Në shtator të vitit të kaluar, Ministria e Arsimit përcaktoi një periudhë 2-javore për plotësimin e mangësive të krijuara për shkak të mësimit online për nxënësit e arsimit parauniversitar. Por kur viti shkollor po i afrohet fundit, nxënësit vijojnë të mbartin boshllëqet e krijuara. Ekspertët e arsimit shprehen se dëmet që shkaktoi mësimi në distancë vështirë se mund të ‘riparohen’ në dy vite. Sot mund të gjesh rëndom nxënës që kanë probleme edhe me llogaritjet më të thjeshta matematikore. Ndërkohë mësuesit janë të alarmuar edhe për pasojat e tjera si mungesa e përqendrimit, shtimi i agresivitetit si dhe memoria afatshkurtër te nxënësit.
—————————————————
“Në fillim të muajit shtator 2021 nxënësit për një periudhë dyjavore do të kenë mundësi të përsërisin, përforcojnë apo përmirësojnë njohuritë e tyre lidhur me mangësitë e identifikuara gjatë vitit të kaluar shkollor”- njoftoi zyrtarisht Ministria e Arsimit më 2 gusht 2021.
Për të mësuar se cilat ishin mangësitë e evidentuara, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Kërkesa për informacion dërguar MASR, 24 janar 2022
MASR bëri të ditur se ka një raport me mangësitë e identifikuara, por dokumenti është për përdorim të brendshëm dhe nuk është publikuar nga institucioni, por sqaron se te nxënësit e fillores janë vërejtur mangësi në Gjuhë Shqipe dhe Matematikë, ndërsa në atë të mesëm edhe në lëndët shkencore.
“Pavarësisht angazhimit të të gjithë aktorëve në arsim, si në çdo vend tjetër edhe në vendin tonë, mësimi online i zhvilluar në kushtet e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, i përballi me vështirësi nxënësit në shkolla e rajone të ndryshme.
Në këto kushte, për të evidentuar nevojat për përmirësim të nxënësve, MAS në bashkëpunim me ASCAP, QSHA, ZVA, DRAP dhe DPAP zhvilloi një proces të identifikimit të nevojave të nxënësve në arsimin fillor, arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë. Nga veprimtaritë e realizuara në funksion të këtij procesi, u identifikuan vështirësitë dhe mangësitë e nxënësve në lëndët kryesore, të cilat diktuan nevojën e përsëritjes, përforcimit dhe përmirësimit të rezultateve të nxënësve në këto lëndë.
Në arsimin fillor u identifikuan rezultatet e të nxënit për lëndën Gjuhë Shqipe dhe Matematikë. Në arsimin e mesëm të ulët në lëndën Gjuhë Shqipe, Matematikë dhe Gjuhë e huaj. Në arsimin e mesëm të lartë në lëndën Gjuhë Shqipe, Letërsi, Matematikë, Biologji, Kimi, Fizikë”, sqaron MASR në përgjigjen zyrtare.
Pjesë nga përgjigjia e MASR për Faktoje
Mangësitë e nxënësive vihen re edhe në shkolla në mes të kryeqytetit. Një nxënëse e klasës së tretë e pranon që ka pasur vështirësi gjatë mësimit online dhe ende nuk di as tabelën e shumëzimit. E pyetur sa bëjnë 4 shumëzim 6 nxënësja, thotë 18, duke e pranuar që e ka të vështirë tabelën e shumëzimit dhe për këtë ka ndikuar mësimi ne distance.
“E kam pak të vështirë tabelën e shumëzimit. Kemi pasur vështirësi gjatë mësimit online, prandaj ndonjëherë më duket vetja sikur nuk di asnjë mësim. Dua t’i përmirësoj të gjitha mësimet që nuk i di aq mirë”, rrëfen nxënësja e klasës së tretë në një shkollë të Tiranës.
Ndikimi i mësimit online te nxënësit
Për të kuptuar si është situata edhe në qytete të tjera, Faktoje udhëtoi drejt Laçit më 17 shkurt, ku bisedoi me mësues dhe prindër për t’i pyetur se si kishte ndikuar pandemia. Në shkollën 9-vjeçare numër 3 në Laç, mësuesit na treguan se veç mangësive në lëndë të ndryshme, mësimi online ka ndikuar që nxënësit të mos përqendrohen dhe të humbin interesin për mësimin. Por, një sfidë e madhe për fëmijët me pamundësi ekonomike, ka qenë edhe sigurimi i telefonëve për të ndjekur mësimin online.
“Unë jap mësim te 9-vjeçarja. Vëmë re një problem madhor, që fëmijët nuk përqendrohen si më parë dhe janë bërë shumë agresivë. Shumë fëmijë e kanë pasur të vështirë edhe të kenë akses në mësimin online. Përshembull, ka pasur familje që kanë pasur një telefon dhe kanë qenë 4 fëmijë që duhet të ndiqnin mësimin. Sado që përpiqeshin që të koordinoheshin që një të mësonte paradite dhe një pasdite, prapë për ta ka qenë një sfidë e madhe. Sepse në kohën që ne i shkruanim për të bërë mësim, ai nuk arrinte dot të futej online. Janë nxënës që kanë dëshirë të punojnë, e duan shkollën. Janë munduar shumë edhe gjatë mësimit online, por mundësitë financiare kanë ndikuar që të mos kenë akses në internet”, tregojnë mësuesit.
