Pretendimi: Këto imazhe tregojnë një luftanije ruse që u godit me armë lazer nga një anije turke

Verdikti: E paprovuar

———————————————————————-

Një postim që ka marrë mbi 400 pëlqime në Facebook pretendon se një luftanije spiunazhi ruse u godit nga me armë lazer nga marina turke. Postimi pretendon se të njejtin fat pësoi aeroplanmbajtësja amerikane USS Harry S. Truman në brigjet e Egjiptit.

Postimi i mësipërm nuk ofron ndonjë provë apo burim për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm.

Anija ruse e spiunazhit Kildin

Imazhi i parë që shoqëron postimin tregon tymin që ngrihet nga një zjarr në bordin e anijes ruse të spiunazhit Kildin në brigjet e Sirisë më 23 janar 2025.

Associated Press mori audio të transmetimit nga Kildin, si dhe video dhe foto që tregonin zjarrin, që tre zyrtarë ushtarakë thanë se ishin kapur nga një anije nga një vend i NATO që vepronte aty pranë. Sipas zyrtarëve ushtarakë, Kildin, e mbushur me pajisje për mbledhjen e inteligjencës, doli përkohësisht jashtë kontrollit.

Anija 55-vjeçare Kildin mbledh inteligjencë mbi aktivitetet e NATO në Mesdhe dhe kishte operuar pranë stërvitjeve detare të Turqisë përpara zjarrit, sipas zyrtarëve që folën për AP. Ata thanë se flakët në bord vijuan për të paktën katër orë dhe se ekuipazhi i Kildin hoqi mbulesat nga varkat e shpëtimit, megjithëse nuk i hodhën kurrë në det. Kildin ngriti gjithashtu dy topa të zinj nga direkët e tij – një sinjal detar që anija nuk mund të drejtohet më. Pavarësisht shqetësimit të dukshëm, Kildin nuk iu përgjigj një oferte ndihme nga një anije e NATO, thanë zyrtarët.

Ata thanë se ekuipazhi përfundimisht rifitoi kontrollin dhe se Kildin është ende e stacionuar dhe po mbledh informacione në portin sirian Tartus, i shoqëruar nga një fregatë dhe një anije furnizimi. Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin.

Audio e regjistruar nga anija e NATO është një shkëmbim radio 75-sekondësh midis Kildin dhe një anijeje mallrash me flamur të Togos, Milla Moon, thanë zyrtarët.

Ata thanë se Kildin fillimisht e identifikoi veten tek Milla Moon si një anije tjetër, Sky, dhe më pas kërkoi të ndërronin kanalet për të vazhduar bisedën. Pas ndërrimit, dikush dëgjohet duke identifikuar anijen e tij si një anije luftarake. “Anija motorike Milla Moon, kjo është luftanije në kursin tuaj,” thotë zëri. “Të lutem më dëgjo.” Ai i kërkon Milla Moon të rrijë larg. “Unë jam duke pluskuar. Unë nuk jam nën komandë”, thotë ai. Milla Moon përgjigjet se do të riplanifikojë një rrugë nga larg përpara se të mbyllë komunikimin me: “S’ka përse. Vëzhgim të mbarë. Mirupafshim.”

Michael Kofman, një ekspert për ushtrinë ruse në Carnegie Endowment for International Peace, tha për The Guardian se incidentet në anijet detare ruse nuk ishin asgjë e re dhe nuk kufizoheshin vetëm në Mesdhe. “Marina ruse historikisht ka luftuar me çështjet e mirëmbajtjes dhe gatishmërisë. Zjarret nuk janë të rralla. Operacionet padyshim po dëmtojnë një flotë të vjetër ruse, së cilës i mungojnë lehtësirat e mjaftueshme të mirëmbajtjes dhe mbështetjes,” tha Kofman.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se ai nuk ishte në dijeni të një zjarri në bordin e Kildin dhe nuk tha se çfarë po bënte anija në atë kohë.

Zëvendës Adm. Michel Olhagaray, një ish-drejtues i qendrës së Francës për studime të larta ushtarake, tha se edhe pse Kildin rifitoi drejtimin, zjarri nxjerr në pah vështirësitë logjistike për Rusinë në mbajtjen e forcave detare në Mesdhe, larg bazave të saj në Arktik dhe Detin Baltik.

Moska gjithashtu nuk është më në gjendje të përdorë flotën e saj të Detit të Zi për patrullimet e Mesdheut, sepse gjatë luftës në Ukrainë, Turqia nuk lejon anije luftarake të kalojnë përmes Bosforit, i cili lidh detin e Zi dhe Mesdheun.

Anija ruse e spiunazhit Liman

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i dytë që shoqëron postimin tregon anijen Liman, një anije spiunazhi ruse që u mbyt në 27 prill 2017 në Detin e Zi, 29 km larg Stambollit. Anija Liman u fundos pas një përplasje me anijen Youzarsif H, një transportues bagëtish me flamur të Togos, i cili po shkonte për në Jordani nga Rumania. Fatmirësisht, i gjithë ekuipazhi prej 78 personash u shpëtua.

Aeroplanmbajtësja amerikane USS Harry S. Truman

Aeroplanmbajtësja amerikane USS Harry S. Truman u përplas me anijen tregtare me flamur panamez Besiktas-M rreth orës 23:46 më 12 shkurt, ndërsa operonte në afërsi të Port Said, Egjipt, në Detin Mesdhe. Përplasja nuk rrezikoi aeroplanmbajtësen dhe nuk kishte raportime për përmbytje apo lëndime. Një javë pas hapjes së hetimit mbi incidentin, kapiteni i USS Truman nga dhjetori 2023, Dave Snowden, u hoq nga komanda.

Një foto e publikuar nga Marina amerikane tregonte dëmtime të mëdha në anën e aeroplanmbajtëses.

Zonat e prekura përfshinin “murin e jashtëm të dy dhomave të magazinimit dhe një hapësirë ​​mirëmbajtjeje”, sipas një deklarate nga Flota e 6 e Marinës. Anija pësoi dëmtime edhe në pjesën e jashtme.

Dëmtimet e jashtme në pjesën e pasme të djathtë të aeroplanmbajtëses USS Truman

Hetimi mbi përplasjen e dy anijeve vijon, por deri tani nuk ka asnjë provë apo deklaratë nga Marina amerikane apo ajo turke se ajo ishte shkaktuar nga ndonjë armë turke.