Nga Sebi Alla – Më 4 prill, shqiptaro-amerikani Nuredin Seci, presidenti i firmës ‘Continental Strategy LLC’, Carlo Trujillo, (ish-këshilltar dhe avokat i presidentit amerikan, Donald Trump); si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, nënshkruan kontratë shërbimi, ku përfituese do të jetë Partia Demokratike.
Kontrata
Vlera e kontratës është 250 mijë dollarë në muaj dhe palët bien dakord që të shtrihet deri në 24 muaj, por me të drejtë shkëputjeje të pakohëshme të kontratës pasi të gjithë nënshkruesit të dakordësohen. Kompania e lobimit “Continental Strategy LLC” merr përsipër qasjen e PD-së dhe drejtuesve të saj në elitën politike amerikane, veçanërisht me kongresmenë, por edhe shërbime të tjera si nismë kundër korrupsionit apo reforma qeveritare në përputhje me marrëdhëniet Shqipëri-SHBA. Publikimi i kësaj kontrate tre javë para datës së zgjedhjeve shkaktoi akuza të ndërsjellta dhe reagime të palëve. Politika, KQZ dhe SPAK reaguan në forma të ndryshme, por ajo që dihet deri më tani nga kjo kontratë duket qëllimi i PD-së për të pasur një akses më shumë në SHBA, nëpërmjet një kompanie të drejtuar nga persona të cilët kanë qenë pjesë dhe disa prej tyre janë pjesë e stafit të presidentit amerikan Donald Trump.
Reagimet
Në kulmin e fushatës elektorale kryeministri Edi Rama nuk e la pa e përdorur këtë moment teksa hodhi dyshime mbi burimin e shumës 6 milionë euro sipas tij, por edhe qëllimit se përse do të jepeshin. “Është bërë një kontratë 6 milionë euro, thuhet nga patriotë, iu kujtohet që edhe herën e kaluar, Luli i shkretë për 500 mijë u bë leckë, edhe ai kështu tha: U mblodhën ca patriotë. Po 6 milion euro për të hequr damkën e një personi non grata janë vërtet shumë për të mos bërë pyetjen; Ku u gjetën gjithë ato para? Dhe si mundet që thjesht dhe vetëm për hallin e një njeriu të paguhen më shumë para sesa çfarë shteti shqiptar jep për të gjitha partitë politike të marra së bashku”, tha Rama.
Barra financiare
Partia Demokratike doli me një qëndrim zyrtar duke theksuar se PD nuk ka asnjë barrë financiare për këtë kontratë, pasi sipas saj të ardhurat janë siguruar nga “patriotë shqiptarë” që jetojnë në SHBA. “Kontributi financiar për realizimin e këtij qëllimi është marrë përsipër 100% nga patriotë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej dekadash në SHBA, si dhe demokratë të tjerë të larguar nga Shqipëria këto 10 vite për shkak të regjimit të Edi Ramës”, thuhet në komunikatën zyrtare të PD-së. Më tej, subjekti politik thekson se komuniteti shqiptaro-amerikan, përmes fondacionit “Make Albania Great Again”, ka kontraktuar kompaninë “Continental” për të ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve miqësore të Partisë Demokratike, si forca më e madhe opozitare, me Kongresin dhe Qeverinë e SHBA-së. “Synimi i bashkatdhetarëve tanë në SHBA është bashkëpunimi i PD-së me aleatin kryesor të Shqipërisë për të rivendosur demokracinë funksionale dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.
Kushtet financiare
Duke iu referuar kontratës, kompania ‘Continental Strategy LLC’, me drejtues Carlo Trujillo tashmë i ka marrë paradhënie tre muaj, vlerë e cila kap shumën 750 mijë dollarë. “Klienti (nëpërmjet Garantuesit të tij) do t’i paguajë firmës një mbajtës mujor prej 250,000 dollarësh për një paketë mbështetëse gjithëpërfshirëse të iniciativave të lobimit, advokimit dhe çështjeve gjyqësore strategjike për një periudhë prej 24 muajsh (“garancia mujore”) dhe në përputhje me Afatin e Marrëveshjes. Pagesa për tre muajt e parë (paradhënie) do të bëhet me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje,” thuhet në kontratë. Kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi me nënshkrimin dhe do të rinovohet automatikisht në baza mujore pas kësaj, përveç nëse njëra palë jep me shkrim njoftim për mosrinovim/ndërprerje të paktën 30 ditë përpara datës së përfundimit. Pas 60 ditëve fillestare të kontratës secila palë mund të japë njoftim me shkrim për mosrinovim/përfundim të paktën 30 ditë para përpara përfundimit të propozuar,” thuhet në kontratë.
Institucionet e pavarura vëzhgojnë
Pak orë pas publikimit të kontratës, edhe pse në ditë pushimi (të dielën e kaluar), SPAK bëri me dije se ka nisur verifikimin për këtë kontratë me tre palë dhe ligjshmërinë e burimeve që financojnë shërbimin e përcaktuar në kontratë. “Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimet në lidhje me kontratën e lobimit të subjektit politik Partia Demokratike”, shkruhet në njoftimin e shpërndarë nga SPAK për mediet përmes aplikacionit ËhatsApp. Ndërsa më e kushtëzuar duket Komisioni Qendror Zgjedhor, i cili duke iu referuar ligjit, saktëson se koalicionet kanë kohë deri në 60 ditë pas shpalljes së rezultatit zgjedhor për të dorëzuar të ardhurat dhe shpenzimet. Kryekomisioneri Ilirian Celibashi, në përgjigje të interesimit të medias për kontratën e lobimit të PD-së në SHBA tha se: “Nuk ka detyrim në këto momente që t’i dorëzojë të ardhurat dhe shpenzimet si subjekt zgjedhor dhe që do të thotë se nuk e kemi këtë kontratë dhe nuk ka as detyrim, sikurse thuhet se ‘pse nuk është kërkuar kjo kontratë nga ne’. Por në momentin që do e kemi, do japim shpjegimin tonë për këtë kontratë,”tha Celibashi.
Përfundimi
Në kontratë nuk saktësohet “lobim” për heqjen e sanksionit “non grata” për kryetarin e PD-së Sali Berisha, edhe pse indirekt nënkuptohet një gjë e tillë sa kohë që në një nga pikat e kontratës thuhet se kompania e lobimit merr përsipër qasjen e PD dhe të drejtuesve të saj (pra edhe të Sali Berishës si kryetar) në elitën politike amerikane.
Gjithashtu duke iu referuar pikave të kontratës, nuk është akorduar shuma 6 milionë dollarë por paradhënie për tre muajt e parë të lobimit, ndërsa palët mund ta shkëpusin kontratën me mirëkutim, duke njoftuar paraprakisht një muaj përpara. Ndaj dhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama se janë dhënë 6 mln euro për heqjen e “non gratas” do ta kategorizojmë pjesërisht të vërtetë