SHBA nuk ka financuar në mënyrë indirekte sulmin e fundit të Hamasit ndaj Izraelit, nëpërmjet parave iraniane. Faktoje sjell të dhënat që tregojnë përse këto 6 milardë dollarë nuk janë përdorur për të mbështetur konfliktin
Postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendojnë se presidenti amerikan Joe Biden i ka dhënë 6 miliardë dollarë Iranit për ndihma humanitare dhe këto fonde i kanë kaluar Hamasit.
“Pikërisht në 11 shtator i dhanë Iranit 6 miliardë dollarë për ndihma humanitare. Sa nga këto para i janë kaluar Hamasit nëpërmjet Iranit?”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Cilat janë arsyet që po qarkullojnë informacione të tilla?
Kritikët e presidentit amerikan Joe Biden pretendojnë se një marrëveshje e fundit për lirimin e pengjeve i dha Iranit akses në 6 miliardë dollarë fonde të ngrira dhe se, si rezultat, ato para kanë ndihmuar Iranin të financonte sulmin e Hamasit.
As Izraeli dhe as Shtëpia e Bardhë nuk kanë thënë se ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis Iranit dhe sulmit të Hamasit ndaj Izraelit. Por Irani është një mbështetës i Hamasit dhe një zëdhënës i Hamasit i tha BBC-së se Irani i dha mbështetje “direkte”.
“Administrata e Bidenit duhet të mbajë përgjegjësi për zbutjen e këtyre terroristëve të Hamasit, duke përfshirë dorëzimin e miliarda dollarëve atyre dhe mbështetësve të tyre iranianë,” shkroi republikani Steve Scalise në rrjetin X më 7 tetor.
Në lidhje me këtë çështje, edhe ish-presidenti Donald Trump, teksa fliste në New Hampshire argumentonte se Biden e inkurajoi Iranin për të ndihmuar në sulmin e befasishëm të Hamasit ndaj Izraelit.
Nga erdhën 6 miliardë dollarët?
Në muajin gusht, SHBA njoftoi një marrëveshje me Iranin për të siguruar lirinë për 5 shtetas amerikanë që ishin arrestuar në vend në këmbim të lejimit të Iranit të aksesonte 6 miliardë dollarë nga fondet e veta, që ishin ngrirë në bankat e Koresë së Jugut.
Paratë vinin nga të ardhurat e naftës iraniane të ngrira që nga viti 2019, kur Trump vendosi një ndalim ndaj eksporteve të naftës iraniane dhe sanksione ndaj sektorit të tij bankar. Marrëveshja përfshinte gjithashtu lirimin e 5 iranianëve të mbajtur në burgjet e SHBA.
Edhe para sulmit të Hamasit më 7 tetor, marrëveshja ishte përçarëse politikisht, me mbështetësit e Bidenit që vlerësonin kthimin e pengjeve, ndërsa kritikët theksonin se pagesa përbënte një shpërblim që do të inkurajonte marrjen e pengjeve në të ardhmen.
Por, administrata Biden hodhi poshtë nocionin se marrëveshja përshpejtoi ose ndihmoi sulmin e 7 tetorit, duke shënuar dy pika kyçe.
Në edicionin e 8 tetorit të “Fox News Sunday”, John Finer, zëvendëskëshilltari i administratës së Bidenit për sigurinë kombëtare, hodhi poshtë çdo nënkuptim se fondet mund të kishin ndonjë rol në sulmet që ndodhën apo në planifikimin e tyre.
Së pari, paratë nuk janë disbursuar ende në Iran. Kur amerikanët e liruar mbërritën në SHBA në mes të shtatorit, paratë iraniane u depozituan në një llogari bankare të kufizuar të Katarit. Sipas zyrtarëve amerikanë, Banka Qendrore e Katarit po mbikëqyr fondet dhe Irani nuk ka ende akses në këto fonde.
Së dyti, marrëveshja kërkonte që Irani të mund t’i aksesonte këto para vetëm për të paguar artikuj humanitarë, si ilaçe dhe ushqime.
A ka prova që lidhin Iranin me sulmin e Hamasit në Izrael?
SHBA ka thënë se nuk ka parë prova përfundimtare të përfshirjes iraniane, por po heton lidhjet e mundshme. Për shkak se Hamasi dhe Irani janë aleatë të vjetër, besohet se Irani e ndihmoi Hamasin të projektonte ose të kryente sulmet.
Irani “duartrokiti” operacionin në Izrael, por ka mohuar deri tani përfshirjen. Megjithatë, sofistikimi dhe shkalla e sulmit nga Hamasi, një grup militant islamik që kontrollon Gazën, sugjeron se Hamasi mund të ketë përfituar nga ndihma iraniane. Sulmuesit goditën Izraelin nga toka, ajri dhe deti, duke lënë të vdekur të paktën 900 izraelitë.
Një zëdhënës i Hamasit i tha BBC-së se grupi mori mbështetje të drejtpërdrejtë nga Irani për të kryer sulmin e tij. Wall Street Journal raportoi se zyrtarët iranianë të sigurisë ndihmuan në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit.
Por ekspertët thanë se çdo lidhje specifike midis 6 miliardë dollarëve dhe sulmit të Hamasit është e pasigurt, sepse çfarëdo mbështetje që Irani do t’i jepte Hamasit, me siguri do të kishte ndodhur me ose pa marrëveshjen e pengjeve.
“Unë nuk shoh ndonjë lidhje midis 6 miliardë dollarëve dhe kësaj lufte të Hamasit,” tha Matthew Levitt, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt, një institut i fokusuar në Lindja e Mesme.
“Irani po shpenzonte tashmë fonde të konsiderueshme për Hamasin dhe Hezbollahun (një grup tjetër terrorist i mbështetur nga Irani me bazë në Liban) përpara kësaj marrëveshjeje”, shtoi Levitt.
John Pike, drejtor i organizatës jofitimprurëse “globalsecurity.org”, tha se Hamasit nuk do t’i duhej domosdoshmërisht një pjesë prej 6 miliardë dollarësh për të kryer sulmin e tij.
Këto pretendime janë verifikuar edhe nga kolegë të verifikimit të fakteve në botë, të cilët kanë arritur në përfundimin se taksapaguesit amerikanë nuk financuan indirekt sulmin e fundit të Hamasit ndaj Izraelit.