Pretendimi: Kancelari gjerman Merz, presidenti francez Macron dhe kryeministri britanik Starmer u kapën duke përdorur kokainë
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————-
Pamje nga një udhëtim me tren për në Kiev të Ukrainës, gjatë të cilit presidenti francez Macron u takua me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, po raportohen në rrjete sociale, përfshi dhe ato shqipfolëse, si ‘kapja’ e tre liderëve duke konsumuar kokainë.
Më 9 maj 2025, kryeministrat e Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë udhëtuan për në Ukrainë. Udhëheqësit politikë të Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Polonisë sugjeruan që udhëheqësi rus Vladimir Putin të binte dakord për një armëpushim 30-ditor me Ukrainën ose të përballej me sanksione të mundshme “masive”, sipas Macron.
Video që ka qarkulluar tregon Merz, Macron dhe Starmer në të njëjtin vagon, të filmuar nga një grup gazetarësh. Pak pasi presidenti francez dhe kancelari gjerman ulen në tavolinë, ata fshehin përkatësisht një objekt të bardhë tredimensional dhe një objekt të vogël drejtkëndor në grushtet e tyre. Meqenëse video është me cilësi të dobët, është e vështirë të shihen objektet në detaje.
Sipas videopamjeve nga AFP, para se të ulen, burrat janë plotësisht të vetëdijshëm se janë duke u filmuar dhe askush nuk përpiqet ta fshehë objektin e bardhë në tavolinë. Vetëm kur Macron dhe të tjerët ulen për të pozuar për fotografi, ai e heq objektin e bardhë nga tavolina. Merz gjithashtu merr sendin e vogël nga tavolina dhe duket se luan me të.
Postimet e mësipërme i referohen objekteve mbi tavolinë, të cilët i përshkruajnë si një “qese me pluhur të bardhë” ose një “qese me kokainë” dhe një “lugë të dyshimtë” përzierje.
Megjithatë, nëse vërejmë pamje me cilësi të lartë, të cilat nuk janë publikuar nga llogari institucionale, por nga agjenci lajmesh si AFP ose AP, mund të shihet se objekti nuk është një qese me përmbajtje të bardhë, por një pecetë letre e përdorur. Duket se Macron përpiqet ta heqë nga tavolina letrën për të mos patur në imazhe pamjen e dikujt të rrëmujshëm, dicka e kuptueshme në një udhëtim të gjatë me tren.
Vlen të përmendet se në postimet e mësipërme, video është me rezolucion dhe cilësi të ulët, duke rezultuar në konfuzion dhe dyshime për çdo përdorues të mediave sociale që e shikon atë.
Gjithashtu vihet re se kancelari gjerman Merz nuk po përpiqej të fshihte një lugë. Siç mund të shihet nga videot dhe fotot e qarta, është një mikser i vogël prej druri për pije, i ngjashëm me një kruajtëse dhëmbësh.
Me sa duket të dy i morën këto dy sende nga tavolina, ndërsa fotografët erdhën për të kapur momentin. Gazetarët nuk hynë papritur në vagon, por ishin tashmë aty kur Macron dhe Merz takuan Starmer në tavolinë.
Presidenca e Republikës Franceze, nëpërmjet llogarisë zyrtare në Twitter , postoi një mesazh ku mohonte se bëhej fjalë për një qese me kokainë. “Kur uniteti evropian bëhet një shqetësim, dezinformimi arrin deri aty sa e bën një shami të thjeshtë të duket si drogë. Ky mashtrim po përhapet nga armiqtë e Francës, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ne duhet të mbetemi vigjilentë ndaj manipulimit,” shkruante postimi.
“Kjo është një pecetë. Për të shfryrë hundën.” (majtas) “Ky është uniteti europian. Për të ndërtuar paqe.” (djathtas)