ILDA KURTI
Fluksi i emigrantëve të jashtëligjshëm që kalojnë nëpërmjet Shqipërisë, pothuajse është 9-fishuar në krahasim me vitin 2015. Nga viti 2017 deri në 2020, në Shqipëri kanë hyrë 38.668 emigrantë të paligjshëm, sipas të dhënave që Faktoje ka siguruar nga Ministria e Brendshme. Sipas dëshmisë së një të riu maroken për Faktoje, as pandemia dhe kufizimi i lëvizjeve nuk i reduktoi ato. Rrugëtimi është kthyer në sfidë për jetë a vdekje, vetëm e vetëm për të siguruar një të ardhme më të mirë në Europë.
Pandemia nuk e frenoi lëvizjen e grupeve të emigrantëve, përkundrazi ata u përgatitën për sfida edhe më të vështira në rrugën e tyre të mundimshme, por pa kthim drejt një jete më të mirë.
Faktoje arriti të sigurojë një intervistë ekskluzive dhe dokumentoi rrugëtimin që përshkoi një grup emigrantësh marokenë, nga shteti i tyre i origjinës deri në vendndodhjen aktuale, në tentativë për të mbërritur në destinacion, që është një prej shteteve të Bashkimit Europian.
Ahmad Said* (kështu vendosi të vetëidentifikohet përpara lexuesve për të ndarë historinë e tij personale), 26 vjeç, ka mbaruar studimet bachelor në Institutin e Teknologjisë për Marinë Peshkimi në Marok dhe prej thuajse tre muajsh detyrohet të përshkojë kilometra të tëra në këmbë, në territore të panjohura për të arritur Europën.
“Vendi ynë është i pasur, po njerëzit i ka të varfër. Ndaj dua që fëmijët e mi t’i rris në një vend ku respektohen të drejtat.” – u përgjigj Ahmad kur e pyetëm se për ç’arsye ishte detyruar të braktiste Marokun.
Vëllai i tij ka mbaruar studimet për drejtësi dhe zotëron katër gjuhë: gjermanisht, anglisht, frëngjisht dhe arabisht, po prapseprapë nuk ia doli të gjejë dot punë në vendin e tij.
Të papunë dhe të pashpresë, të rinjtë marokenë detyrohen të ndërmarrin rrugëtimin e rrezikshëm drejt Europës.
I pyetur për itinerarin që do të ndjekë, Ahmad rrëfen se fillimisht ka blerë biletën e avionit nga Kazablanka në Stamboll për 250 Euro e më pas kalimi drejt Selanikut kryhet nga një trafikant kundrejt shumës 850 Euro. Ahmad e konsideron veten shumë me fat, pasi ky shërbim i kushtoi vetëm 250 Euro, për shkak të një miqësie të hershme.
“Në Komotini, një pjesë nga shokët e grupit tim i zuri policia. Unë vrapova dhe flaka edhe çantën nga shpina që të largohesha më shpejt. U ktheva më vonë për të marrë ato pak sende të vlefshme që kisha në çantë: telefonin, karikuesin, dokumentat dhe paratë e mbetura.”
Takimi pas disa ditësh me miqtë e tij të dhunuar e shtyu të largohej sa më shpejt nga Greqia, pasi ushtarët grekë, siç dëshmoi ai për Faktoje, kishin një sjellje brutale kundrejt emigrantëve.
Foto e një emigranti maroken që dëshmon se është goditur me shkop gome nga ushtarë grekë
Të tjerë emigrantë ta paligjshëm marokenë që dëshmojnë dhunë policore në kufirin grek
Ahmad tregon se ishin të frikësuar për fatin që i priste:
“Për 3 ditë qëndrova nëpër rrugët e zbrazura të Selanikut. Nuk kishim asgjë për të ngrënë. Bënte shumë ftohtë dhe u strehuam nën harkun e një ure. Dyqani ishte shumë larg prej aty.”
I pyetur se përse nuk kërkoi ndihmë nga bashkëudhëtarët, Ahmad tha se të gjendur në kushtet e mbijetesës të gjithë shqetësoheshin që të ruanin ngrohtësinë e trupit edhe për pak kohë që të mos kalonin në hipotermi.
