Pretendimi: Gjermanët protestojnë kundër emigrantëve dhe kërkojnë deportimin e tyre.
Vlerësimi: E pavërtetë
Jona Cenameri
Një video e shpërndarë në media dhe portale shqiptare ditët e fundit pretendon se shfaq protesta masive të qytetarëve gjermanë kundër emigrantëve. Në pamje shihet një turmë e madhe e rrethuar nga policia gjermane dhe dëgjohen thirrje dhe brohoritje agresive. Mbi pamjet është vendosur dicitura në shqip: “Gjermanët tani kërkojnë deportimin e emigrantëve: Dërgojini në shtëpi”. Ky titull është përdorur për ta lidhur videon me debatet e fundit në Europë dhe Gjermani mbi emigracionin, ku qeveritë po përballen me presion për kufizime më të rrepta dhe masa të reja deportimi.

Në fakt, me një kërkim përmes Google Lens, videoja rezulton e shpërndarë më herët në TikTok nga profili “Gjermania Ultras”, një faqe tifozësh futbolli. Vetë videoja ka të vendosur tag-e si HSV, St. Pauli, Derby, Hamburg dhe Bundesliga, çka tregon qartë se bëhet fjalë për një ndeshje futbolli. HSV është shkurtimi i Hamburger SV (Hamburger Sport-Verein), një nga klubet më të njohura gjermane. Tag-et e tjera lidhen me klubin rival FC St. Pauli dhe derbin e Hamburgut, një nga ndeshjet më të nxehta të Bundesligës. Tifozët e HSV dëgjohet të brohorasin “Scheiss St.Pauli”, një thirrje ofenduese ndaj rivalëve të tyre që është e njohur si një nga korret tradicionale motivuese të ultrasve në stadium.
Pamjet rezultojnë se janë filmuar nga marshimi i tifozëve të HSV përpara ndeshjes Hamburger SV – FC St. Pauli, të zhvilluar në kuadër të Bundesligës 2, në 29 gusht. Ky derbi ishte i veçantë për tifozët e HSV sepse shënonte rikthimin e ekipit në Bundesliga pas shtatë vitesh mungesë. Entuziazmi i tifozëve ishte i jashtëzakonshëm përpara ndeshjes, çka shpjegon marshimin masiv, koret e forta dhe praninë e policisë për ruajtje të rendit, siç ndodh zakonisht në ndeshjet me tension të lartë në Hamburg. Në fakt, ndeshja përfundoi me humbjen 2-0 të HSV ndaj St. Pauli, çka e ktheu entuziazmin fillestar në zhgënjim për tifozët vendas.
Asnjë media gjermane e besueshme nuk ka raportuar për protesta të ngjashme lidhur me emigracionin në momentin e qarkullimit të videos. Përkundrazi, bëhet fjalë për një atmosferë sportive të keqpërdorur për të krijuar përshtypjen e një proteste politike.
Videoja që po qarkullon nuk tregon protesta kundër emigrantëve, por tifozë futbolli gjermanë gjatë derbit të Hamburgut ndërmjet HSV dhe St. Pauli. Pretendimi se “Gjermanët tani kërkojnë deportimin e emigrantëve” është i pavërtetë, pasi bazohet në një video sportive të përdorur jashtë kontekstit.
