Pretendimi: Kjo video tregon një mal me flori të zbuluar së fundi në Skrapar
Verdikti: Gjeneruar me AI
———————————————————————-
Një video që ka marrë mbi 3 mijë pëlqime në Facebook, e ndarë nga një portal informativ, pretendon se tregon një mal me flori të gjendur në Skrapar. Video nuk shoqërohet me ndonjë përshkrim të mëtejshëm duke tërhequr shumë komente.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar nga përdorues të ndryshëm në Youtube dhe rrjete sociale brenda 7 ditëve të fundit.
Ajo është postuar për herë të parë në Facebook më 30 gusht, nga një faqe në gjuhën vietnameze, e cila e shoqëron me përshkrimin “Burimi i artë, do t’u vijë fat i mirë për 1 orë.”
Në cepin e poshtëm, djathtas, të videos vihet re se mbishkrimi “Candy Love” mbulon një mbishkrim të mëparshëm që mund të na ndihmojë të gjejmë origjinën e videos.
Vërejmë se një video e ngjashme, e cila shfaqet në rezultatet e kërkimit të Google Lens, ka një mbishkrim me shkronja kineze që përputhet me mbishkrimin e mbuluar në videon që po analizojmë.
Një kërkim i këtyre shkronjave kineze na dërgon në faqen e aplikacionit kinez Kuaiying. Një nga shërbimet që ofron ky aplikacion është gjenerimi i videove me anë të programeve të inteligjencës artificiale.
Mbishkrimi në video gjithashu shënon “Klíng AI”, programi i inteligjencës artificiale që është përdorur për të gjeneruar videon.
Kështu, mos nxitoni për në Skrapar, mali me flori është trillim i një programi kompjuterik kinez.