Diana Bahçja, një javë pasi solli në jetë foshnjen e saj në Janar 2023, ende lehonë u arrestua dhe u burgos. Kjo sepse në vitin 2015, Diana nuk pagoi 250 mijë lekë gjobë të vendosur nga Gjykata e Tiranës. Njëkohësisht, në anën tjetër të të njëjtit qytet, në një realitet komplet të ndryshëm, Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme refuzon prej 3 vitesh zbatimin e vendimit të Gjykatës Administrative për dhënien e informacionit se si i kanë shpenzuar titullarët paratë e taksapaguesve në udhëtimet zyrtare. Gjithsesi MEPJ-së që refuzon vendimin e Gjykatës nuk ‘i hyn gjemb në këmbë’.
Jona Plumbi
Prej vitit 2020, Faktoje po pret që Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme të zbatojë Vendimin 1932 datë 18.09.2020 të Gjykatës Administrative, si do duhej të ndodhte në çdo vend demokratik ku funksionon ndarja e pushteteve. Gjykata Administrative vendosi se Faktoje ka të drejtë të marrë informacion mbi shpenzimet e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit të titullarit.
Gjykata e quajti të paligjshëm mohimin që Ministria i bëri kërkesës zyrtare të Faktoje-s për t’u njohur me këtë informacion. Pjesë e vendimit të gjykatës ishte edhe detyrimi që MEPJ ta japë menjëherë informacionin, pavarësisht nëse shkon në apel apo jo. Kjo formë vendimi në fjalorin juridik quhet “ekzekutim i përkohshëm”, që do të thotë se vendimi i gjykatës duhet zbatuar menjëherë.
Kjo nuk ka ndodhur ende.
Çfarë kërkoi Faktoje
Në 8 korrik 2019 Faktoje dërgoi kërkesa për informacion në adresë të të gjitha ministrive dhe Kryeministrisë ku kërkohej të viheshin në dispozicion faturat dhe shpenzimet e titullarëve në udhëtimet jashtë vendit për periudhën janar 2018-qershor 2019.
Ministria e Drejtësisë ishte e para që ktheu përgjigje brenda afatit duke vënë në dispozicion të gjitha faturat e udhëtimeve të titullarit. Brenda të njëjtës kohë u përgjigjën edhe Ministria e Arsmit, Sportit dhe Rinisë që bëri të njëjtën gjë.
Por pas artikullit të publikuar nga Faktoje, ku tregohej se një natë akomidimi e ministres arinte në 700 euro, institucionet e tjera u hermetizuan dhe refuzuan të jepnin informacion, duke shkelur ligjin për të drejtën e informimit. Me dështimin e ndërmjetësimit të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, Faktoje me ndihmën ligjore të Res’publika paditi të gjitha institucionet, përfshirë edhe kryeministrinë në Gjykatën Administrative.
Deri në fund të vitit 2020, Faktoje arriti të fitojë gjyqin në shkallën e parë të Gjykatës Administrative me 8 institucione nga 11 të paditura. Për 6 prej tyre, gjykata vendosi ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit, pra që faturat të vihen në dispozicion me përfundimin e gjykimit në shkallën e parë, edhe pse palët humbëse (institucionet shtetërore) i kanë kundërshtuar këto vendime në apel. Por Presidenca dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vazhdojnë të refuzojnë zbatimin e vendimit.
Vendimi i Gjykatës
Vendimet e gjykatës me ekzekutim të menjëhershëm përdoren vetëm për një numër të vogël rastesh, kur zbatimi i vendimit pa humbur kohë është “jetik” për paditësin. Avokatja Irena Dule, e cila përfaqësoi Faktojen në këtë betejë ligjore, shpjegon argumentin e përdorur për rastin në fjalë.
“Ne çmuam t‘i kërkojmë Gjykatës të japë ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit, pasi kërkesa e një gazetari për informacion publik duhet të marrë përgjigje shpejt. Informacioni është “një mall që kalbet”, siç shprehet edhe Gjykata e Strasburgut në vendime të saj, ndaj ka vlerë nëse jepet në aktualitet. Dhënia e tij me vonesë e bën infmacionin të pavlefshëm. Gazetari nuk e kërkon informacionin për konsum vetjak, por për t’ia shpërndarë atë publikut.” – shpjegon avokatja Irena Dule.
Avokatja Irena Dule shpjegon se gjykata e Apelit kërkon të paktën 5 vjet kohë për të gjykuar një çështje. Dhënia e informacionit pas kaq shumë kohe shkakton humbjen e aktualitetit dhe rëndësisë. Ky ishte edhe argumenti i Gjykatës Amdinistrative kur dha vendimin në favor të Faktoje.
Gjykata tha se vonesa që shkakton apelimi i këtij vendimi nga Ministria, sjell pasoja të rënda për marrjen e informacionit publik të kërkuar, duke sjellë humbjen e aktualitetit të informacionit dhe rrjedhimisht rëndësinë e tij. “Për këtë arsye vendimi duhet të jepet për ekzekutim të përkohshëm”. – argumenton gjykata.
Çfarë ndodhi në të vërtetë
Ligji parashikon rastet kur i padituri (në këtë rast Ministria e Jashtme) nuk e zbaton vendimin e Gjykatës me vullnet. Atëherë, hyjnë “në lojë” zyrat e Përmbarimit që kanë për detyrë zbatimin e detyrueshëm të vendimit.