Ata shtojnë se problemet nisin që nga kopshti, pasi fëmijët që aktualisht janë në ciklin fillor e kanë pasur të pamundur të ndjekin parashkollorin për shkak të pandemisë.
“Në momentin që u kthyen në shkollë pas pandemisë ishin si të frikësuar. Ndodhën dy ngjarje njëra pas tjetrës, tërmeti dhe pandemia. Interneti ka lënë shumë pasoja, në kuptimin që një pjesë nuk e kishin mundësinë që të komunikonin, ndërsa një pjesë e kishin mundësinë dhe abuzuan duke qëndruar për një kohë të gjatë në internet. Të dyja kanë lënë deri diku pasoja, që po i vuajmë tani ne si mësues. Klasat e para aktualisht nuk kanë pasur mundësi që të ndjekin kopshtin gjatë pandemisë dhe kanë hasur vështirësi në pjesën e mësimit. Ata thjesht kanë atë vërtetimin që kanë mbaruar kopshtin, por asgjë nuk kanë mësuar.
Gjithashtu vihet re një kujtesë më afatshkurtër te nxënësit pas pandemisë. Nëse më parë e mbanin mend mësimin edhe pas shumë ditësh, sot e mbajnë mend tani për tani”, tregojnë mësuesit.
Mirëpo, ka pasur edhe nga ata fëmijë që nuk kanë dashur ta ndjekin mësimin online. Maria, nëna e një djali në klasë të katërt në shkollën “Gjin Pjetri” tregon vështirësitë që ka pasur me të birin.
“Djali im është në klasë të katërt. Nuk e ka ndjekur mësimin online dhe nuk ishte problemi të mesuesja, sepse ajo ishte shumë kërkuese. Djali nuk duronte dot të rrinte në telefon ose kompjuter. Po të thosha të ulej të mësonte online vetëm qante e qante. Nuk e donte telefonin dhe më thoshte mos ma jep më. Para se të niste pandemia ulej dhe mësonte, ndërsa sot është shumë e vështirë ta ulësh të bëjë detyrat. Ka humbur vëmendjen, nuk përqendrohet”, thotë ajo.
Sa u plotësuan boshllëqet në dy javë përsëritje
Profesoresha e Asocuar, Doktoreshë Majlinda Keta tregon për Faktoje 3 pasojat kryesore që ka shkaktuar mësimi online te nxënësit.
“Eksperienca e sistemit arsimor përmes mësimit online ka shfaqur dhe vijon të shfaqë pasojat e saj tek nxënësit. Zgjatja pothuaj në 2 vite e kësaj përvoje, edhe kjo e fundit jo me të njëjtën cilësi në të gjithë vendin duhet konsideruar si një tronditje jo e vogël në 3 elementë kryesorë të cilësisë në të nxënit, por edhe në të ardhmen do të ketë pasoja në vijim.
E para lidhet me aftësinë e të menduarit dhe të nxënit cilësor në vijim ndërsa dija paraprirëse e shkencës ësht nxënë në nivel kritik ose edhe mungon nga përvoja online. Shkak ishte ‘analfabetizmi digjital’, kryesisht i shkollës publike në infrastrukturë mbështetëse, kualifikim kritik mësuesish, por edhe familja shqiptare ka kulturë dhe infrastrukturë të mangët digjitale ende. Kjo pasojë është shumë e spikatur për shkencat ekzakte. Mendoni Maturën shtetërore të këtij viti që vjen me 2 vite në 3 nga kjo cilësi mësimi online, por edhe Provimin e klasës së 9-të se çfarë rrisku ka.
Së dyti, është tronditur aftësia për t’u zhvilluar përmes dëgjimit, shkrimit dhe mendimit kritik. Kjo për të gjitha disiplinat dhe shkencat. Kjo do të na kushtojë shumë dhe në afat të gjatë. Së treti, e ndjej çdo ditë në studentët e viteve të para e të dyta faktin se mendimi, logjika, struktura e fjalisë, shkrimi i saktë, shprehja e saktë në gjuhën shqipe ka pësuar një kërcitje therëse”, argumenton lektorja e Filizofisë së Edukimit në Universitetin e Tiranës.
Më tej, zonja Keta thekson se nuk do të mjaftonin as dy vite për të riparuar dëmimin që ka shkaktuar mësimi online te nxënësit.
“Jo 2 javë, po edhe 2 vite mbi këto gjenerata që janë prekur, nuk do të mjaftonin që të ‘riparonim’ sado pak nga kjo tronditje. Madje, me sa e ndjeni, pothuaj është harruar se duhet të thellohemi në analizën e dëmit të shkaktuar për të qenë të saktë se ku duhet përqendruar investimi. Në vija të përgjithshme, këto 3 pasoja duhet të jenë të përkthyera në gjuhë objektivash për të mos u thelluar dëmi. Ky duhet të jetë një proces paralel me të përditshmen e institucionit shkollor”- shprehet lektorja Majlinda Keta.
Pavarësisht nevojave të mëdha në sistemin arsimor, Faktoje raportoi se shpenzimet për arsimin u reduktuan me 3.6% nga qeveria këtë vit.