Pretendimi: Kjo video tregon ndihmat që Kina hodhi nga ajri mbi Gaza së fundmi

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————————

Një video që tregon një avion duke hedhur pako nga ajri po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, me pretendimin se “Kina hodhi ndihma nga ajri mbi Gaza.”

Lexuesi i vëmendshëm do të vërejë se në cepin e videos duket një mbishkrim, i cili lexon “Khan Younis, Rripi i Gazës.” Khan Younis është një qytet palestinez.

Duke kërkuar me fjalët kyçe “Khan Younis hedhje nga ajri”, zbulojmë një raportim të medias turke Anadolu Agency nga 17 tetori 2024 ku thuhet se “dëshmitarë raportuan se aeroplanë të paidentifikuar hodhën furnizime me ndihmë humanitare me parashutë mbi qytetin bregdetar të Al-Qarara, në perëndim të Khan Younis.”

Megjithatë, një ‘defekt teknik’ bëri që kutitë e ndihmës të binin mbi tendat ku strehoheshin personat e zhvendosur, duke rezultuar në viktima dhe shkatërrime, thanë dëshmitarët. Një burim mjekësor i tha AA se një person i moshuar u vra dhe të tjerë u plagosën në incident.

Sipas një raportimi të CNN nga 22 tetori 2024, një numër vendesh kishin hedhur ndihma nga ajri në Gaza, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Jordaninë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Kina nuk ishte një prej tyre.

Video të CNN nga kampi i të zhvendosurve në Khan Younis tregonin arka me ndihma, me flamurin e Emirateve të Bashkuara Arabe të stampuar në kuti kartoni.

Nuk ka raportime të besueshme që konfirmojnë se Kina ka hedhur ndihma nga ajri në rajon. Në vend të kësaj, Kina ka ofruar ndihmë ekskluzivisht përmes UNRWA dhe organizatave të tjera humanitare. Dërgesa më e fundit e konfirmuar, 60 mijë pako ushqimore të njoftuara në fillim të Marsit 2025, u shpërnda përmes këtyre agjencive dhe jo nga ajri.

Më 13 maj 2025, në Këshillin e Sigurimit të OKB, Kina bëri thirrje për masa urgjente ndërkombëtare për t’i dhënë fund krizës humanitare në Gaza. Ajo dënoi bllokadën dhe operacionet ushtarake të Izraelit, hodhi poshtë politizimin e ndihmës dhe rikonfirmoi mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete, duke kërkuar pajtueshmëri me ligjin ndërkombëtar.

Sipas UNRWA, asnjë ndihmë nuk ka hyrë në Gaza që nga 2 marsi 2025, duke lënë popullatën pa furnizimet thelbësore, ushqim, karburant, ndihmë mjekësore dhe vaksina për fëmijët. Në një intervistë për BBC, Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA, Philippe Lazzarini, paralajmëroi se përdorimi i ndihmës si armë “mund të kualifikohet si krim lufte.”

21 maj 2025, OKB tha se ende nuk është shpërndarë asnjë ndihmë në Gaza, pavarësisht se kamionët me ndihma kanë filluar të kalojnë kufirin pas një bllokade 11-javore. 

Zyrtarët izraelitë thanë se 93 kamionë hynë në Gaza më 20 maj, duke transportuar ndihma përfshi miell, ushqim për fëmijë, pajisje mjekësore dhe ilaçe farmaceutike. Por OKB tha se, pavarësisht se kamionët arritën në anën palestineze të pikës kalimtare Kerem Shalom, deri më tani nuk është shpërndarë asnjë ndihmë.

Zëdhënësja e OKB Stephane Dujarric tha se një ekip “priti disa orë” që Izraeli t’u lejonte atyre të hynin në zonë, por “për fat të keq, ata nuk ishin në gjendje të sillnin këto furnizime në depon tonë.”

Vetëm pesë kamionë me ndihma kishin mbërritur në Gaza deri të martën (20 maj) pasdite dhe punonjësve të ndihmës nuk u ishte dhënë leje për të shpërndarë as atë dërgesë simbolike, tha Jens Laerke, zëdhënës i zyrës humanitare të OKB, në një konferencë për shtyp në Gjenevë.

Izraeli ra dakord më 18 maj të lejonte një “sasi bazë ushqimi” të hynte në Gaza, ku ekspertët globalë kanë paralajmëruar për një zi buke që po afrohet. Zyra e kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se do të “lejojë që të sillet një sasi bazë ushqimi për popullsinë, në mënyrë që të sigurohet që të mos zhvillohet asnjë krizë urie në Rripin e Gazës. Një krizë e tillë do të rrezikonte vazhdimin e Operacionit ‘Qerret e Gideonit’ për të mposhtur Hamasin”, shtoi deklarata.