Programi i 100 fshatrave u prezantua në vitin 2018 nga qeveria, ku ndër të tjera kryeministri Edi Rama premtoi nga Libofsha investime edhe në këtë fshat. Mirëpo, 4 vite nga ky zotim, fshati Libofshë në Fier nuk ka parë asnjë investim në kuadër të këtij projekti. Faktoje verifikoi në terren se zona ishte lënë në harresë, ndërsa një pjesë e shtëpive ishin braktisur nga banorët.
“Së bashku, do të kuptojmë apo do të mirëkuptohemi pa humbur kohë për transformimin e shtëpive, transformimin e pronave të patundshme që sot janë thjesht strehë për familjet që jetojnë këtu, në bujtina apo në agroturizme…Modeli i 100 fshatrave është një model zhvillimi ekonomik dhe social dhe ndërhyrjet që do të bëjmë në funksion të zhvillimit të këtij modeli, synojnë jo thjesht transformimin e infrastrukturës apo investimet në rrugë siç është bërë vijimësisht zakon dhe siç është edhe nevoja për hir të së vërtetës, por nxitjen e iniciativës për të kaluar në një fazë të re të zhvillimit“, deklaroi kryeministri Edi Rama në mars të vitit 2019 nga fshati Libofshë.
Në lidhje me investimet në këtë fshat, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Mjedisit e Turizmit. Deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk kemi marrë një përgjigje nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit. Ndërsa, Ministria e Bujqësisë thekson: “MBZHR, ka hartuar strategjinë e re të bujqësisë, zhvillimit rural dhe peshkimit, 2021-2027, me fokus të veçantë në sektorin e agroturizmit. Programi i 100-fshatrave ka qenë një program me kohëzgjatje 2018-2020. MBZHR si pjesë e këtij programi, përmes skemave kombëtare të mbështetjes ka financuar 18 subjekte agroturistike”.
Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Mjedisit e Turizmit, 27 janar 2023
Faktoje udhëtoi drejt Libofshës më 30 janar 2023, për të parë nga afër çfarë investimesh ishin bërë në këtë fshat, në kuadër të projektit “100 fshatrat”. Sapo futesh në fshat, bie në sy rruga e shkatërruar. Rruga kryesore, e cila shërbente për kalimin e automjeteve në dy drejtimet, ishte e ngushtë dhe e prishur në anët e saj.
Hyrja e fshatit Libofshë, 30 janar 2023
Fshati Libofshë, 30 janar 2023
Sapo futemi në brendësi të fshatit bien në sy banesa të shumta të braktisura dhe të shkatërruara, të cilat të japin përshtypjen e një vendi të lënë në harresë prej kohësh dhe ku duket qartë mungesa e investimeve.
Fshati Libofshë, 30 janar 2023
Fshati Libofshë, 30 janar 2023
Në çdo cep fshati ishte mbuluar nga barishtet, një tregues ky i braktisjes nga njerëzit dhe mungesës së infrastrukturës minimale.
Fshati Libofshë, 30 janar 2023
Fshati Libofshë, 30 janar 2023
Edhe pse ishte premtuar 4 vite më parë për investime edhe në infrastrukturën rrugore, deri më sot asgjë nuk ishte bërë në këtë drejtim për fshatin e Libofshës.
“Para 7 muajsh nisën punimet për ujësjellësin, na rregulluan ujin. Nisën të rregullonin rrugët, por i kanë lënë përgjysmë. Kanë ikur të punojnë në Cakran tani”, thotë një i moshuar.
Fshati Libofshë, 30 janar 2023
“Për çfarë do investojnë më këtu?! Njerëzit kanë ikur të gjithë, një pjesë në Tiranë, një pjesë në emigrim. Në pallatin ku unë jetoj, nga 12 familje kanë ngelur vetëm 3”, thotë një 62-vjeçare.
Fshati Libofshë, 30 janar 2023
Pavarësisht premtimit të bërë, nga verifikimi në terren konstatohet qartë se në Libofshë jo vetëm që nuk është zbatuar projekti “100 Fshatrat”, por zona është lënë në harresë edhe nga pushteti vendor.
Në janar të vitit 2018 u prezantua projekti “100 Fshatrat”, ku përfshihen destinacione si Dardha, Voskopoja, Razma, Bosboshtica, por edhe Libofsha. Lazarati apo Kalivaçi
Programi i “100 fshatrave” synon të koordinojë ndërhyrjet zhvillimore në hapësirën rurale të 100 fshatrave. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Bujqësisë, “Programi i Integruar për Zhvillimin Rural –Programi i 100 fshatrave”, do të zbatohej në periudhën 2018-2020.
“PIZHR do të programojë ndërhyrjet me investime të integruara në zonat e përcaktuara (100 fshatra), nëpërmjet 3 objektivave si më poshtë: a) Përmirësimi i infrastrukturës publike; b) Zhvillimi ekonomik; c) Zhvillim i kapitalit social dhe njerëzor”, theksonte ndër të tjera MBZHR.