Pretendimi: Zgjedhjet evropiane eleminuan nga politika Macronin
Verdikti: Mungon Konteksti
Barbara Halla
Në Francë, partia e ekstremit të djathtë fitoi 31.37% të votavë në zgjedhjet evropiane të 6-9 qershorit, gati dyfishin e koalicionit politik të presidentit aktual Emmanuel Macron. Pas këtyre rezultateve negative, Macron vendosi të shpërbëjë parlamentin francez ku partia e tij, në koalicion me parti të tjera të qendrës së djathtë, ishin në mazhorancë. Zgjedhjet e reja do të mbahen në dy turne, në 30 qeshor dhe 7 korrik. Pas këtij vendimi të Macron, në mediat shqiptare ky vendim u portretizua si “eliminimi” i Macron. Përdorimi i paqartë i fjalës “eliminim” nuk merr parasysh përse pozicioni i tij si president i vendit nuk cënohet pavarësisht rezultatit të këtyre zgjedhjeve të parakohëshme.
Franca është një sistem hibrid politik, i cili përfshin një president, i cili zgjidhet direkt nga populli dhe mban fuqi të forta ekzekutive, si dhe një kryeministër i cili drejton legjislativin, pra parlamentin. Në Francë, populli nuk voton për kryeministrin, por vetëm për presidentin. Eshtë ky i fundit që cakton më pas kryeministrin. Macron u zgjodh si president i Francës për herë të parë në 2017-tën dhe përsëri në 2022. Ai do të shërbejë si president i vendit deri në 2027 dhe do ta mbajë këtë pozicion pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve të përkohëshme që ai vetë urdhëroi. Edhe përse Macron i mbetet gjithnjë opsioni për të hequr vetë dorë nga presidenca, ai ka thënë për mediat franceze se kjo gjë nuk do të ndodhë pavarësisht rezultateve.
Zgjedhjet 30 qershorit janë zgjedhje parlamentare, ku do të vendoset përbërja e Asamblesë Kombëtare dhe Senatit – dy dhomat e parlamentit francez. Pas këtyre zgjedhjeve, Macron-i vetë do të përzgjedhë kryeministrin e vendit, i cili më pas duhet të aprovohet nga parlamenti i ri. Në rast se partia e Macron fiton përseri mazhorancën, edhe në koalicion, ai do të mund të përzgjedhë një figurë nga partia e tij si kryeministër. Përndryshe, kryeministri do të vijë nga koalicioni që ka mazhorancën. Kjo situatë, ku presidenti dhe kreyministri i vendit vijnë nga parti të ndryshme, njihet në historinë politike të Francës si “bashkëjetesë.” Kjo gjë mund të ndodh nëse ekstremi i djathtë arrin në këto zgjedhje kombëtare fitoren që siguroi në zgjedhjet evropiane.
Përtej problemit të “eliminit” politik, artikulli në fjalë flet edhe për Ukrainën dhe se humbja e Macron vjen si pasojë e retorikës pro-Ukrainës dhe dëshirën e Macron për përfshirjen “direkte të vendit në një konflikt me Rusinë që do të çonte në një Luftë të Tretë Botërore.” Edhe pse çështja e Ukrainës është përdorur nga partitë e ekstremit të djathtë – të cilat si në rastin e francezes Rassembleme National janë pro-ruse – në Francë, çështja e Ukrainës nuk ka qënë faktori determinues. Sipas exit poll-eve të kryera teksa votuesit dilnin nga qendrat e votimit, 45% e të anketuarëve thanë se fuqia blerëse ishte problemi kryesor për ta, ndjekur nga emigrimi (43%) dhe klima (27%).
Sipas një sondazh i Eurobarometrit në dhjetor të 2023, 70% e francezëve e shohin luftën e Rusisë ndaj Ukrainës si një kërcënim për sigurinë e BE-së. Ndërkohë që 90% mbështesin ndihmat humanitare ndaj Ukrainës, ndërsa 55% mendojnë se Ukraina duhet armatosur nga BE-ja.