Edhe këtë verë, hekurudha Tiranë -Durrës nuk do të jetë gati, ndryshe nga çfarë ka deklaruar ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Zyrtarisht Hekurudha Shqiptare bën të ditur për Faktoje se aktualisht janë kryer 45% e punimeve, ndërsa projekti pritet që të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm. Me përfundimin e projektit parashikohet që, koha e udhëtimit Tiranë-Durrës të jetë vetëm 22 minuta.
Në shkurt të vitit 2021, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e hekurudhës së re Tiranë-Durrës. Gjatë fjalës së mbajtur, Ballaku bëri të ditur se punimet do të përfundonin këtë verë.
“Do shkurtojë distancës mes Tiranës dhe Durrësit me 22 minuta…Sipas parashikimeve kontraktuale, punimet do të përmbyllen brenda një afati 30-mujor, ose e thënë ndryshe në verën e vitit 2023”, deklaroi ministrja e Infrastrukturës.
Për t’u informuar mbi ecurinë e punimeve për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Hekurudhës Shqiptare.
Kërkesa për informacion dërguar Hekurudhës Shqiptare, 1 qershor 2023
Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, që mban datën 7 qershor, Hekurudha Shqiptare bën të ditur se deri më tani është realizuar mbi 45% e vlerës totale të kontratës.
“Po punohet rregullisht në kantier sipas grafikut të punimeve të miratuara, dhe po ecet me ritme të kënaqshme. Punimet janë përqëndruar kryesisht në rehabiltimin e linjës kryesore hekurudhore ‘Durrës- Tiranë’. Sikundër kemi njoftuar dhe më parë, implemetimi i projektit të rehabilitimit të linjës hekurudhore ‘Durrës- Tiranë- Rinas’, parashikohet të përfundojë në mars të vitit 2024”, njofton Hekurudha Shqiptare.
Përsa i përket vlerës së investimit për rehabilitimin e linjës hekurudhore “Durrës- Tiranës- Rinas” zyrtarisht theksohet se është përafërsisht 70 (shtatëdhjetë) milionë euro, pa TVSH.
“Në këtë vlerë të investimit nuk përfshihet kostoja që nevojitet për elektrifikimin tërësor të këtij projekti rehabilitues hekurudhor”, sqaron Hekurudha Shqiptare.
Verifikimi në terren mbi ecurinë e punimeve
Për të parë nga afër ecurinë e punimeve, ne bëmë një verifikim në terren më 13 qershor. Punimet për realizimin e projektit vazhdonin, ku dukej që kishte ende shumë punë deri në përfundimin e tyre.
Në zonën e njohur si “Ura e Limuthit” nuk kishte nisur ende puna për ndërtimin e mbikalimit, siç është planifikuar. Në momentin e verifikimit në këtë zonë ndodhej vetëm një person përgjegjës për sigurinë.
Ndërkohë, tek “Ura e Dajlanit” vijonte puna për ndërtimin e hekurudhës, teksa aktualisht aty punimet ishin me ritme më të larta, krahasuar me zonat e tjera.
Te zona e stacionit përfundimtar në Durrës, hapësira ishte e gjitha e rrethuar dhe përgjatë rrethimit shkruhej se aty ishte një kanteri ndërtimi. Brenda hapësirës së rrethuar kishte dhe një tabelë punimesh në lidhje me ndërtimin e godinës së parkimit pranë stacionit të trent, por nuk ishte e dukshme data e nisjes dhe përfundimit të tyre.
Çfarë parashikon projekti i ndërtimit të hekurudhës?
Në lidhje me këtë çështje, Hekurudha Shqiptare thekson se: “Projekti parashikon që me finalizimin e implementimit të tij, treni të përshkruaj për vetëm 22 minuta dy qytetet më të madha të vendit. Me një linjë tërësisht elektrike dhe me një tren rrjedhimisht elektrik në propocion me politikat mjedisore dhe direktivat europiane të sigurisë, kjo linjë hekurudhore, do të ofrojë ndër të tjera akses të pasagjerëve në mënyrë të drejtëpërdrejtë me Aeroportin Ndërkombëtarë të Rinasit”.
Gjithashtu është planifikuar që e gjithë linja hekurudhore do të ketë një gardh mbrojtës përgjatë gjithë gjatësisë së saj.
“Projekti nuk parashikonte ndërtimin e plotë të urave, ai parashikonte vetëm rehabilitim e tyre, por pas tërmetit të 26 nentorit 2019, referuar dëmtimeve që pësuan këto ura, u vendos për rindërtimin e tyre nga e para”, bën të ditur zyrtarisht për Faktoje Hekurudha Shqiptare.
Këshilltari në Drejtorinë e përgjithshme të Hekurudhave, Leonard Jani tha për BIRN në mars të këtij viti se linja mes dy qyteteve më të mëdha të vendit, nis në stacionin hekurudhor të Durrësit dhe përfundon në km 34 e 400 m, por jo në hyrje të Tiranës.
“Urat e njohura si ajo e Limuthit, e Erzenit, ajo në hyrje të tunelit të Rrashbullit, ajo e Tiranës, etj. do të ribëhen nga e para aty ku ndodhen edhe tani”- tha këshilltari hekurudhor, duke shtuar se 13 do të mbeten edhe mbikalimet, me trarët dhe sinjalistikën përkatëse nga Durrësi deri në Tiranë.
Më tej si shton se stacionet hekurudhore të kësaj linje do të mbeten po ato të mëparshmet: Durrësi, Shkozeti, Sukthi, Vora, Kashari dhe Tirana për pasagjerë.
Ndryshimi i afateve për hekurudhën Tiranë-Durrës
Në prill të këtij viti, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektuan punimet për hekurudhën Tiranë-Durrës, ku theksuan se projekti pritet të përfundojë në mars të vitit 2024.
“Ky është një tren elektrik, i cili do të ketë një shpejtësi nga kjo pikë deri në Durrës 120 km/h, ndërkohë që nga kjo pikë deri në Tiranë do të variojë nga 50-80 km/h; pra do të jetë me një shpejtësi të moderuar, duke qenë se do të futet brenda në qytet”, deklaroi Balluku.
Ndërsa, në maj kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale momente nga puna për ndërtimin e kësaj hekurudhe. Rama tha se: “Hekurudha Tiranë-Durrës është një tjetër projekt i rëndësishëm, që po avancon çdo ditë e ku përfundimi fizik i veprës pritet të përmbyllet në 2024. Qytetarët do të kenë në dispozicion një formë të re transporti, të munguar deri më tani, me kosto më të ulët dhe pa asnjë ndikim në mjedis”.