.

.

BallinaAktualitetMe 8 mijë lekët e paketës antikrizë, kuksianët nuk arrijnë të shlyejnë as “listat”

Me 8 mijë lekët e paketës antikrizë, kuksianët nuk arrijnë të shlyejnë as “listat”

Në fund të vitit 2022, qeveria lajmëroi se do shpërndante bonusin për disa kategori, që preken më shumë nga inflacioni i lartë. Gjatë një vëzhgimi në Kukës, qarku më i varfër në vend, Faktoje mësoi se me 8 mijë lekët e bonusit, një pjesë e përfituesve kanë shlyer pjesërisht borxhet për ushqimet që kanë marrë më herët me listë. Të tjerë thonë se me ato para mundën të blejnë 3 thasë miell për dimrin. Nga ana tjetër, ekspertët sugjerojnë se mbështetja e qeverisë duhet të bëhet për disa muaj, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të lehtësohet sado pak kriza.

—————————————–

Në fund të vitit që lamë pas, kryeministri Edi Rama njoftoi mbështetje financiare për 1 milion individë për të lehtësuar familjet nga inflacioni i luftës.

Do të lehtësohet maksimalisht impakti i inflacionit të luftës mbi konsumin bazë të kësaj shtrese në muajt e mbetur të dimrit”, deklaroi kryeministri Rama më 30 dhjetor 2022.

Por, sa e ka lehtësuar krizën për qytetarët kjo mbështetje financiara e qeverisë?

Faktoje ishte në Kukës më 16 janar, një prej qyteteve më të varfëra në Shqipëri. Pronarja e një dyqani në “Lagjen e re” të qytetit na tregon fletoret e mbushura me emra të banorëve të lagjes dhe përbri, shumën e parave që kanë hua tek dyqani, për ushqimet jetike.

“Kanë larë ca borxhe kohët e fundit, sepse morën këtë shpërblimin nga qeveria. Por, shumica e familjeve janë me ndihmë ekonomike dhe me aq lekë sa marrin nuk hanë dot bukë. Nga pandemia e këtej ka marrë më për poshtë situata, kriza ekonomike e ka gjunjëzuar Kukësin”, tregon e shqetësuar pronarja e dyqanit e cila pohon se ka rreth 30 familje që marrin ushqime me listë dhe se borxhet shkojnë deri në 30 mijë lekë të reja per një familje.

Listat në dyqane në Kukës, 16 janar 2023

“Shumica e borxheve janë për ushqimet e shportës, produktet bazë të një familjeje. Për këtë arsye edhe ne e kemi të vështirë t’u themi jo, pasi bëhet fjalë për miell, vaj, oriz, sheqer e kafe. Ato pak supermarkete që janë, nuk japin me listë, por dyqanet e lagjeve operojnë më së shumti me lista. Janë klientë të lagjes, por edhe të tjerë që ecin me kilometra në një dyqan më të largët, pasi e kanë bërë ‘baltë’ me atë të lagjes, për shkak të pamundësisë për ta shlyer borxhin në kohë”, tregon pronarja e dyqanit.

Lagjja e Re Kukës, 16 janar 2023

Pronari i një tjetër dyqani në Lagjen 6 në Kukës tregon se ka rreth 15 familje që marrin ushqime me listë.

“Ka dy vjet që nuk po ndalen borxhet. Nuk u themi dot jo, se janë njerëz që i njohim, ua dimë hallet. Mielli, oriz, makarona, vaj, këto marrin, çfarë do marrin tjetër, për të mbijetuar”, thotë ai.

Lagjia numër 6 në Kukës, 16 janar 2023

Mirëpo, ka edhe nga ata që hezitojnë t’u japin, pasi nuk e përballojnë dot as vetë financiarisht një situatë të tillë.

“Japim, por nuk e perballojmë dot as vetë që të japim shumë. Japim për një ditë ose dy ditë dhe klientëve që njohim”, thotë pronari i një ushqimoreje në vogël në lagjen numër 6 në Kukës.

