Pretendimi: Personi në këtë video është kryebashkiaku i ri i qytetit Brighton në Mbretërinë e Bashkuar.

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————-

Në rrjete sociale po qarkullon një video që pretendohet se tregon kryebashkiakun e ri të qytetit Brighton në Mbretërinë e Bashkuar. Video tregon një burrë me xhybe kafe që mirëpritet nga disa burra të tjerë me varëse lulesh. Video të tilla janë ndarë më së shumti në prag të zgjedhjeve në Britani duke tentuar të vënë në dukje emigracionin e lartë dhe humbjen e vlerave tradicionale britanike.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video origjinale nga ku është shkëputur ky klip është postuar në TikTok më 11 qershor 2024 nga llogaria @aslamiyafoundation. Në përshkrimin që shoqëron videon shpjegohet se ajo tregon “nxënës që mirëpresin mësuesin e tyre në një event të komunitetit mysliman.”

Një tjetër video e botuar në Janar në llogarinë e Aslamiya Foundation në Youtube e identifikon personin në video si sheiku sufi “Muhammad Asghar”. Një sheik i sufizmit është një mësues i besimit mysliman sufist.

Kryebashkiaku i ri i Brighton, i pari mysliman i zgjedhur në këtë pozicion në maj 2024, quhet Mohammed Asaduzzaman, dhe ai nuk përngjan me burrin në video.

Kryebashkiaku i Brighton, Mohammed Asaduzzaman (majtas) dhe personi në video. Muhammad Asghar (djathtas)

Sipas BBC, Asaduzzaman, ka jetuar në qytet për 30 vjet, ka punuar më parë me ministrin e shtetit për zhvillimin e ujit në Bangladesh dhe ka një diplomë në shkencat politike. Gjatë pandemisë Covid-19, ai ofroi 500 vakte falas për ofruesit e shërbimeve thelbësore.

Ai gjithashtu bëri thirrje për vaksinime për ata me status të pasigurt imigrimi, veproi si përkthyes për ata që kishin nevojë ligjore dhe u dha mbështetje viktimave të krimit.

Në Brighton, kryetari i bashkisë ka një rol kryesisht ceremonial si qytetari i parë, si dhe kryesues i mbledhjeve të këshillit bashkiak. Këshilltarja Laburiste Amanda Grimshaw u zgjodh nënkryetare dhe pritet të marrë me rotacion kryesinë e bashkisë brenda një viti.