.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëManastirliu: “E kemi vendosur të arrijmë 1 milion vaksinime brenda muajit qershor”

Manastirliu: “E kemi vendosur të arrijmë 1 milion vaksinime brenda muajit qershor”

Objektivi i ministres së Shëndetësisë për 1 milionë vaksinime brenda qershorit nuk u arrit. Gjatë verifikimit të Faktoje, rezultoi se qeveria deklaron më shumë doza të injektuara, sesa doza të administruara të vaksinës anticovid. Asnjë nga zyrtarët e pyetur për këtë mospërputhje nuk u përgjigj, ndërkohë që edhe ministria e Shëndetësisë refuzoi më herët t’i përgjigjej kërkesës për informacion mbi numrin e dozave të injektuara sipas kompanive prodhuese.


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, më datë 23 maj në aeroportin Nënë Tereza, ndërsa priste mbërritjen e 60 mijë dozave të vaksinës Coronavac në Aeroportin “Nënë Tereza” u shpreh:

“E kemi vendosur të arrijmë 1 milion vaksinime brenda muajit qershor.”

Në datë 1 korrik, Faktoje verifikoi nëse u arrit objektivi I vendosur nga ministrja Manastirliu, duke kontrolluar fillimisht përditësimin e faqes zyrtare për numrin e dozave të vaksinës anti Covid që janë injektuar që në fillim të procesit.

 

“Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 968,034 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 403,504 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.”-shkruhet në njoftimin e datës 1 korrik në faqen e MSH.

Po këtë të enjte të 1 korrikut, gjatë fjalimit në Kuvend, ku njoftoi për sigurimin e sasive të reja të vaksinave anti Covid, përmes mekanizmit Covax, zonja Manastirliu deklaroi të njëjtën shifër injektimesh, prej 968 034 dozash.

Sipas këtyre të dhënave, konstojmë se kur ka hyrë muaji korrik, ende nuk është arritur objektivi i ministres së Shëndetësisë për 1milionë vaksinime brenda muajit qershor, siç u zotua në deklaratën e 23 majit.

Me disa llogari të thjeshta kuptohet se mbeten edhe rreth 32 mijë doza për të arritur 1 milionshin. Ndërkohë, bazuar tek të dhënat e Ministrisë numri i qytetarëve të vaksinuar është:

403 504 (të vaksinuar me dy doza/807 008 doza)

+ 161 026 (të vaksinuar me një dozë/161 026 doza)


=564 530 persona të vaksinuar gjithsej (968 034 doza)

Pra realisht numri i të vaksinuarve deri më sot, është thuajse gjysmë million.

Përtej kësaj, gjatë verifikimit të disa burimeve për numrin e dozave te administruara dhe atyre të injektuara, Faktoje vuri re një mospërputhje shifrash në raportimin zyrtar të qeverisë dhe atyre të agjencive ndërkombëtare mbi numrin e vaksinave.

Reuters dhe New York Times, që përditësojnë të dhënat për numrin e vaksinave sipas shteteve (referuar data bazës Our World in Data ) në datën 1 korrik tregonin se Shqipëria ka administruar 955 498 doza vaksinash anticovid gjithsej.

Screenshot nga faqja Reuters që tregon se sa vaksina janë administruar.

Screnshot nga faqja zyrtare e New York Times që tregon se sa vaksina janë administruar.

Por në 1 korrik, MSH deklaroi zyrtarisht se janë injektuar 968 034, mbi 12 mijë mijë doza më shumë sesa ç’janë administruar.

Nga ana tjetër Reuters dhe NYT sqarojnë se disa shtete (ku përfshihet Shqipëria) nuk ofrojnë të dhëna për numrin e personave të vaksinuar me një dozë dhe atyre me dy doza të vaksinës anticovid.

Screenshot nga faqja zyrtare e New York Times ku tregohet që shumë vende nuk kanë të dhëna për numrin e dozave dhe numrin e të vaksinuarve

Nisur nga këto mospërputhje, Faktoje kërkoi një qartësim nga zyrtarët e ISHP, që janë njëkohësisht edhe anëtarë të Komitetit të Ekspertëve. Ne kontaktuam përmes platformës whatsapp me drejtuesen e ISHP Albana Fico, drejtuesen e departamentit të Epidemmiologjisë në ISHP, zonjën Silva Bino dhe zonjën Eugena Tomini. Asnjëra prej tyre nuk ktheu përgjigje.

Screenshot i pyetjeve drejtuar përmes whatsapp drejtuar zonjës Silva Bino të ISHP (të njëjtat pyetje iu drejtuan edhe zonjës Fico dhe Tomini)

Nga monitorimi i rregullt i procesit të vaksinimit masiv të popullatës kundër Covid-19, Faktoje ka konstatuar në disa raste mungesë të transparencës sa i takon dhënies së informacionit.

Më herët Faktoje i kishte dërguar një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë, ku kërkonte të dinte se sa është numri i qytetarëve të vaksinuar, sipas kompanive prodhuese, por ende nuk kemi marrë përgjigje.

Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img