“Aty me ne ishin dy vëllezër dhe njëri prej tyre hëngri, e nuk e ndihmoi të vëllanë… Nuk ia uroj këtë as armikut tim! Nuk kërkova bukë, sepse e dija që nëse do t’më thonin jo, do lëndohesha përbrenda.”
Edhe pse i drobitur nga udhëtimi, duart plot vraga dhe me fytyrën të lodhur nga ashpërsia e motit, Ahmad qëndron shpresëplotë dhe mirëkuptues ndaj bashkëudhëtarëve të tij. Mjerimi nuk kishte arritur ta thyente ende pasi është i përgatitur për këtë luftë mbijetese ku ka të fituar, por edhe të humbur.
“Nga Selaniku kemi ecur për 1 muaj e 4 ditë drejt pikëkalimit në Kastoria për të vijuar më pas me ecjen drejt kufirit shqiptar.”-thotë Ahmad.
Falë hartave të aplikacioneve të shkarkuara në telefon dhe powerbanks, grupi ku ai bënte pjesë ia doli të mbërrijë në kufi me Shqipërinë, duke kaluar nëpër zonat e shkreta dhe të pabanuara, për t’i shpëtuar policisë greke.
“Grupi ynë përbëhej nga 18 vetë. Kur po zbardhte dita na zunë policët e FRONTEX në orën 07:00 të mëngjesit. Të tetëmbëdhjetëve na morën dokumentat dhe shenjat e gishtave. Na ofruan dhe diçka për mëngjes pas marrjes në pyetje.”-pohon ai.
Ahmad mohoi t’i jetë nënshtruar procesit “screening” në praninë e një përkthyesi. Madje ai dëshmon se edhe pse me një anglishte të çalë, iu desh të bënte përkthimin e pyetjeve në arabisht për shokët e grupit, pasi ishte i vetmi që kuptonte pak fjalë në atë gjuhë.
“Kur përkthyesi erdhi në kufi, ne thuajse kishim mbaruar punë tërësisht. Në orën 13:00 atë ditë na kthyen prapë në kufi, po aty ku na gjetën. Pritëm ndonjë gjysmë ore sa u siguruam mirë që policia ishte larguar dhe nisëm të ecnim sërish drejt një rruge tjetër tashmë, me terren shumë më të vështirë krahasuar me atë që ndoqëm më parë në mal. Nuk mund të rrezikonim që të kapeshim, ndaj na u desh të ndaheshim në 4 grupe më të vegjël. Ndoqëm 4 rrugë të ndryshme dhe e lamë të takohemi në majë të malit, sapo të hynim në tokë shqiptare.”
I pyetur rreth përbërjes së grupit, Ahmad pohoi se ishin të gjithë meshkuj e se midis tyre ishte edhe një 17-vjeçar. Ahmad na rrëfeu se rruga sfilitëse, moti i keq dhe situatat e vazhdueshme të dhunës, e bënin këtë rrugë shumë të rrezikshme për gratë dhe vajzat. Megjithatë, kishte dëgjuar për historitë e shumë prej tyre që kishin kaluar drejt Shqipërisë dhe sot ishin në proces azili në shtete europiane.
“Shoku im njihte dikë që kaloi kësaj rruge përpara dy vjetësh dhe ende sot nuk është dëgjuar asnjë lajm rreth tij. Unë besoj se ai ka vdekur. Vjet po ashtu 4 shokë po kalonin maleve malazeze: 2 prej tyre vdiqën gjatë natës dhe 2 të tjerët u detyruan të vazhdojnë të ecin. Dëbora është arsyeja e vdekjes së tyre. Nga lodhja, shtrihen për të fjetur dhe të nesërmen…”
Përmes kufirit të gjelbër, grupi i Ahmad arriti të kalojë brenda territorit shqiptar. Lart në mal kishte vrarë njërën këmbë dhe grupi kishte ngadalësuar ritmin për ta pritur. Ishte detyruar të mbështetej tek një shkop për të vijuar ngjitjen e mundimshme në malet e mbuluara nga dëbora.
“Dy net na u desh të flinim në malet e Korçës. Pastaj një taksist me Mercedes na solli në Tiranë mua dhe 2 shokë të tjerë. Paguam secili nga 250 Euro.”
