Pretendimi: Aktori Mel Gibson ka zbuluar ‘kaseta’ të tmerrshme pedofilike me ish-Zonjën e Parë të ShBA Michelle Obama

Verdikti: E paprovuar

————————————————————–

Në rrjetet konspiracioniste po shpërndahet pretendimi se aktori Mel Gibson, “ambasadori i zgjedhur me dorë i Trump në Hollywood ka tronditur industrinë me pretendimet se të ashtuquajturat “kaseta të frikshme”, që supozohet se shfaqin Michelle Obama, janë “më të këqija se makthi juaj më i keq”.

Si zakonisht, postimi i mëipërm nuk përmban ndonjë klip të Gibson duke bërë këto pretendime, ndonjë citat të Gibson mbi çështjen apo ndonjë burim.

Ai shoqërohet vetëm me një video e cila, Faktoje gjeti me anë të Google Lens, është prodhuar nga portali amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch

Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Në fakt, The People’s Voice ka qenë burimi i pretendimeve të ngjashme mbi Hillary Clinton, të cilat Faktoje i ka përgënjeshturar më parë.

Artikulli i The People’s Voice nuk jep asnjë provë se Mel Gibson ka akuzuar ndonjëherë Michelle Obama për ndonjë krim seksual, aq më pak të ketë “ekspozuar” ekzistencën e ‘kasetave të saj pedofilike’. Aktori i njohur, i shfaqur publikisht si një mbështetës i presidentit Trump, së fundi edhe i emëruar si një “ambasador special” i tij në Hollywood, është vendosur edhe më parë në qendër të lajmeve të tilla shokuese në rrjet. Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë deklarata që i janë atribuuar në mënyrë të pasaktë aktorit Mel Gibson. Një prej këtyre pretendimeve të provuara si të pasakta ishte dhe ai se Gibson është duke prodhuar një dokumentar për të trafikimin e fëmijëve. 

Nëse Mel Gibson do të akuzojë ndonjëherë Michelle Obaman për përfshirje në ndonjë krim seksual, kjo do të shkaktonte bujë dhe zemërim të gjerë. Jo vetëm që kjo gjë nuk ka ndodhur, por nuk është përmendur asnjë media të besueshme.