Nga Barbara Halla- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar sërish se Rusia po ndihmon Serbinë të shpërndajë narrativë kundër Kosovës. Kurti e përcolli këtë paralajmërim përgjatë Konferencës së 7-të të Ambasadorëve të organizuar nga Ministria e Jashtme e Kosovës, e cila mblodhi në Prishtinë përfaqësuesit e SHBA-ve, Bashkimit Evropian, si dhe Britanisë së Madhe.

Përgjatë fjalimit të tij, Kurti kërkoi ndihmën e ambasadorëve për të luftuar kundër “sulmeve sistematike, hibride, kinetike të Serbisë (pasi) ajo vazhdimisht përdor propagandën dhe dezinformatën si armë të politikës së saj të jashtme”

Për më tepër, Kurti tha se lufta hibride e Serbisë mbështetet nga Rusia: “Me mbështetje të hapur nga Rusia (Serbia) ka ngritur një rrjet narrativash të rreme, që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe të pengojnë përparimin tonë drejt integrimit evropian dhe euroatlantik”

Akuzat e ndërsjellta midis Kurtit dhe Vuçiç vazhdojnë të ndikojnë në marrëdhëniet midis të dyja vendeve. Për shembull, siç e ka hedhur poshtë Faktoje në të shkuarën, Vuçiç e ka akuzuar Kurtin se kërkon spastrimin e serbëve në Veri të Kosovës. Ndërkohë Kurti ka thënë shpesh se Serbia, me dhe pa ndihmën e Rusisë, po përpiqet të destabilizojë Kosovën dhe rajonin.

Megjithëse këto mund të duken si spekulime, në fakt raporte të ndryshme dhe të pavarura nga organizata ndërkombëtare dëshmojnë jo vetëm për marrëdhëniet e afërta kulturore dhe ekonomike midis Rusisë dhe Serbisë, por edhe sesi Rusia e përdor Serbinë për të përhapur dizinformata, propagandë, dhe të ndryshojnë mendimin e publikut. Këtu bëhet fjalë për një marrëdhënië reciproke, ku Serbia shpërndan narrativat ruse pasi ato e ndihmojnë në ambiciet e veta politike dhe territoriale.

Për shembull, një raport i publikuar nga fondacioni gjerman Friedrich Naumann rishtazi, në janar 2025, konfirmon se Rusia ka krijuar një rrjet aleatësh autokrat në Europë, përmes të cilëve shpërndan influencën e vet në kontinent. Studiuesi Thomas Brey tregon se në Ballkan, Serbia është aleatja më e afërt dhe qendra e propagandës ruse në rajon. Kjo ndodh sidomos përmes kanalit Russia Today (RT) i cili transmetohet falas në vend, si dhe i jep mediave vendase lajme dhe përmbajtje të tjera pa pagesë.

Raporti tregon shembuj nga mediat serbe të sponsorizuara nga Rusia, ku pavarësia e Kosovës portretizohet si një projekt i shtruar nga perëndimi i cili ka dashur të gjymtojë Jugosllavinë, dhe i ka dhënë Serbisë si kompensim vetëm betimin, që do pranohet në Bashkimin Evropian. Sipas raportit, Rusia mbështet ambiciet territoriale të Serbisë dhe Serbia e di që përmes Rusisë mund të mbajë ende gjallë ëndrrën e Serbisë së Madhe.

Por ky raport është vetëm i fundit në një listë të gjatë studimesh që arrijnë në të njëjtin përfundim përmes një analize të thellë të ekosistemit mediatik në Serbi. Në tetor 2024, organizata për mbrojtjen e gazetarëve Reporters Without Borders (RWB) shkroi se: “Falë kontrollit që ka qeveria serbe mbi mediat vendase dhe mjedisit të favorshëm politik, RT – dikur Russia Today – përdor zyrën e saj në Beograd për të përshtatur narrativat e Kremlinit përpara se t’i shpërndajë ato në të gjithë Evropën Juglindore”

E krijuar në nëntor 2022 (pra disa muaj pas nisjes së luftës në Ukrainë), RT Balkan u shit si një shërbim transmetimi online dhe uebsajt në gjuhën serbe, i cili synonte të ofronte “një perspektivë alternative mbi ngjarjet rajonale dhe botërore”.  Siç e vë në dukje RWB në raportin e tyre, një nga postimet e para në Twitter (tani platforma X) të bërë nga kryeredaktorja e RT Balkan Margarita Simonyan, synonte pikërisht Kosovën: “E nisëm RT në Ballkan. Pasi Kosova është Serbi”

Burim: Reporters Without Borders

Kjo tregon se, megjithëse RT Balkan dhe mjete të tjera të propagandës ruse janë vendosur në Serbi për hir të nevojave të Kremlinit, ekziston edhe një marrëdhënie reciproke, sipas të cilës të njëjtat kanale do të përdoren për të arritur ambiciet politike dhe territoriale të Serbisë. Raporti tregon po ashtu sesi informacione nga RT shpërndahen më pas në mediat serbe, sidomos tabloide si Kurir apo Pink.

Burim: Reporters Without Borders

Raporti i organizatës hollandeze Clingendael i vitit 2023, tregon sesi Rusia ka interesat e veta në çështjen e Kosovës. Për shembull, raporti tregon se Putin e përdor shpesh pavarësinë e Kosovës për të shpërndarë propagandë anti-NATO dhe anti-Perëndimore.

Për më tepër, raporti tregon se Kosova vazhdon të jetë arsyeja kryesore për marrëdhënien e afërt që ekziston midis Serbisë dhe Rusisë. “Pozicioni i Rusisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që mbështet qëndrimin e Serbisë për Kosovën është burimi kryesor i ndikimit rus mbi peizazhin politik të Serbisë. Kjo shpjegon kryesisht pse qeveria e Partisë Progresive Serbe (SNS) e Presidentit Aleksandar Vuçiç ka ndjekur hapur një politikë të jashtme miqësore ndaj Rusisë, përfshirë edhe pas pushtimit rus të Ukrainës”

Të marra bashkë këto raporte mbështesin pretendimet e kryeministrit Kurti se Rusia është një aleate e fortë e Serbisë në luftën hibride kundra Kosovës. Ato parashtrojnë sesi ekziston një marrëdhënie reciproke dhe simbiotike midis ambicieve dhe planeve politike të Rusisë dhe atyre të Serbisë, gjë që kërkon një përgjigje të fortë dhe të organizuar nga ana e Bashkimit Evropian dhe mediave perëndimore.