Në Tiranë u strehuan në një hotel për dy net dhe vijuam rrugën drejt Shkodrës.
“Fillimisht morëm autobusin e linjës Tiranë-Shkodër dhe më pas morëm një taksi për të na çuar pranë kufirit. Paguam rreth 40 Euro. Më pas ecëm deri në kampin malazez.”
Ahmad tregoi se në kampin e atjeshëm situata ishte më njerëzore:
“Na dhanë ujë dhe bukë e na strehuan nëpër kapanone, me shtroje fjetjeje.”
Ahmad besonte se do të qëndronte atje deri në pranverë, kur moti të zbutej dhe kalimi drejt Europës të jetë pak më i sigurtë se në dimër. Përgjatë komunikimit të fundit, Ahmad na tregoi se ishte detyruar të provonte kalimin me këmbë drejt Serbisë dhe tashmë gjendej fare pranë kufirit europian, ose hyrjes nëpërmjet Hungarisë, ose hyrjes nëpërmjet Rumanisë.
Nga aty, Ahmad shpreson se të mund të vijojë rrugëtimin dhe një ditë të arrijë të bashkohet me vëllezërit e tij në Spanjë, ku tashmë kanë nisur një jetë normale dhe po punojnë si mekanikë makinash.
Mbase një ditë edhe Ahmad do të përmbushë qëllimin e tij: do të arrijë në Spanjë dhe mbase do të fillojë një punë në profesionin e tij. Çdo hap më shumë e afron me ëndrrën e tij.
Rasti i Ahmad është një prej qindra të tjerëve që e shohin Shqipërinë si një vend tranzit.
Faktoje iu drejtua Ministrisë së Brendshme nëpërmjet një kërkesë për informacion, për të mësuar më shumë në lidhje me shifrat e rregjistruara ndër vite mbi këtë fenomen.
Kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Brendshme, datë 06.01.2021
Kërkesa mori një përgjigje të paplotë nga Ministria e Brendshme, që u mjaftua duke e deleguar atë tek Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Kjo e fundit nuk u përgjigj brenda afateve ligjore të paracaktuara.
Pas ankimimit që bëri Faktoje tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit, kjo kërkesë mori një përgjigje zyrtare.
Përgjigjja zyrtare nga institucioni i Policisë së Shtetit, datë 04.02.2021
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të dhënat e arkivuara paraqesin shifrat sipas tabelës përmbledhëse më poshtë:
Nga një përllogaritje e thjeshtë, në pesëvjeçarin e fundit, në Shqipëri kanë hyrë 41.629 emigrantë të parregullt.
Grafiku i mëposhtëm tregon vizualisht se sa e madhe ka qenë kjo rritje, krahasuar me dyvjeçarin e parë. Numri i emigrantëve të paligjshëm rezulton të jetë 9-fishuar.
Paraqitje vizuale e të dhënave të marra nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit në lidhje me shifrat e emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë në Shqipëri në pesëvjeçarin e fundit. Përpunuar nëpërmjet platformës Datawrapper. ©Ilda Kurti
“Kombësitë kryesore të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë përmes Shqipërisë, të identifikuara përgjatë këtyre viteve janë: siriane, marokene, irakene, afgane, algjeriane, libaneze dhe pakistaneze”- thuhet në përgjigjen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për Faktoje, ku marokenët renditen në vend të dytë, për kalimin e tyre përmes Shqipërisë si vend tranzit drejt destinacioneve të BE-së.
Në fund të intervistës, Ahmad u shpreh i zhgënjyer për mekanizmat ndërkombëtarë që supozohet të mbrojnë të drejtat migrantëve, azilkërkuesve dhe refugjatëve:
“In this world, there is evil and good. UNHCR, IOM, they do an inhumane act.” (Në këtë botë ekziston e mira dhe e keqja. UNHCR-ja, IOM-i, po kryejnë një akt johuman.)- thotë ai.
Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion në datën 07.01.2021 pranë përfaqësisë së UNHCR në Shqipëri në lidhje me situatën e emigrantëve në Republikën e Shqipërisë, por nuk morëm një përgjigje nga ana e tyre.
*Foto ballore është marrë nga DW