Ndaj në vitin 2020, zyra e përmbarimit njoftoi Ministrinë se ka ende detyrimin t’i japë Faktoje-s informacionin për shpenzimet e ministrit në udhëtime, si dhe të paguajë 93,600 lekë si tarifë për shërbimin e përmbarimit.
Pavarësisht kësaj, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme vijoi të refuzojë dhënien e informacionit me pretendimin se e ka apeluar vendimin e gjykatës.
MEPJ, kokëfortë në shkeljen e ligjit
Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme prej 3 vitesh qëndron mbi ligjin.
Viti 2020
Pasi MEPJ refuzoi të zbatojë vendimin e gjykatës, zyra e përmbarimit vijoi me procedurën standarde. Ajo iu drejtua Thesarit të Shtetit në Dhjetor 2020, për të vendosur sekuestro ndaj njësisë shpenzuese të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Në 22 Dhjetor 2020, Thesari urdhëroi bllokimin e fondeve buxhetore të Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme, në favor të Faktojes.
Kjo nuk e nxiti Ministrinë të zbatonte vendimin e gjykatës.
Viti 2022
Në nëntor të vitit 2022, zyra e përmbarimit ia kërkoi edhe njëherë tjetër MEPJ-së zbatimin e vendimit për dhënien e informacionit të kërkuar nga Faktoje, në të kundërt do të gjobitej personi përgjegjës për mos-zbatimin e vendimit të gjykatës në MEPJ me 50,000 lekë të reja.
Këtë herë Ministria zgjodhi të kthejë përgjigje me shkrim, duke faktuar paligjshmërinë e saj.
Ministria merr rolin e Gjykatës
Në dhjetor 2022 MEPJ i drejtoi një letër zyrës së përmbarimit. Duke marrë rolin e gjykatësit, MEPJ interpretoi vendimin e dhënë nga Gjykata Administrative në 2020-n, duke e quajtur të gabuar, “në tejkalim dhe interpretim të gabuar të ligjit”.
Në fakt, Kodi i Procedurës Civile e ka zgjidhur ‘problemin’ që has Ministria e Punëve të Jashtme. Neni 139 i Kodit lejon ankimim të veçantë të detyrimit për të dhënë menjëherë informacionin. Sipas ligjit, institucioni mund ta ankimojë vendimin, pasi e ka zbatuar fillimisht atë. Në rastin kur Gjykata e Apelit e zhbën vendimin e parë të gjykatës, atëherë paditësi [Faktoje] i kthen të paditurit [MEPJ] gjithçka që ka marrë me ekzekutim të përkohshëm.
Por Ministria e konsideron të padrejtë ndaj interesit të saj këtë procedurë, ndaj vendosi “me kokën e saj” të refuzojë zbatimin e vendimit të Gjykatës Administrative.
Refuzimi, vepër penale
Avokatja Irena Dule shpjegon përse Ministria, ashtu si çdo debitor ndaj shtetit, nuk mund ta refuzojë zbatimin e vendimit të gjykatës, pavarësisht nëse e konsideron atë të drejtë apo jo.
“Refuzimi i zbatimit të një vendimi të ekzekutueshëm është vepër penale. Legjislacioni ynë parashikon mekanizma për të kërkuar dëmshpërblim në rast se një vendim, pas ekzekutimit, prishet nga një gjykatë më e lartë. Ky është ligji, praktika dhe sistemi ku kemi pranuar të jemi pjesë. Çdo rezistencë, justifikim për të bërë ndryshe, është papjekuri dhe ka pasoja deri penale për përgjegjësin, që në ratsin konkret është Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë.” – shpjegon avoatja Dule për Faktoje.
Për këtë arsye, edhe zyra e përmbarimit që ka për detyrë zbatimin deri në fund të vendimit të gjykatës, ka gjobitur Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme, Gazmend Turdiu me 50,000 lekë.
Ky i fundit, ka kërkuar kundërshtim të veprimeve të zyrës së përmbarimit, gjë për të cilën do mbahet një seancë tjetër në Gjykatën Civile, duke vijuar zvarritjen e zbatimit të vendimit të Gjykatës edhe për më shumë kohë.
Përfundimi
Ligji në Shqipëri, nuk është i barabartë për të gjithë. Kur vjen puna tek përgjegjshmëria e institucioneve shtetërore, as ndarja e pushteteve apo procedurat shtetërore ligjore nuk e detyrojnë dot Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme të zbatojë vendimin e gjykatës.
Nëse Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme do të kishte qënë qytetar i thjeshtë, sot Faktoje do kishte marrë informacionin që i takon sipas vendimit të Gjykatës, MEPJ do kishte paguar dy gjobat e vendosura nga zyra e përmbarimit, ose përgjegjësi për mosdhënien e informacionit dhe kryerjes së pagesave do ishte burgosur për shkeljen e vendimit të gjykatës.
Kështu i ndodhi nënës lehonë që u burgos 8 ditë pas lindjes së foshnjes, për mos-pagesën e gjobës 250 mijë lekë ndaj shtetit. Ndërkohë, Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme dhe Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Gazmend Turdiu, që shkelin prej 3 vitesh vendimin e Gjykatës, nuk “i hyn gjemb në këmbë”.
Faktoje po vijon betejën në rrugë ligjore për të marrë të drejtën e saj të njohur nga gjykata prej vitit 2020 për institucionet e tjera që refuzuan të zbatojnë dhënien e menjëhershme të informacionit, siç është edhe Presidenca e Republikës së Shqipërisë.