këtë dhe për pak ajo (nisma për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore) do të jetë gati. Shumë shpejt drafti do të jetë gati dhe do të hapet pastaj për diskutim publik”- tha Rama.
9 maj 2020 Konferenca për shtyp me rastin e Ditës së Europës
Një muaj më vonë Rama ndau dhe afate për kalimin e ligjit, të cilat janë shkelur. “Ambicia është që ta kalojmë brenda këtij sesioni Parlamentar.” – tha Rama në 12 qershor 2020.
Drafti mbeti sirtareve të qeverisë për thuajse dy vite të tjera. Rama e riktheu në vëmendje çështjen e legalizimit kur publikoi 12 pyetjet e Këshillimit Kombëtar në 18 janar të këtij viti.
Me publikimin e rezultateve të Këshillimit Rama fitoi një argument për të mbrojtur nismën në sytë e kundërshtarëve.
Por juristi Adriatik Lapaj thotë për Faktoje se Këshillimi Kombëtar është një keqpërdorim i zërit të qytetarëve për të justifikuar politikat që duan të bëjnë vetë. ”Nëse duan vërtetë ta dëgjojnë qytetarin atëhere mjafton të miratojnë ligjin “Për referendumet në Republikën e Shqipërisë.”- thekson Lapaj.
Ndërkohë ekspertja e ekonomisë Irena Beqiraj thotë se në këto raste duhen analiza ekonomike të detajuara të cilat janë thelbësore për një politikë të mirë publike.
“Vendet që kanë legalizuar kanabisin kanë kryer analizat e kostos dhe përfitimit në terma monetare të dy opsioneve të politikave të kanabisit. Si dhe kanë pasur industri të zhvilluar farmaceutike apo kozmetike.( Kanada, Gjermani, Amerikë). Ne nuk e kemi një të tillë. Madje edhe vetëm prodhimi i lëndës të parë së parë për industrinë e farmaceutike të kanabisit ka nevojë për njohuri edhe kërkim .“- thotë Beqiraj për Faktoje.
Ne kontaktuam edhe me ish deputetin socialist Koço Kokëdhima, flamurtari i idesë së legalizimit të kanabisit 8 vite më parë kur nisma dukej utopike.
“Nuk dua të bëj fantazi për këtë çështje, nëse do të dish shkaqet ndiq përfituesit. Kush përfiton? Për ta bërë këtë punë nuk mjafton që të kthejmë pllakën. Nëse nuk dimë ta bëjmë, përfitimet do të jenë të papërfillshme.“ – thekson Kokëdhima, i cili shton se qëndrimet burojnë nga lidershipi ashtu sikurse dhe ndryshimet. Ndaj ndryshimin e qëndrimit të Ramës për kanabisin e komenton kështu:
“Ka gjithmonë gjëra të mistershme në vendimmarrjen e njerëzve të pushtetshëm.“
Eduard Gjokutaj, njohës i politikave fiskale thotë për Faktoje se nisma të tilla kanë nevojë për më shumë transparencë.
“Në vend është hedhur kjo ide, por ende nuk shoqërohet nga një draft për konsultë publike dhe diskutim me ekspertët e sektorëve të ndryshëm. Asnjë vend nuk ka legalizuar ndonjëherë një industri kanabisi fitimprurëse njësoj si industria e duhanit. Nisur nga ky fakt ne thjesht nuk e dimë se çfarë po vjen bashkë me këtë legalizim të pjesshëm.“
Ndërsa Mark Krauford, ish President i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri ka qënë dhe mbetet pro legalizimit.
“Vazhdoj të mbështes idenë e legalizimit, isha dhe jam pro. Nuk e kam parë draftin. Nuk e di si do të trajtohet. Asnjë sektor nuk është shpëtim, por një plumb për të gjuajtur te problemet ekonomike. Ka pasur shumë punësim edhe në Gjirokastër, por edhe në Tepelenë, Dukagjin dhe Vlorë, por ishte punësim në të zezë, por pse mos ta legalizojmë, të paguajnë taksa, të jenë në sistem.“ – thekson Krauford.
Të paktën 52 vende të ndryshme në botë e kanë të legalizuar kanabisin. Në shumicën e rasteve kanabis është legalizuar për përdorim mjekësor duke u prodhuar dhe tregtuar sipas autorizimeve të posaçme të lejuara nga qeveria. Në disa vende është tërësisht i legalizuar, ndërkohë disa të tjera kanë lejuar legalizim të kanabisit për prodhime farmaceutike. Shqipëria ende nuk dihet se tek cilat vende do të bëjë pjesë. Ndonëse ka dy vite që flitet për një draft që është gati dhe i konsultuar me ekspertë të huaj dhe vendas, qeveria ende nuk e ka bërë publik dokumentin.