Pretendimi: Ilir Alimehmeti këshillon në një intervistë trajtimin ndaj parazitëve
Verdikti: E pavërtetë
Mashtrimi i lexuesve nëpërmjet mediave online, me qëllim shitjen e preparateve të caktuara, është kthyer në një shqetësim. Faktoje verifikoi se si portalet përdorin emrin e mjekut, Ilir Alimehmeti për të shitur një produkt që pretendohet se trajton parazitët.
Artikuj të shpërndarë në media pretendojnë se mjeku Ilir Alimehmeti sugjeron një preparat për trajtimin e parazitëve.
“Rrëfimi tronditës i patologut: 9 nga 10 persona që kanë ndërruar jetë, janë plot me parazitë. Parazitët janë shkaku i vdekjes në 78% të rasteve! Ka shpëtim, por të gjithë heshtin për të! Kush përfiton nga kjo?”-shkruajnë portalet.
Artikulli i publikuar nga portalet
Shkrimi është ndërtuar në formën e një interviste me mjekun e njohur, por që në fillim të artikullit ka elementë që të bëjnë të dyshojnë mbi vërtetësinë e tij.
“Ilir Alimehmeti është patolog në Spitalin e Parë Klinikë të Tiranës me 40 vjet përvojë pune”-thuhet ndër të tjera në artikull. Mirëpo, Alimehmeti është mjek epidemiolog klinik dhe jo patolog.
Gjithashtu, shihet se është vënë logo e një prej mediave online në vend, “Newsbomb”, për ta bërë më të besueshme për lexuesit online.
Veç kësaj, shifrat në titull janë të fryra dhe të ekzagjëruara, duke aluduar se 78% e vdekjeve shkaktohen nga parazitët.
Në lidhje me këtë shkrim, ka reaguar edhe mjeku Ilir Alimehmeti. A bën të ditur se intervista është e rremë, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve.
“Tjetër mashtrim që përdor jo vetëm emrin tim, por edhe logon e medias Newsbomb. Ju lutem, mos bini pre e këtyre mashtrimeve të rëndomta që kanë për arsye vetëm shitjen e këtyre produkteve mashtruese. Nëse keni informacion për autorët, ju lutem t’i denonconi tek autoritetet”-apelon mjeku Ilir Alimehmeti.
Faktoje ka raportuar edhe më herët mbi këto skema mashtrimi, ku përdoren intervista të rreme me mjekë për të shitur produktet.