Pretendimi: Ministres suedeze të Shëndetësisë i ra të fikët sepse ishte vaksinuar
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————
Një video e ministres suedeze së Shëndetësisë, Elisabet Lann, duke i rënë të fikët në podium po qarkullon në rrjetet konspiracioniste shoqëruar me insinuatën e zakonshme se kjo humbje ndjenjash ishe pasojë e vaksinimit apo “gjilpërës.”

Video tregon vërtet ministren e re suedeze të Shëndetësisë, së cilës i ra të fikët në një konferencë për shtyp më 9 shtator 2025.
Megjithatë, nuk ka asnjë provë që mbështet pretendimin se humbja e ndjenjave ishte pasojë e vaksinimit.
Sipas mediave vendase, Lann tha se ajo humbi ndjenjat si pasojë e një “rënie të sheqerit në gjak.”
“Kjo nuk ishte ekzaktësisht një e martë normale, dhe kjo është çfarë mund të ndodhë kur të bie sheqeri në gjak,” tha ministrja.
“U shërova shumë shpejt dhe u ndjeva mirë pothuajse menjëherë pas dhe e përmbusha planin tim gjatë ditës,” tha Lann.
Ajo tregoi se i ka rënë të fikët edhe më parë.
“Kjo është lidhur me faktin se kam fjetur dhe ngrënë keq dhe kam pasur një orar shumë të ngjeshur. Dhe kjo është ajo që e karakterizoi ditën time dje,” shpjegoi Lann. “Ndodhi shumë shpejt, përndryshe ndoshta do të isha ulur. Erdhi shumë papritur, kështu që nuk pata kohë të mendoja shumë.”
Ministrja e re e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale duket se e përballoi me humor këtë incident.
“Mund të bëj shaka me këtë dhe të qesh me faktin që unë të paktën jam bërë e njohur. Por në të njëjtën kohë, mendoj se së shpejti është koha ta lë pas këtë dhe të filloj punën, dhe e pres me shumë padurim këtë,” tha ajo.
Një ndjesi e papritur debolese është një nga simptomat e hipoglicemisë, një rënie e menjëhershme e niveleve të sheqerit në gjak. Shkaqet përfshijnë gjumin e pamjaftueshëm dhe të ushqyerit e dobët dhe të parregullt. Hipoglicemia nuk prek vetëm njerëzit me diabet, ajo mund të ndodhë edhe tek njerëzit e shëndetshëm.