Rënia e lindjeve në Australi nuk është provuar të ketë lidhje me vaksinimin kundër Covid-19. Ekspertët shpjegojnë se janë një sërë faktorësh të tjerë socialë që kanë ndikuar në uljen e numrit të lindjeve në të gjithë botën.
Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se vaksina e Covid-19 ka ndikuar në uljen e lindjeve në Australi.
“Në Australi lindjet ulen me 25%. Pasi i ngopën njerëzit me gjilpërën me helm, prisnin që lindjet të ishin më të larta”, shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.
Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Publikimi shoqërohet me një kronikë televizive, ku flitet për rënie të lindshmërisë, por nuk përmendet asnjë arësye në video. Ndërsa, përdoruesit e rrjeteve sociale kanë nisur me teoritë konsirative në lidhje me këtë çështje.
Nëse do t’u referohemi të dhënave zyrtare nga Byroja e Informacionit Shëndetësor të shtetit australian, paraqitet një rënie e lindjeve në spitalet publike të Uellsit të Ri Jugor gjatë tre muajve të parë të vitit 2023.
Vihet re se numri i foshnjave të lindura në spitale në këtë periudhë kohore ishte 15,868, më i ulëti i çdo tremujori që nga viti 2010. Në vitin 2021 ky numër ishte 19,081 lindje.
Mirëpo, artikulli i “Associated Press” citon një sërë ekspertësh që argumentojnë se faktorët socio-ekonomikë kanë nxitur rënien e lindjeve.
Liz Allen, eksperte e statistikave në Universitetin Kombëtar Australian në Canberra konfirmoi për “Associated Press” se: “presionet e kostos së jetesës, përballueshmëria e strehimit, punësimi i pasigurt, pabarazia gjinore” janë ndër gjërat që i detyrojnë të rinjtë australianë të mos bëjnë fëmijë.
“Historia e rënies së lindjeve në NSW (Uellsi i ri jugor) është një histori komplekse sociale, jo një histori që ka të bëjë me vaksinat,” shkroi Allen në një email për AP.
Udoy Saikia, një ekspert social në Universitetin Flinders në Adelaide theksoi se gjatë izolimit për shkak të pandemisë 2020, disa çifte bënë planet për të pasur fëmijë, teksa punonin nga shtëpia.
“Si rezultat, pati një rritje të konsiderueshme të numrit të lindjeve gjatë periudhës pasuese të vitit 2021, e ndjekur nga një rënie e nivelit të lindjeve në gjysmën e dytë të 2022 dhe tremujorin e parë të 2023”, shkroi ai për AP.
Më tej ekspertët shtojnë se nivelet e lindjeve në Australi, ashtu si në pjesët e tjera të botës, kanë qenë në rënie për vite me radhë.
“Sot në mbarë botën shumica e njerëzve jetojnë në vende me fertilitet nën nivelin e zëvendësimit. Kjo do të thotë, shkalla mesatare totale e fertilitetit është nën 2.1 lindje për grua për shumicën e popullatave”, argumentojnë ekspertët.