Lagjia numër 6 në Kukës, 16 janar 2023

Banorë të Kukësit shprehen se varfëria që ka prekur qytetin, sidomos në dy vitet e fundit po ndikon në masë që të ikin edhe të rinjtë nga qyteti.

“Të unë vijnë 5 familje që janë në gjendje të vështirë. Marrin sheqer, kafe, oriz, makarona. Janë me fëmijë të sëmurë, nuk kanë asgjë. Borxhi shkon deri në 10 mijë lekë të reja. 3-4 familje kanë vite që nuk m’i kanë kthyer dhe i kam lënë fare, nuk kam çfarë të bëj.

Varfëri ka sa të duash, prandaj po ikin njerëzit. S’ka as punë, 3 nipërit e mi kanë ik në Angli, kanë lënë gratë këtu”, shprehet gruaja, e cila ka një dyqan të vogël në “Lagjen e Re” në Kukës.

Lagjia e Re Kukës, 16 janar 2023

Faktoje takoi Nadiren, 43 vjeçare nga Kukësi, familja e të cilës trajtohet me ndihmë ekonomike. Pyetjes se si e shpenzoi ajo 8 mijë lekshin e përfituar nga bonusi i qeverisë, Nadirja iu përgjigj:

„Unë jetoj me ndihmë ekonomike, kam dy fëmijë, njërin e kam të sëmurë. Burri herë ka punë, herë jo, ku të gjejë. Borxhe në dyqane kam plot, i laj kur punon ndonjë ditë ai. Kisha gati dy muaj që nuk i kisha paguar, sepse me 8 mijë lekët që marr nga ndihma ekonomike është e vështirë të jetosh. Tani që na dha qeveria 8 mijë lekë shkova direkt te dyqani të laja një pjesë të borxheve. Dhe ne na vjen zor të marrim borxh, por çfarë të bëj?! Fëmijët duan të hanë përditë, çmimet janë rritur. Jetesa në Kukës është bërë shumë më e vështrë“, thotë ajo.

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko thotë për Faktoje se Kukësi është një qytet që e ka humbur sensin ekonomik dhe paketa të tilla ndihme nuk e zgjidhin problemin.

“Natyrisht që nuk do ta zgjidhte problemin e Kukësit paketa e ndihmës, është e pamjaftueshme, sepse aty problemi është shumë i thellë. Ai qytet ka humbur sensin ekonomik tashmë, ku të ardhurat e vetme janë nga emigracioni apo nga personat që punojnë në administratën shtetërore.

Ata që kanë siguruar të ardhura nga emigracioni janë shpërngulur nga Kukësi, kanë ardhur në Tiranë apo kanë shkuar te të afërmit në emigracion.

Është e domosdoshme rikthimi i sensit ekonomik, rikthimi i biznesit në Kukës, diçka që të sjellë të ardhura, përveç punës në administratën shtetërore. Kukësi ka nevojë për rizgjim ekonomik. Në rast të kundër presim dekadencën e një qyteti që vjen të shuhet pak e nga pak”, argumenton eksperti.

Në lidhje me këtë situatë krize ekspertët sugjerojnë që ndihma për qytetarët të bëhet për disa muaj, pasi nuk është zgjidhje ofrimi i një ndihme financiare për qytetarët një herë në vit.

“Gjatë vitit që shkoi, të dyja paketat e rezistencës ishin minimale edhe në raport me atë çfarë u nevojitej qytetarëve, por edhe në raport me vendet e rajonit. Normalisht ekzistonte mundësia që kjo pagesë të bëhej të paktën për disa muaj, pasi kjo është një krizë që ne, pasojat e po ia ndiejmë dita-ditës. Nuk është se po i ndiejmë njeherë në muaj apo një herë në vit”, argumentojnë ekspertët.

Gjatë muajit dhjetor, inflacioni në vendin tonë ishte 7.4%, duke regjistruar rënie për të dytin muaj, megjithatë çmimet e produkteve bazë nuk ka pësuar rënie, përkiundrazi.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img