Pretendimi: Ky produkt i rekomanduar nga mjeku Myftar Barbullushi shëron diabetin për 10 ditë
Verdikti: E pavërtetë, skemë mashtrimi
————————————–
Një video që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse duket se tregon gazetaren shqiptare Eni Vasili duke folur për “një truk 30 sekondësh që ul nivelin e sheqerit 3 herë më shpejt se çdo gjë tjetër” të demonstruar nga doktor Myftar Barbullushi, i cili “çmendi Europën.”
Sipas videos, kompanitë farmaceutike fshinë pamje të ketij truku nga interneti për të ruajtur përfitimet e tyre. Më tëj, vetë miliarderi Elon Musk pretendohet se ka konfirmuar se ky truk përdoret nga astronautët e SpaceX për të mbajtur nivelin e sheqerit.
Në pjesën e dytë të videos, duket se mjeku Myftar Barbullushi rekomandon në një fjalim të stërgjatur dhe të hallakatur, që shikuesit të klikojnë një link poshtë videos për të mësuar më shumë. Ai paralajmëron gjithashtu se ata nuk duhet të vonohen sepse video mund të fshihet nga çasti në çast.
Megjithatë, e gjithë video dhe narrativa e saj janë të rreme. Ato janë krijuar për një skemë mashtrimi që ka për qëllim shitjen e një produkti.
Ndër të parat shenja që kjo video nuk është autentike spikat shqipja e çalë e të dy folësve, “Vasili” dhe “Barbullushi.” Gjithashtu, zëri i “Vasilit” nuk i përngjan zërit të vërtetë të gazetares.
Kjo na bën të dyshojmë se video është manipuluar me anë të teknologjisë deepfake, e cila manipulon shprehitë e fytyrës. Videos së manipuluar me deepfake i është shtuar audio.
Vetë Barbullushi ka njoftuar se video është e rremë, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve.